• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, March 18, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kodheli në Asamblenë e NATO-s: Ballkani, udhëkryq sfidash e kërcënimesh

by Java News
29/05/2016 09:51
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, foli në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e cila po zhvillohet në Tiranë.

“Më lejoni të filloj fjalën time duke falenderuar organizatorët e kësaj Asambleje që më ftuan të marr pjesë, në këtë takim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili po zhvillohet nën kujdesin e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Përfitoj nga ky rast gjithashtu, për t’iu shprehur të gjithëve ju, mirëseardhjen time të ngrohtë, këtu në Tiranë.

Të nderuar kolegë,

NATO është një komunitet vlerash, ku bashkohet demokracia, liria individuale, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor. Në këtë kuptim, Asambleja Parlamentare e NATO-s, e përbërë nga ju, anëtarë të Parlamenteve nga të gjitha vendet anëtare, është një mishërim i qartë i vlerave demokratike të kësaj Alenace.

Prandaj, kam kënaqësinë e madhe të adresoj këtë audiencë të nderuar, mbi disa nga çështjet me të prekshme për Aleancën tonë, siç janë: Kërcënimet dhe sfidat, që burojnë nga arkitektura aktuale e Sigurisë në Evropë, duke pasur parasysh rolin dhe reagimin e NATO-s.

Të dashur miq,

Deri në fund të vitit 2013, Aleanca jonë ishte fokusuar në Operacione të Menaxhimit të Krizave dhe veprimtari të Sigurisë Bashkëpunuese, duke zgjeruar platformën e partneriteteve.

NATO ishte, në një diskutim të brendshëm dinamik mbi transformimin e saj, dhe misioni ISAF në Afganistan, ishte drejt përfundim të tij.

Ndërkohë, në përputhje me Deklaratën e Samitit të Lisbonës, e cila njohu partneritetin strategjik të NATO-s me Rusinë, NATO rriti bashkëpunimin me Federatën Ruse, duke përfshirë këtu edhe fushën e mbrojtjes raketore.

Shumë prej nesh menduan një NATO të zhdërvjellët, pa kërcënime në kufijtë tanë të afërt, dhe e aftë për të shijuar supremacinë ushtarake në çdo aspekt, ndaj atyre që konsideroheshin si armiq të kohës.

Për fat të keq, pothuasje dy vjet më parë, të gjithë ne, pamë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë, si dhe aktivitetet e tyre të vazhdueshme shtrënguese përreth Ukrainës.

Për më tepër, Rusia filloi të rrisë retorikën kundër NATO-s dhe aleatëve të saj, madje edhe në një fushë shumë të rrezikshme dhe shqetësuese, atë “bërthamore”.

Më lejoni të rikujtoj deklaratën e ambasadorit rus në Danimarkë në mars të 2015-ës, i cili pohoi se nëse Danimarka do bëhej pjesë e sistemit mbrojtës antiraketë, të udhëhequr nga SHBA-të, atëherë luftanijet daneze mund të kthehen në shënjestra të raketave bërthamore ruse.

Lista e deklaratave të ngjashme dhe “manovrave të pajustifikuara” nga asetet tokësore, ajrore, detare dhe strategjike ruse në rajonin Balltik, Detin e Zi, Mesdheun Lindor dhe në Atlantikun e Veriut, është mjaft e gjatë, dhe në këndvështrimin tonë keto deklarata janë bërë qëllimisht.

Nga ana tjetër, Pranvera Arabe u shndërrua në një “Dimër Arab”. Djalli gjeti terren pjellor, u shfaq dhe u rrit me një dhunë ekstreme.

“I ashtuquajturi Shteti Islamik”/DAESH dhe grupe të tjera terroriste, të furnizuar nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën, janë një kërcënim real jo vetëm për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por edhe për shoqëritë tona.

Ngjarjet tragjike në Ankara, Paris, Bruksel apo vende të tjera, janë një mesazh i qartë, për qëllimin që ata kanë. Për më tepër, dështimi dhe mosfunksionimi i shteteve, ndërthurur me dhunën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ka shkaktuar vuajtje biblike, si dhe një valë masive të refugjatëve në shtëpitë tona apo në vende fqinje me ne.

Me pak fjalë, kjo është “përmbledhja” e mjedisit të sigurisë në Evropë: një kombinim i kërcënimeve dhe sfidave tradicionale dhe jo-tradicionale, të provokuara nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, të cilat kërkojnë një qasje të plotë dhe të fortë për frenimin dhe mbrojtjen (deterrence and defense).

Për një kohë të gjatë, mbrojtja ishte “lënë mënjanë” dhe shpenzimet e mbrojtjes, ndër vite, ishin tkurrur në mënyrë të ndjeshme. Si rrjedhojë, kalimi nga një “regjim i menaxhimit të krizave” në “një regjim të mbrojtjes kolektive”, për shumë vende nuk ishte i lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për të “ri-investuar për mbrojtjen”.

Ndërkohë, është mëse e qartë se në ditët e sotme migrimi dhe terrorizmi janë në krye të sfidave ndër-shtetërore që kërkojnë zgjidhje ndër-shtetërore.

Dhe në skenarë të tillë, ne i kërkojmë përgjigjet në nivel NATO dhe BE. Të merresh me këto sfida multi–dimensionale nuk është një detyrë e lehtë, por gjykoj se nuk ka një zgjidhje të mesme. Dështimi i menaxhimit të sfidave të përmendura më sipër do të thotë copëzim i unitetit në kontinentin evropian dhe fatkeqësisht, janë shumë ata që presin që kjo gjë të ndodhë.

Për më tepër, me këto konflikte të reja, ne nuk duhet të harrojmë rajonet që lehtësisht mund të preken nga trazirat ndërkombëtare, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe dobësive të tyre.

Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar kryesisht nga paratë dhe ideologjia e Moskës dhe fondamentalizmit.

Ky rajon është udhëkryqi, i cili bashkon Lindjen me Jugun dhe ku janë të pranishme kërcënimet dhe sfidat e sotme.

Dhe sipas pikëpamjes tonë, në kohë të tilla, konflikte të tjera të mundshme mund të parandalohen lehtësisht, nëpërmjet proceseve integruese. Integrimi përhap stabilitet e siguri, si dhe ofron një nxitje kryesore për vendet aspiruese, që të ndërmarrin reforma demokratike.

Për sa i përket NATO-s dhe BE-së, vendet e rajonit tonë kanë: rrugë, objektiva dhe axhenda të ndryshme. Ende, shumë prej tyre janë akoma të brishta në përpjekjet e tyre, për ndërtimin e demokracive liberale.

Ne të gjithë e dimë se rruga drejt anëtarësimit në BE është më e ndërlikuar për Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vlen edhe për vendin tim. Paqartësitë politike dhe ato të sigurisë, por dhe problemet ekonomike janë duke e dobësuar ëndrrën e integrimit.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria mbështeti fuqishëm Malin e Zi drejt NATO-s dhe ne përshëndesim nënshkrimin e Protokollit të Pranimit nga Ministrat e Jashtëm të NATO-s, disa ditë më parë.

Kjo ishte një shenjë e cila tregon se prania e Aleancës në Ballkanin Perëndimor është shumë e mirëpritur dhe e vlerësuar. Mali i Zi nuk do të jetë vendi i fundit që do i bashkohet Aleancës, për aq kohë sa do të jetë në fuqi neni 10 i Traktatit të Uashingtonit dhe vendimet kombëtare mbi aspiratat integruese të jenë të lira.

Ne, në Shqipëri, besojmë fort në rolin unik dhe të pazëvendësueshëm të NATO-s, prandaj çdo vend i rajonit tonë duhet të inkurajohet të vlerësojë dhe shqyrtojë mundësitë e shumta, që vetëm marrëdhënia me NATO-n mund të ofrojë.

Vendi im do të mbështesë praninë e shtuar të NATO-s në Evropën Juglindore, sepse për ne, kjo thjesht do të thotë se bashkësia e vlerave dhe parimeve të përbashkëta është duke u forcuar.

Gjithëpërfshirja është një domosdoshmëri, prandaj ne na duhet një qasje konstruktive me të gjitha vendet e rajonit. Jemi të mendimit se ka ardhur koha që NATO të hapë një faqe të re dialogu dhe partneriteti të strukturuar me Kosovën.

Unë mund të vazhdoj këtë ligjeratë në lidhje me integrimin, sepse shqiptarët vazhdojnë të besojnë ende në “projektin evropian” dhe sipas mendimit tim kjo është një nga “armët kryesore” për të zmbrapsur problemet nga rrethinat tona.

Megjithatë, dëshiroj të nënvizoj dhe një tjetër çështje po aq të rëndësishme, në adresimin e sfidave të sigurisë, siç është: Ndërtimi i një Mirëkuptimi dhe Qëndrese të Përbashkët, përballë kundërshtarëve dhe sfiduesve tanë.

Me sa duket ne nuk biem dakord mbi karakterin e saktë të sfidave, implikimet e tyre për kontinentin tonë dhe aq më pak, si duhet t’i trajtojmë ato. Në disa raste, ndryshimet në pikëpamje dhe fokus mund të skicohen midis rajoneve apo shteteve, si një çështje gjeografike.

Unë e di që gjërat nuk mund të jenë vetëm bardh e zi dhe se sfidat e kërcënimet ndihen në mënyra të ndryshme nëpër Evropë. Prandaj, besoj se ne, duhet të përqëndrohemi në atë që na bashkon dhe na mban të lidhur: Vlerat tona të përbashkëta. Lidhja Trans-Atlantike duhet të përparojë dhe të ruhet me çdo kusht.

Në Samitin e Uellsit kemi marrë vendime të rëndësishme për të siguruar aleatët tanë në Lindje, për të forcuar mbrojtjen kolektive të NATO-s dhe për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Implementimi i Planit të Veprimit të Gatishmërisë së NATO-s është një pjesë thelbësore e kësaj. Ne kemi nevojë të investojmë dhe të ndërtojmë kapacitetet tona.

Këtë vit, Shqipëria ndaloi trendin e rënies 7-vjeçare në shpenzimet e mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes për vitin 2016 ka një rritje prej 12% në terma realë, në krahasim me vitin 2015 dhe ky është një tregues se Shqipëria i qëndron besnike vendimeve të marra në Uells, përsa i përket “Zotimit mbi Investimet e Mbrojtjes”.

Ndërkohë, ne kemi qenë konsistent me kontributet dhe angazhimet tona, në mbështetje të tre detyrave kryesore të NATO-s. Këtë vit ne do të rrisim nivelin e pjesëmarrjes në Misionin “Resolute Support”, në Afganistan, ndërsa në Kosovë do qëndrojmë në të njëjtat nivele, në përputhje me vendimet e Aleancës. Në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit të Gatishmërisë, Shqipëria po kontribuon në Forcën e përmirësuar të Reagimit të Shpejtë të NATO-s, siç është Task-Forca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë (ose siç njihet ndryshe “Spearhead”), me një kompani këmbësorie për periudhën 2016-2018. Po ashtu, vlen për t’u nënvizuar niveli i lartë i personelit shqiptar që plotëson pozicionet në Strkuturat e Komandës dhe Forcës së NATO-s, si dhe oficerët të cilët tashmë shërbejnë osë pritet të shërbejnë në Njësitë e reja të Integrimit të Forcave të NATO-s (NFIU) dhe në Divizionin Shumëkombësh Juglindor, në Rumani dhe Bullgari.

Ne jemi në proces shqyrtimi dhe krijimi të hapësirave ligjore, për të mbështetur përpjekjet e koalicionit anti-ISIS në terren, si dhe jemi duke vlerësuar nga afër përfshirjen në operacionin detar të NATO-s në Detin Egje, për të ndihmuar në krizën e refugjatëve. Në kuadër të BE-së, prej nëntorit 2015, kemi dërguar një ekip çminimi (EOD) në Mali dhe jemi duke kontribuar me oficer shtabi në operacionin ALTHEA, në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu, mbetet shumë e rëndësishme për t’u theksuar ndihma e Shqipërisë në projektimin e stabilitetit përtej kufijve të NATO-s. Aktualisht personeli ynë po këshillon dhe ndihmon disa vende partnere, si Gjeorgjia, Ukraina etj, për të ndërtuar kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe ripërtëritëse (resilience).

Së fundmi, siç mund të jeni në dijeni, ne jemi shumë të shqetësuar në lidhje me fenomenin e luftëtarëve të huaj, të cilët “ushqejnë” organizatat terroriste në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Si rrjedhojë, pas diskutimeve dhe koordinimit në rrafsh bilateral dhe atë NATO, tashmë po përshpejtojmë përpjekjet tona, për të krijuar një Qendër Ekselence të NATO-s në Shqipëri, kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj (NATO Foreign Fighters Center of Excellence).

Ky spektër i gjerë angazhimesh është një tregues i qartë i gatishmërisë së Shqipërisë për të forcuar sigurinë e përbashkët dhe për të kontribuar në përpjekjet e gjithanshme dhe afatgjata të përshtatjes së NATO-s, drejt Samitit të Varshavës. Ky është detyrimi ynë dhe ne do të ruajmë dhe mbajmë gjallë parimet themeluese të “Lidhjes” tonë.

Të nderuar pjesëmarrës, dua të mbyll këtë fjalë me një falenderim të sinqertë dhë një vlerësim të veçantë për punën tuaj. Ne jo vetëm i vlerësojmë, por dhe i kushtojmë vëmendje shumë të madhe diskutimeve dhe rekomandimeve tuaja. Gjithashtu, ne mirëpresim rolin vendimtar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në rritjen e transparencës mbi politikat, objektivat dhe misionin e Aleancës tonë të përbashkët.

Ju faleminderit për vemëndjen tuaj!”.

Next Post

Londër, vrasësi shqiptar vdes në burg i mbuluar në feçe e urinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kryemadhi pas daljes nga SPAK: 240 faqe akuzë, shumica të fokusuara te unë, vetëm 35 faqe për Metën

VIDEO / Kryemadhi, batuta me gazetarët para GJKKO: Gjynah që doli Gimbo nga Big Brother

March 18, 2026
Kush mund të marrë pushtetin në Teheran pas vdekjes së Larijanit?

Kush mund të marrë pushtetin në Teheran pas vdekjes së Larijanit?

March 18, 2026
Tre javë pa Bordin e Transparencës, kompanitë e mëdha nuk ulin çmimet e karburanteve

Rritja e çmimit të karburantit, Konfindustria thirrje qeverisë: Ulni taksën e qarkullimit dhe…

March 18, 2026
Hoxha në Senatin e Spanjës: Mbështetje e vazhdueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Hoxha në Senatin e Spanjës: Mbështetje e vazhdueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

March 18, 2026
Si lexuesit e targave me AI u bënë një pikë e nxehtë në betejat e emigracionit në SHBA

Si lexuesit e targave me AI u bënë një pikë e nxehtë në betejat e emigracionit në SHBA

March 18, 2026
Parku natyror në flakë, ironizon Tare: Syri i Kaltër digjet, por ne kemi Çeço e Nona fest…

Rezoluta, dovleti dhe paratë e huaja

March 18, 2026
Alarm në Angli për “epidemi të meningjitit”, si u përhap nga një natë në diskotekë

Alarm në Angli për “epidemi të meningjitit”, si u përhap nga një natë në diskotekë

March 18, 2026
Kapen me doza kanabisi gati për shitje në automjet, arrestohen tre të rinj në Kukës

Shpërndante kokainë dhe kanabis në qytetin e Lushnjës, arrestohet 36-vjeçari

March 18, 2026
Sa i sigurt është fluturimi në Lindjen e Mesme? Pse kompanitë e Gjirit vazhdojnë të fluturojnë dhe ato perëndimore jo

Sa i sigurt është fluturimi në Lindjen e Mesme? Pse kompanitë e Gjirit vazhdojnë të fluturojnë dhe ato perëndimore jo

March 18, 2026
Përndiqte dhe kanoste në rrjetet sociale 37-vjeçaren, arrestohet 28-vjeçari

Konflikti agravon në përdorimin e thikës, plagoset 48-vjeçari, në pranga autori

March 18, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In