Një zyrtar i lartë, i cili shkroi strategjinë antidrogë për Policinë Metropolitane në Britani, akuzohet se ishte përdorues i llojeve të ndryshme të drogës kur nuk ishte në shërbim dhe po ashtu konsumonte kanabis çdo ditë. Komandanti Julian Bennett, i cili shërbeu në radhët e policisë që prej vitit 1976, akuzohet se pinte kanabis përpara mëngjesit dhe bënte festa të rregullta në apartamentin e tij në 2019-n.
Detajet u zbuluan në gjykatën e Southwark të Londrës. Përfaqësuesi ligjor i Policisë Metropolitane, Mark Ley-Morgan tha se nga mesi i Tetorit të 2019-s, Sheila Gomes ishte zhvendosur në apartamentin e oficerit dhe kishte qëndruar deri për Krishtlindje të atij viti.
“Mes 27 Nëntorit dhe 10 Dhjetorit 2019, ajo i dërgoi shokut të saj një mesazh në WhatsApp ku i referohej Komandantit Bennett, që konsumonte kanabis në apartamentin e tij. Pak para orës 10:00 të mëngjesit më 7 dhjetor të 2019-s, ajo përdori telefonin e saj për të fotografuar një qese me kanabis, letra duhani e çakmakë që ndodheshin në një tavolinë prej xhami, në dhomën e ndenjes”, tha përfaqësuesi i policisë, teksa shtoi se ajo ishte larguar nga apartamenti pak para Krishtlindjes të atij viti.
“Më 17 Korrik të 2020-s ajo telefonoi Policinë Metropolitane për të dëshmuar se Komandanti Bennett konsumonte kanabis përpara pune”.
Vetë dëshmitarja tha para gjykatës teksa u mor në pyetje nga përfaqësuesi i Policinë Metropolitane se: “E niste herët, përpara mëngjesit dhe përpara se të dilte për punë. Nuk e pashë asnjëherë të hante mëngjes përpara se të shkonte në punë”.
Ajo i tha po ashtu gjykatës se besonte që ai ishte avokat dhe jo zyrtar i lartë policie. Këtë e zbuloi kur nuk jetonte më me të. Gomes tha se nuk e kishte parë kurrë me uniformë.
Dy ditë pasi dëshmitarja mori policinë dhe deklaroi se Komandanti konsumonte kanabis, autoritetet urdhëruan një test droge. Më 21 Korrik, Bennett-it iu kërkua që të jepte urinën e tij për kryerjen e testit. Por ai refuzoi dhe kërcënoi me dorëheqje nëse do të detyrohej të bënte diçka të tillë. Ai u tha oficerëve se po merrte CBD (cannabidiol) për të trajtuar paralizën e fytyrës dhe ishte i shqetësuar që testi do të dilte pozitiv për një arsye “të pafajshme”.
Sipas asaj që shkruan The Independent, Bennett shkruajti strategjinë antidrogë për vitin 2017-2021, si komandant i policisë territoriale.
Dokumenti i quajtur “Përballja me ndikimin e drogës në komunitete” përmbante një plan për rritjen e ndërgjegjësimit mbi impaktin e abuzimit me drogën.
Në gjykatë po ashtu u mësua se mes Qershorit 2010 dhe Shkurtit 2012, Bennet kishte drejtuar 74 seanca dëgjimore për shkelje nga ana e policisë, ku përfshiheshin 90 oficerë. Në seancat dëgjimore ku Bennett kishte qenë pjesë, ishin pushuar nga puna 56 oficerë, më shumë se tre e katërta. Ne mesin e oficerëve që kishte pushuar nga puna, 2 ishin në lidhje me drogën.
Mbi Bennett rëndojnë disa akuza, të cilat ai i ka mohuar. Ai është pezulluar nga detyra me pagesë të plotë që prej Korrikut të 2021-t.
/a.r