Roman
Autori duke u orientuar shumë mirë në kohë dhe në hapësirë nuk ka dashur t’i japë gjeografi të madhe mjedisit të romanit, por ka zgjedhur një vend gati humbëtire, krijesë të socializmit dhe zhvillimin e ka ngritur mbi mbijetesën e saj, përmes paradokseve në kohët tona…
Titulli: Klubi Karavasta
Autor: Maks Velo
Gjinia: Roman
Botues UET
Çmimi: 800 Lek
Faqe: 192
Nga Ben Andoni
Mund të ketë shumë pritje nga një roman dhe nga një autor por botimi i “Klubit Karavasta” nuk synon asfare të sfidojë kërrkënd. Botimi i UET-së risjell romanin e Maks Velos, por të plotësuar dyfish nga autori, duke bërë një paraqitje reale të perceptimit të tij për të kaluarën komuniste, përmes personazheve dhe pak të tjerëve ardhur në pjesën e dytë, që përfaqësojnë përballjen e shqiptarit me lirinë dhe kujtesën.
“Hapësira është madhështia e madhësisë. Çdo hapësirë ka dinjitetin e saj. Kjo këtu është dinjiteti i tokës së kripur”, na flet për vendin e vet që ka zgjedhur për referim letrar.
Autori duke u orientuar shumë mirë në kohë dhe në hapësirë nuk ka dashur t’i japë gjeografi të madhe mjedisit të romanit, por ka zgjedhur një vend gati humbëtire, krijesë të socializmit dhe zhvillimin e ka ngritur mbi mbijetesën e saj, përmes paradokseve në kohët tona.
“Njeriu ka frikë nga hapësira prandaj është grumbulluar nëpër qytete…në burg ajo që më mundonte gjatë tetëmbëdhjetë viteve ishte mungesa e hapësirës dhe e lëvizjes. Tani këto i kam”, shkruan diku.
Është shumë e bukur simbolika e vetë vendit, që autori, në një zgjidhje të tijën, mund ta linte thjesht pa e personifikuar rendin socialist me emër, por zgjidhja e tij ka qenë që ta drejtonte argumentin e tij letrar në një kohë dhe hapësirë të caktuar, që gjithsesi mbetet pak fikshën.
Në personazhin e Andreas është vetë Maksi, por edhe te Dhimo duket sërish Maksi. Ai është kudo në ditarin e Andreas dhe në tregimëzat, ku janë historitë e burgut. Kompozicioni është jo i zakonshëm, por as i lexueshëm qartë. Është pak amalgam dhe rendin e ka vendosur autori, duke përzier në fund ditarin, për të bërë retrospektivën; të shkuarën, përmes kujtimit; tregimet, që përshfaqin personazhet dhe essenë, që ai e ndërton në mes të pasazheve të librit. Nuk harxhon energji të tepërta për ta vendosur në kanone të qarta, sepse kjo me sa duket nuk i nevojitet. Kjo formë krijimi që ka zgjedhur i mjafton të shpalosë, të gjithë atë që e mban dhe që e ka thënë shpesh në mediume, por edhe në art. “Energjinë e konsumojmë me urrejtjen, si në nëntëdhjeteshtatën. Mos e harro. Ajo që u bë atëherë ish e pashpjegueshme, shpjegohet vetëm me urrejtjen për diversitetin. Diversiteti i bën mirë një kombi kur futet brenda një uniteti, diversiteti ynë kërkon shkëputjen”.
Nëse gjeografia e zhvillimit është disi e vogël, nuk është kurrsesi ajo e vetë personazheve, që përcjellin origjina dhe backgrounde të ndryshme. Në përpjekjen e tij letrare, autori i ka marrë dhe ka ndjekur zhvillimin e tyre në kohën tonë. Nëse katrahura e komunizmit është e lexueshme, kjo e post demokracisë është tejet e larme. Maks Velo për t’iu ruajtur sikletit të patetizmit ka përshfaqur natyrshëm shumë humor. Po humor. Po ta lexosh me kujdes Karavastanë e tij, ke shumë humor. Ai është i personazhit, por ai është edhe shqiptarit si qenie specifike. Duket se humori i brendshëm e shpëton autorin nga ngarkesa që përcjellin kujtimet dhe që ai e ndan me personazhet e tij.
Megjithatë, problemi më i madh mbetet e shkuara. Ajo i ndjek si demon personazhet tona, por ajo u jep edhe krahë lloj-lloj qenieve që të mos përfillin atë dhe të përfitojnë. Autori ka vendosur që rrëfimtarin ta zgjidhë në vetën e tretë, kurse zhvillimin e dinamikës së romanit e bën në disa linja, që të duket disi me një zhvillim skenari modern. Ka një ide të mirëvendosur te autori, që ia jep dhe lidhja me disa gjini arti dhe dituria mbi kanonet dhe sensin e artit, që ai e përdor me shumë këndshmëri. Njësia e tij gjeografike, që mban lidhjet e fabulës, tregon shikimin e Velos për metamorfozën e zhvillimit kombëtar.
Shtjellimet e personazheve mbeten shumë interesante, por më shumë se kaq ato që lidhen me dinamikat personale të tyre. Në një menaxhim të tyre, Maks Velo luan shumë me paradoksin. “Dola në mal aty nga fundi i shtatorit të 44-ës… Kështu gjithsej ndenja tre muaj, kurse milic bëra dy vjet, që kur hyri Italia…përderisa ata thanë kush ka qenë në ushtrinë italiane të kërkojë pension përse t’i lija. Vërtet marr pensionin e veteranit, po përse të lija atë të milicit…”. Ngjarje reale i vendos në fikshënin e tij fare natyrshëm, si ajo e njeriut që ka pasur profesor Enver Hoxhën. Në libër, Maksi përdor disi edhe sensin e një traktati, ku shpalos mendimet që ka pasur dhe nxjerrë, madje edhe shpesh publikisht pa as më të voglën mëdyshje. “Politikanët tanë janë të vonuar në çdo gjë, po të shohësh proceset historike, ne kemi qenë më të vonuarit në Ballkan. Po ka rajone të tëra më të vonuar se ne…ata janë të vonuar me shekuj…ata janë fatkeqët e kohëve moderne. Gjithmonë ka pasur të tillë, po nuk njiheshin, nuk identifikoheshin dot, tani i njohim…Ajo që kam vënë re, është se mbas çdo periudhe, klasa jonë politike, del e pasuruar, kështu është vënë pronësia te ne. Prandaj te ne zëvendësimet e periudhave janë kaq të dhunshme, se zëvendësohet pasuria”.
Libri lexohet si roman, lexohet si esse, lexohet edhe për tregimet e paqta. Një libër i këndshëm, për të cilin duhet vlerësuar edhe ndihma e grupit UET, që nuk ka mëdyshuar për këtë krijesë të re të autorit.