• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, March 4, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kronikë

Kolegji i Apelimit: Konfirmimi në KPK i prokurorit Madani, i pabazuar në ligj dhe prova

by Java News
17/08/2021 22:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në vendimin e arsyetuar për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se analiza financiare dhe konkluzionet e KPK-së për të ardhurat dhe dhuratat nga familjarët janë të pabazuara.

Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 12 maj të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani dhe e shkarkoi këtë të fundit nga detyra për mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive dhe për deklarim të pasaktë.

Më parë, Madani ishte konfirmuar në detyrë me shumicë votash nga KPK, me argumentin e proporcionalitetit.

Bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM – Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi si të pabazuar vendimin e KPK për Madanin dhe pretendoi se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në Durrës në çmimin 5.5 milionë lekë në vitin 2001, një fond investimi dhe gjendjen cash. Gjithashtu, konstatoi deklarim të pasaktë dhe fshehjen e ushtrimit të të drejtave mbi një makinë të përdorur prej subjektit dhe familjarëve të tij, por të padeklaruar.

Ballhysa e cilësoi konkluzionin e Komisionit për apartamentin e banimit me sipërfaqe 146.46 m2 dhe garazh me sipërfaqe 10.5 m2 në Durrës të pabazuar. Sipas tij, vlerësimi i KPK niset nga një premisë e gabuar për t’i dhënë vlerë provuese nivelit deklarativ të shpjegimeve të subjektit të rivlerësimit, i cili pretendoi se shtëpinë e kishte marrë në dorëzim karabina dhe se kishte harruar të deklaronte garazhin.

Në vendimin e arsyetuar, edhe Kolegji konstaton mospërputhje në deklarimet e subjektit me provat e administruara gjatë procesit të rivlerësimit lidhur me vlerën e deklaruar për apartamentin dhe garazhin, si dhe për burimet e krijimit.

KPA e ka gjetur të pabazuar pretendimin e Madanit se diferenca ka ardhur si rezultat i punimeve të bëra për përfundimin e banesës në periudhën 2001-2003, pasi apartamentin e kishte marrë në disponim në fazë karabinaje. Sipas Kolegjit, nga dokumentacioni i ZVRPP-së Durrës është konstatuar se punimet e objektit kanë përfunduar në shtator të vitit 2000 dhe se ky fakt është përforcuar edhe nga provat e dorëzuara nga vetë subjekti i rivlerësimit.

“Gjendja karabina është për të gjithë blerësit ose për asnjërin, pasi është një gjendje ndërtimi e përgjithshme e pallatit,” çmon Kolegji.

Po ashtu, KPA ka vlerësuar të drejtë edhe shkakun tjetër të ngritur nga Komisoneri për mosdeklarimin e garazhit nga ana e subjektit, megjithëse ai kishte paguar për të dy pasuritë vlera të ndryshme dhe ka nënshkruar certifikata pronësie për secilën. Por kjo pasaktësi është vlerësuar jo penalizuese.

Nisur nga pasaktësitë në deklarimin e burimeve të krijimit të këtyre pasurive ose mosdeklarimit të tyre, Komisioneri konstatoi mungesë burimesh për blerjen e tyre. Sipas Ballhysës, nuk duhet të konsiderohen si të ardhura të ligjshme dhurimet nga të afërmit e pretenduara nga subjekti në shumën totale 3 milionë e 150 mijë lekë dhe se duhet të përfshihen në analizën financiare shpenzimet për periudhën 1992-1997.

Edhe në vlerësimin e Kolegjit, subjekti i rivlerësimit në deklaratën veting dhe atë periodike, ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e krijimit të apartamentit. Në vijim, trupi gjykues i KPA vëren se subjekti i rivlerësimit nuk ka përcaktuar në deklaratën e parë të pasurisë vlerën e saktë të përfituar nga pjesëtimi vullnetar, duke e bërë të paidentifikueshëm këtë burim dhe për rrjedhojë të paprovueshme ekzistencën e burimit të ligjshëm.

Po ashtu, nuk janë konsideruar si burime për krijimin e këtyre pasurive edhe shumat e pretenduara nga Madani gjatë hetimit administrativ se i janë dhuruar nga babai dhe vëllai i bashkëshortes, pasi nuk janë pasqyruar as në deklaratat periodike dhe as në atë veting.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj për periudhën 1992-2003, duke mos konsideruar dhurimet e pranuara nga shumica e Komisionit, është konkluduar pamundësi financiare në shumën 3.8 milionë lekë.

Në vendim thuhet se në Kolegj janë kryer të gjitha alternativat e mundshme të varianteve të analizës financiare, prej nga ka rezultuar gjithmonë balancë negative.

Pamundësi financiare është konstatuar gjatë shqytimit në Kolegj edhe për krijimin e një fondi investimesh në shumën 5.5 milionë lekë në Raiffeisen Bank dhe për gjendjen cash në shumën 1.2 milionë lekë.

Ndryshe nga KPK që ka vlerësuar se pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike për krijimin e këtyre likujditeteve nuk sjellin pasoja dhe nuk cënojnë ligjshmërinë e burimit të pasurisë, si dhe mungesat në vite nuk cënojnë besimin e publikut – Komisioneri dhe Kolegji vlerësojnë se subjekti rezulton me balanca negative për disa vite në shumën 2,9 milionë lekë.

Nga shqyrtimi i ankimit në Kolegj ka rezultuar se Madani nuk ka deklaruar përdorimin e një automjeti tip “Ford”.

Komisioni ka vlerësuar se shpjegimet e subjektit janë bindëse, pasi pronari i makinës ka pasur mundësi ta blejë atë dhe se nuk ka rezultuar që ai të ketë rekorde kriminale apo të jetë i përfshirë në krimin e organizuar. Ndërsa Komisioneri Publik pretendon se subjekti është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe fshehjes së ushtrimit të të drejtave mbi këtë send.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Madani ka shpjeguar se ai dhe bashkëshortja e tij e kanë përdorur këtë mjet në rasta të veçanta udhëtimi, kryesisht për lëvizje familjare drejt Tropojës, prej nga kanë kaluar në pikën kufitare me Kosovën.

Por, Kolegji vëren se të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS konfirmojnë se Madani dhe familja e tij, për periudhën nga viti 2014-2019 kanë kryer rreth 45 hyrje dhe dalje në total. Gjithashtu ka rezultuar se në vitin 2014 ka hyrë në territorin e Shqipërisë me të njëjtin automjet edhe vëllai i subjektit të rivlerësimit, z. A. M.

Nga shqyrtimi i ankimit në Kolegj është konstatuar se, në momentin e dorëzimit të deklaratës veting, subjekti i rivlerësimit ka pasur në përdorim automjetin në fjalë, sikundër dhe ka pasur policë sigurimi të vlefshme. Sipas KPA, prokurori Madani duhej të kishte deklaruar përdorimin e kësaj makine.

Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Ardjan Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulajn arrijnë në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të, duke rrëzuar vendimin e KPK-së sit ë pabazuar në fakte, prova dhe ligj. BIRN

Next Post
Gazetarja shpërthen në lot teksa i drejtohet shefit të NATO-s: “Ju lutem mos i njihni talibanët”

Gazetarja shpërthen në lot teksa i drejtohet shefit të NATO-s: “Ju lutem mos i njihni talibanët”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tensionet në Lindjen e Mesme/ FMN: Ndikimi ekonomik i luftës do të varet nga kohëzgjatja e saj

Tensionet në Lindjen e Mesme/ FMN: Ndikimi ekonomik i luftës do të varet nga kohëzgjatja e saj

March 3, 2026
Zgjidhet udhëheqësi i ri/ Djali i Khameneit, Mojtaba Hosseini lider Suprem i Iranit

Zgjidhet udhëheqësi i ri/ Djali i Khameneit, Mojtaba Hosseini lider Suprem i Iranit

March 3, 2026
Sa do na kushtojë çekiçi i gjyqtarit?

Pse na vlerëson Komuniteti i Energjisë?

March 3, 2026
Sulmi në konsullatën amerikane në Dubai, e konfirmon Rubio: Droni ra tek parkimi i ndërtesës

Sulmi në konsullatën amerikane në Dubai, e konfirmon Rubio: Droni ra tek parkimi i ndërtesës

March 3, 2026
Ulet nafta dhe benzina! Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja për karburantet

Lufta prek naftën/ Ngrihet lehtë çmimi edhe në Shqipëri, ekspertët kërkojnë ulje të taksave dhe fiksim të çmimit

March 3, 2026
Incident në Ambasadën e Kosovës në Berlin, vendosen etiketa fyese në gjuhën serbe, reagon Ministria e Jashtme në Prishtinë

Incident në Ambasadën e Kosovës në Berlin, vendosen etiketa fyese në gjuhën serbe, reagon Ministria e Jashtme në Prishtinë

March 3, 2026
Berisha paralajmëron protestën e radhës: Të mblidhemi të gjithë para Parlamentit më 12 mars

Berisha paralajmëron protestën e radhës: Të mblidhemi të gjithë para Parlamentit më 12 mars

March 3, 2026
“40 shtëpitë e Familjes Berisha’, gazetari rikthen në vëmendje pasurinë e familjes së ish-kryeministrit

“40 shtëpitë e Familjes Berisha’, gazetari rikthen në vëmendje pasurinë e familjes së ish-kryeministrit

March 3, 2026
Sulmi iranian ndaj bazës britanike, Franca dhe Greqia dërgojnë sisteme anti-dronë në Qipro

Sulmi iranian ndaj bazës britanike, Franca dhe Greqia dërgojnë sisteme anti-dronë në Qipro

March 3, 2026
Shpërthime në Dubai, merr flakë Konsullata amerikane! Nuk ka konfirmime zyrtare për viktima

Shpërthime në Dubai, merr flakë Konsullata amerikane! Nuk ka konfirmime zyrtare për viktima

March 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In