Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vendosin tarifa ndaj Kolumbisë, pasi Bogota zyrtare vendosi të pranojë, pa kufizime, emigrantët e deportuar. Lajmi u bë publik nga Shtëpia e Bardhë.
Donald Trump urdhëroi tarifa 25% për mallrat kolumbiane pasi presidenti i saj ndaloi dy avionë ushtarakë amerikanë që të zbresin në Kolumbi të dielën. Presidenti Gustavo Petro u përgjigj fillimisht duke thënë se vendi i tij do të pranojë qytetarët e riatdhesuar në “avionë civilë, pa i trajtuar ata si kriminelë”.
Shtëpia e Bardhë përshëndeti marrëveshjen me Kolumbinë dhe e konsideroi si një fitore të qasjes së ashpër të Trump, pas kërcënimeve që dy udhëheqësit e shtetit shkëmbyen në rrjetet sociale të dielën.
Ministria e Jashtme e Kolumbisë tha se e kishte tejkaluar ngërçin me Shtetet e Bashkuara disa orë pasi presidenti Petro e dënoi, atë që e quajti si “bllokadën” e Donald Trump.
Presidenti i Amerikës shpalli “masa të menjëhershme dhe reciproke”, ndaj Kolumbisë menjëherë pasi homologu i tij ndaloi fluturimet. Në masat e tij përfshiheshin tarifa dhe sanksione me vizat.
Ndërsa Petro u përgjigj duke shpallur tarifa ndaj SHBA.
Brenda disa orës, dy palët e zgjidhën çështjen dhe Shtëpia e Bardhë tha se Kolumbi pranoi “të gjitha kërkesat e Presidentit Trump”.