Nga Armando Meta/
Dita e sotme ka shënuar dy momente jo pak të rëndësishme në jetën politike shqiptare, për aq sa mund të thuhet se në këtë vend bëhet ende politikë. Fillimisht ishte një letër që kreu i shtetit, Bujar Nishani, i nisi kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, ku nënvizoheshin rezervat e tij, kryesisht të natyrës proceduriale, për reformën në drejtësi. Pak orë më vonë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi ndjekje penale për ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, lidhur me marrëveshjen e arritur me kompaninë çeke CEZ për zgjidhjen e problemit të borxhit. Kjo marrëveshje, sipas KLSH, i ka shkaktuar shtetit shqiptarë një dëm prej 479 milion euro!!
Parë në këndvështrimin e një shteti normal, ku realisht këto dy insticione ai i presidencës dhe i KLSH do të ishin institucione vërtetë të pavarura, këto dy çështje realisht do të shkatkonin një tërmet në opinionin publik dhe atë politik. Por a mund të quhen këto 2 institucione se janë të pavarura? Përgjigjia është një “Jo” e thjeshtë. Presidenca e z. Nishani, për hirë të së vërtetës, është shumë larg të qënit një institucion i pavarur. Rreshtimi i tij pa asnjë delikatesë në favor të PD, duke lënë mënjëanë ata shqiptarë që nuk mendojnë si PD, e ka kompromentuar mjaft rëndë misionin e tij si figurë e unitetit kombëtar.
Vetëm pak orë përpara se Presidenti t’i dërgonte letrën e tij Kuvendit, ish-kryeministri Berisha gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA dhe kryesuesin e misionit OPDATE mësohet të ketë artikuluar rezervat e tij lidhur me procedurat e ndjekura për hartimin e paketës së reformës në drejtësi, ku ka vënë theksin tek anashkalimi i kreut të shtetit në këtë proces. Këto pretendime të ish kryeministrit Berisha më pas i gjejmë të artikuluara edhe në letrën zyrtare që kreu i shtetit i ka nisur Kuvendit. Thjeshtë koinçidencë?
Pak orë më vonë edhe KLSH, në ditën që kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Çeki, publikon raportin e kontrollit, lidhur me marrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe CEZ për zgjidhjen e problemit të borxhit. Në fakt raporti i KLSH nuk përmbante ndonjë gjë të paditur për opinionin publik, pasi akuzat dhe shifrat ishin artikuluar për ditë me rradhë nga ish- kryeministri Berisha në Kuvend. KLSH thjeshtë i hodhi në letër. Ajo që bie në sy në këtë raport është fakti se ky institucion as ka marrë mundimin që të kontrollojë për periudhën 2009- 20013, kohë në të cilën në fakt nën qeverisjen e ish- kryeministrit Berisha, Shqipëria u rrënua financiarisht për shkak të privatizimit skandaloz të kompanisë energjitike shqiptare dhe buzimeve, vjedhjeve dhe shpërdorimeve të frikshme në CEZ shpërndarje. Pa hyrë shumë në detaje të raportit, i cili në fakt do të jetë objekt i ekspertëve për t’u analizuar, që në mënyrën se si është ndërtuar skema e kontrollit bëhet i qartë filli politik që ka udhëhequr KLSH në këtë proces. Thjeshtë rastësi? Dy brenda ditës bëhen shumë…për t’u quajtur rastësi.









