Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 36 punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të trajnuar në kuadër të Programit ICITAP, si dhe në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe AMP-së.
Në fjalën e saj, ministrja vlerësoi bashkëpunimin mbi 25-vjeçar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Programit ICITAP, duke theksuar se ky partneritet ka qenë thelbësor në rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe transparencës së institucioneve ligjzbatuese shqiptare. Gjatë këtyre viteve, mbi 380 oficerë dhe agjentë janë trajnuar, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve institucionale.
Duke u ndalur te roli i AMP-së, ajo theksoi se aplikimi i metodave të avancuara hetimore, lufta e sofistikuar kundër krimit të organizuar, si dhe rritja e integritetit personal dhe profesional të oficerëve janë kushte të panegociueshme për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Sipas saj, ndonëse progresi i arritur është i dukshëm dhe i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, mbetet ende hapësirë për përmirësim, veçanërisht në drejtim të transparencës dhe forcimit të mekanizmave të llogaridhënies.
Në këtë kontekst, marrëveshja e bashkëpunimit u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një arkitekture të re institucionale, ku parandalimi, trajnimi dhe mbikëqyrja funksionojnë si një zinxhir i vetëm dhe i koordinuar.
Ministrja përgëzoi klasën e re të punonjësve të AMP-së për përfundimin me sukses të trajnimit, duke theksuar se njohuritë e përfituara duhet të përkthehen në veprim konkret, përgjegjësi të përditshme dhe politika më efikase në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.
Në përfundim, ajo falënderoi përfaqësuesit e lartë amerikanë të zbatimit të ligjit, për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe mbetet një nga garancitë më të forta për suksesin e reformave dhe forcimin e institucioneve në Shqipëri.











