Tetori konsiderohet edhe si muaji i datëlindjeve të udhëheqësve shqiptarë të 100 viteve të fundit. Katër figura, që kanë dominuar 100 vitet e fundit politikën shqiptare, ditëlindjen e kanë në tetor. Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Ramiz Alia dhe Sali Berisha kanë lindur në muajin tetor.
Partitë dhe grupet komuniste në Shqipëri kanë nisur përgatitjet për të kremtuar ditëlindjen e Enver Hoxhës në 16 tetor, pra pasnesër. Enver Hoxha, njeriu më i urryer dhe i dashur në të njëjtën kohë nga shqiptarët, ka lindur në 16.10.1908. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e partive komuniste kanë njoftuar se kanë nisur përgatitjet për përkujtimin e 107 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës.
Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, ka zbardhur një pjesë nga axhenda organizative. Xhafaj pohoi se në ceremoni janë të ftuar të gjithë krerët dhe përfaqësuesit të partive të majta shqiptare, duke nisur që nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i LSI, Ilir Meta, kreu i PSD, Skënder Gjinushi dhe kreu i PDS, Paskal Milo.
“Në datën 16 tetor, në orën 10 paradite, do të shkojnë për të bërë homazhe tek varri i Enver Hoxhës, përfaqësues të Partisë së Punës së Shqipërisë nga rrethe të ndryshme të vendit, përfaqësues të Partisë Komuniste 8 Nëntori dhe komunistë të tjerë. Mirëpresim dhe ftojmë krerët e partive të majta progresiste në Shqipëri. Do t’i mirëpresim. Enver Hoxha nuk ishte vetëm komunist, por ishte udhëheqës i popullit. Ndaj, presim partitë e majta progresiste. Përjashtojmë ballistët dhe PD”, ka theksuar Xhafa për gazetën ‘Sot’.