Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e saj në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe krizës institucionale ku vendi është futur sërish. Lajmin për anulimin e vizitës, Kos ia ka komunikuar kryeministrit Albin Kurti, thanë zyrtarët e Komisionit Evropian.
Zyra e shtypit e Komisionit Evropian njoftoi se komisionerja Kos synon të udhëtojë për në Prishtinë sa më shpejt të jetë e mundur. Vizita e saj ishte parashikuar për mesin e kësaj jave.
Zyrtarët evropianë, ndërkohë, kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ata nuk dëshirojnë të prononcohen më tej, pasi janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes Osamani.











