Qendra Tregtare “Ring Center”, te Zogu i Zi në Tiranë, rezulton në shkelje të lejes së ndërtimit si dhe të planit urbanistik të kryeqytetit.
Por të dyja shkeljet janë mbuluar përmes legalizimit të objektit në korrikun e vitit 2013, vetëm dy muaj para ndërrimit të qeverive.
Konstatimi vjen përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar punën e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Tiranës për periudhën 2012-2015, raporton Shqiptarja.com.
Sipas KLSH, hipotekimi i objektit nga ZRPP Tiranë, është në kundërshtim me ligjin për legalizimet.
“Dhënia e lejes së legalizimit nr. 103911, datë 06.08.2013, për 12 kate banimi dhe 4 kate aktivitet për objektin Qëndra Tregtare Ring Center pasuria nr. 3/22, v.13, fq.51, zk.8210, vjen në kundërshtim me kondicionet e lejes së ndërtimit Nr. 91, datë 07.06.2008 si dhe ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” Neni 2-Fusha e Zbatimit, pika 4 dhe me planin urbanistik të qytetit të Tiranës i miratuar me Vendimin nr 1, datë 15.02.2013 të KKT-së.”, thekson në raportin përfundimtar të auditivit Kontrolli i Lartë i Shtetit.