Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë një leksioni që dha sot në Kursin e Lartë të Sigurisë, tha se anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të parandalonte lindjen e konflikteve të reja në këtë rajon.
“Rruga drejt anëtarësimit në BE është më komplekse për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kështu është edhe për vendin tim. Pasiguritë politike dhe vështirësitë ekonomike janë duke e dobësuar ëndrrën e integrimit, dhe në një kohë konfliktesh të tilla, ne të gjithë biem dakord që lindja e konflikteve të tjera mund të parandalohet lehtësisht nga proceset e integrimit”, deklaroi ministrja Kodheli.
Vendet anëtare të NATO-s, theksoi ajo, po përballen së fundi me kërcënime të ndryshme që vijnë nga Lindja dhe Jugu, por ato kanë të përbashkëta parimet e mbrojtjes kolektive, menaxhimin e krizave dhe sigurinë bashkëpunuese.
Ballkani Perëndimor është njëri prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por shumë i ndikuar nga paratë dhe ideologjia e Moskës, si dhe nga fondamentalizmi. Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë, pavarësisht se janë për vite me radhë vende kandidate potenciale për anëtarësim në NATO, nuk i janë bashkuar ende grupit atlantik, tha Kodheli.
pas saj, shembujt më të mirë të rajonit janë Sllovenia dhe Kroacia, vende anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe Shqipëria, anëtar vetëm i NATO-s. Vendet e tjera janë kandidate për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërkohë që Kosova është duke bërë përparim të madh drejt njohjes së saj dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare.