Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka thënë se pas marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe, nuk do të ketë më ndarje të mjediseve në veri e jug, sikurse deri më tani dhe se për herë të parë serbët e Kosovës do të jenë të bashkuar. Ai shtoi se Bashkësia e Komunave Serbe do të vendosë vetë për interesat vitale në mjediset serbe, shkruan Zeri.
“’Zajednica’ do të jetë themeli i mbetjes dhe i qëndrimit të serbëve në Kosovë e Metohi, sepse për herë të parë të gjitha mjediset me shumicë serbe do të jenë të bashkuara dhe do të veprojnë në mënyrë unike”, ka thënë Rakiq për mediet serbe. Ai ka siguruar se me BKS-në nuk do të ketë më ndarje në mjedise jugu e veri, sikurse deri më tani.
Duke folur për marrëveshjen për “Zajednicën”, e cila është arritur në Bruksel, Rakiq ka thënë se formimi i “Zajednicës” me kompetencat sipas marrëveshjes së arritur do t’i mundësojë popullit serb në Kosovë që legalisht dhe në mënyrë legjitime t’i zgjidhë problemet jetësore dhe interesat nacionale serbe.