Të martën Shkodra, por dhe i gjithë opinioni publik u trondit nga një ngjarje e rëndë. 34-vjeçari Kolë Manaj qëlloi me plumb në kokë bashkëjetuesen e tij 44 vjeç Anila Ndoka, e cila aktualisht ndodhet në spital në rrezik për jetën. Pas kësaj 34-vjeçari vrau veten. Krah arsyeve të tjera, shumë media e kanë trajtuar këtë si një krim pasioni.
I ftuar në studion e “Opinion” në Tv Klan sociologu Gëzim Tushi duke iu referuar këtij rasti, por jo vetëm, iu drejtua me një gjuhë shumë të ashpër meshkujve. Sipas tij, ky nuk është një krim pasioni, por është egoja e një mashkulli, veçanërisht atij ballkanas për të trajtuar si pronë dhe për të sunduar gruan e tij.
Gëzim Tushi: Përdorimi i termit krim pasioni ka marrë një konotacion të pranishëm në shoqërinë shqiptare dhe kam përshtypjen që pas kësaj fshihet dhe një gjë shumë e rëndësishme. Edhe opinioni publik, por dhe organet e policisë kur përballen me një rast që ka të bëjë me krim pasioni e zbutin ose e konsiderojnë më të pranueshëm se sa krimet e tjera. Pra nëse njëri e ka vrarë gruan për xhelozi atëherë opinioni publik së pari i vesh atë aureolën që kjo ngjarje e paska një arsye dhe nuk po them deri në nivele të tilla që thonë “mirë ia bëri, që e vrau”.
Blendi Fevziu: Kjo është e vërtetë po të shikosh komentet poshtë kronikës, gjysma thonë mirë ia bëri. Kjo është e tmerrshme.
Gëzim Tushi: Unë mendoj se më shumë se krim pasioni është një egoizëm maskilist, egoizmi i meshkujve në përgjithësi, por i meshkujve tanë ballkanas është i jashtëzakonshëm, të cilët e konsiderojnë jo vetëm pronë, jo vetëm që duhet ta sundojnë atë, po gati ta kthejnë në kafshë shtëpiake, gati-gati të jetë në nivelin më të ulët si qenie njerëzore.