Aktivistja politike Evi Kokalari ka qënë e ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Breaking’ në Top News, ku ka zbuluar se Lëvizja Konservatore mund të kthehet në parti politike.
Kokalari e ka quajtur një domosdoshmëri që lëvizja të kthehet në parti konservatore, pasi kanë filluar të dalin elementë që përfitojnë nga situata politike në vend, që sipas saj do dëmtojnë ndryshimet reale që i duhen vendit.
Kokalari e pyetur në studio nëse mund të ketë një koalicion me Bashën nuk e mohoi, por shtoi se për këtë gjë Basha duhet të jetë shumë larg Edi Ramës, pasi qëllimi i saj i vetëm është rrëzimi i tij në 2025-n.
Ideja ime është një shkatërrim total i sistemit, këtu po fus edhe mediat. Pushteti i ka detyruar bizneset dhe mediat të shkojnë në njëfarë rruge. Unë kam idenë që ne duke qënë të kujdesshëm, shkatërrojmë sistemin, tërheqim median nga rruga që ka qënë deri tani, ta çojmë në një rrugë më të drejtë, sepse media ka shumë rëndësi në jetën demokratike të një vendi.” – shprehet Kokalari.
Përsa i përket Adriatik Lapajt, kryetarit të lëvizjes së re politike ‘Shqipëria bëhet’, Kokalari ka mbajtur të njëjtin qëndrim si edhe më parë për të, duke e akuzuar si mashtrues dhe avokat të Shoqërisë së hapur të George Sorosit.
Kokalari shton se amerikanët nuk do heqin kurrë Ramën për Adriatik Lapajn.
“I kërkova takim Adriatikut që të flisja me të, të kuptoja ku ishte dhe nga shkonte, sepse këtë bëjnë aktivistët, të prekin popullin, ky është profesioni i tyre, sesa e besojnë atë është tjetër gjë. Meqë njerzit më thoshin Evi e ke gabim, është mashtrues. Ju thoja njerëzve më duhen fakte, nuk mund t’ju thoja njerëzve që ky është i George Soros, kur mund të mos ishte. Filluan të vinin faktet. Ky ka pasur rezyme në internet, e ka quajtur veten avokat të shoqërisë së hapur të George Soros dhe tani e ka fshirë.
Ky me këmbët e veta ka shkuar tek Soros se s’ka pasur lek për të mbuluar aktivizmin e vet, ka mbuluar disa çështje se e quan veten avokat. Ky nivel i Adriatik Lapaj është shumë i dëmshëm, po merr një lloj vote dhe këtë votë nëse Irfani do rrijë pas Lapajt, votën e tij ai do ta marrë t’ja çojë Edi Ramës që të rregullojë problemet e veta me Ramën.
Edi Rama nuk do e lejojë Adriatik Lapajn të fitojë, hiqeni nga mendja. Dhe amerikanët kurrë nuk do heqin Edi Ramën për Lapajn apo ndonjë tjetër. Problemi është që këtu ka një agjent të caktuar dhe unë siç kam ekspozuar korrupsionin brenda Foltores që iu dhashë me gjithë shpirt, do bëj të njëjtën gjë. Kushdo që është rrugës do kërcënohet.” – u shpreh Kokalari.
Më tej e pyetur për ish-kryeministrin Berisha, aktivistja Evi Kokalari u shpreh se ai i ka bërë një dëm të madh Foltores kur bëri koalicion me Metën, teksa shprehu se ajo ishte kundër për këtë gjë që në fillim. Kokalari haptazi i bën thirrje Berishës të shkojë në shtëpi dhe t’ja lerë të tjerëve ta zgjidhin këtë situatë të rënduar politike.
“Doktor Berisha të shkojë në shtëpi, nuk do bënte keq në këtë moment. Ka bërë një dëm shumë të madh me koalicionin me Ilir Metën. Ja kam thënë që në 2021 që nuk më duket gjë me mënd të bëjmë një koalicion me Metën. Por nuk dija shumë gjëra që i mësova rrugës. Kur këta i zgjeruan dhe thelluan marrëdhëniet, kur Foltorja po i afrohej Metës, kuptohet që humba çdo durim. Gjëja e parë që Berisha duhet të bëjë është të largojë Foltoren nga Ilir Meta dhe të shkojë në shtëpi, e të na i lerë neve ta zgjidhim, sepse as Berisha s’ka për ta zgjidhur, Meta jo e jo. Ilir Meta s’duhet të jetë më në politikë. I ka kryer të gjitha funksionet” – u shpreh Kokalari./m.j