Gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë”, në News24, Presidenti Ilir Meta u pyet edhe për mundësinë e një koalicioni të madh PD-PS në zgjedhjet e 25 prillit.
Në përgjigjen e tij, Presidenti theksoi se nuk ndërhyn në raportet e forcave politike, por problem për të është e ardhmja e vendit, e cila, siç thekson ai, është vënë në pikëpyetje.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Shumë kemi dëgjuar të lakohet ndoshta apo për mundësinë e një koalicioni të madh PS-PD, ju do ta përkrahni? Sa është mundësia e një koalicioni të tillë zoti Meta?
Presidenti Meta: Më duket se u shpreha shumë qartë. Unë, nuk ndërhyj në raportet e forcave politike. Për mua si President, është problem tepër serioz e ardhmja e vendit, që është vënë në pikëpyetje. Kjo pikëpyetje e merr zgjidhjen përmes referendumit të 25 prillit, përmes garantimit të një ndryshimi të fortë, të rikthimit të vendit në shinat e Kushtetutës, të shtetit ligjor, të demokracisë dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, që janë rrëzuar totalisht vitet e fundit, për shkak të një sundimi njëpartiak.
Pyetje: Gjithsesi kjo duket se nuk është aspak e lehtë, sepse për ta arritur në kushtet që jemi edhe me eksperiencën e asaj çfarë po shohim…me politikanët që kemi, partitë që garojnë Zoti Meta..?
Presidenti Meta: Prandaj janë qytetarët, ata të cilët duhet t’i japin prioritet vetes së tyre, dhe nuk duhet të presin nga politikanët. E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër. E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij. Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata.
Presidenti Meta: Nuk më duket një pyetje e përshtatshme për mua, se çfarë do të bëjë një parti e opozitës. Në rast se një parti e opozitës do të çedojë nga çfarë?
Pyetje: Do të marrë një anë tjetër, gjithmonë për koalicionet flas.
Presidenti Meta: Në çfarë ane, në anën e ndryshimit apo në anën e greminës?
Pyetje: Kjo mbetet për t’u parë pastaj. Por, gjithmonë tek bashkimi i opozitës është fjala. Sa e bashkuar është opozita dhe sa mund të çedojë një parti opozitare pas zgjedhjeve të 25 Prillit?
Presidenti Meta: Unë nuk ndërhyj dot në këtë çështje. Unë, besoj se e ardhmja i takon atyre që janë për ndryshim. Ata, që duan të shkojnë në anën e greminës, mund të shkojnë. Por, nuk e shpëtojnë dot autobusin që është nisur për në fund të greminës.
Pyetje: Zoti Meta, Ju, keni deklaruar shpesh herë sidomos gjate muajt të hetimit parlamentar ndaj jush, se do të jeni President i Republikës së Shqipërisë deri më 24 korrik 2022. Po pas kësaj ku e shihni veten zoti President?
Presidenti Meta: Unë, veten e shikoj gjithmonë në Shqipëri. Në mes të shqiptarëve dhe në shërbim të tyre.
Pyetje: A keni vullnet për ta vijuar punën përsëri si Kryetar Shteti?
Presidenti Meta: Unë, punoj çdo ditë me vullnet maksimal në shërbim të qytetarëve.
Pyetje: Për të qenë përsëri si kryetar shtetit?
Presidenti Meta: Për të qenë një shqiptar i mirë në radhë të parë, dhe i përgjegjshëm.
(BalkanWeb)