Policia e Tiranës ka arrestuar administratorin e një kazinoje në rrugën ‘Sami Frashëri’, në kryeqytet, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient të fshehtë brenda saj është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.
Në pranga ka rënë Irdi Zhegu, 36 vjeç, banues në Tiranë me akuzat e përshtatjes së ambienteve për përdorim droge, organizim i lotarive të palejuara dhe vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet A.Q, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale të organizimit të lotarive të palejuara dhe vënia në dispozicion e lokalit për lojëra te palejuara.
Sipas policisë, në kazinonë në rrugën “Sami Frashëri”, në një dhome në katin e dytë janë gjendur tri pjata porcelani ngjyre të bardhë, dy letra bixhozi njëra e kuqe dhe tjetra e zezë si dhe një sasi (mbetje) pluhuri ngjyrë e bardhë e derdhur mbi komodinë, e cila u mblodh në një letër të bardhë, me peshë 1 gram.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: Sasia prej 1 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, tri pjata porcelani me mbetje lëndë të dyshuar kokainë, së bashku me dy letra bixhozi dhe 8 (tetë) kompjuterë”, bë me dije policia.
22 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)









