Referendum i së shtunës për mandatin e kryetarit do të jetë një referendum edhe për mënyrën e qeverisjes së Partisë Socialiste. Kështu ka deklaruar Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, i cili ishte i ftuar në emisionin “45 minuta” nga Denis Minga në Report Tv. Ai u shpreh i bindur se pjesëmarrja do të jetë shumë e lartë.
“Ky referendum është një vlerësim për mënyrën sesi ne po qeverisim, sesa qeverisja e Edi Ramës po realizon premtimet tona në këto 2 vite e gjysmë. Ata që votojnë nesër janë anëtarë të PS, për të dëshmuar mbështetje për qëndrimet e PS dhe lidershipin e PS. Kjo është një arsye më shumë për të dalë nesër masivisht në votime. Ky është një ushtrim organizativ i partisë, që do të thotë se ne kemi një numër të regjistrit të anëtarësisë aktive, kemi pastruar listat dhe kjo anëtarësi është aktive sot. Referendumi ka shumë arsye që do t’i nxjerrë nesër në votim. Nëse nuk ka pjesëmarrje 50%, unë nuk do të jem më në politikë“, u shpreh Klosi.
I pyetur për akuzat e Blushit për manipulim të referendumit, Klosi tha se ky proces do të jetë tërësisht transparent.
“Për opinionin publik, procesi i votimit do të jetë i gjithi transparent. Kjo është edhe një ftesë, në çdo qendër votimi vendosni një kamera dhe ndiqni procesin. Në 11 minibashkitë e Tiranës, do të ketë 11 qendra votimi. Nesër është një proces që jo vetëm do të votohet, por edhe do të numërohet live“, tha Klosi.
Ai foli edhe për aleancën me LSI. Deklaroi se koalicioni ka bërë një punë të shkëlqyer por shtoi se ende nuk është vendosur nëse dy aleatët do të shkojnë së bashku në zgjedhje
Është caktuar data për mbledhjen e Asamblesë?
Ende nuk është caktuar si datë. Por do të mblidhet shumë shpejt për të zgjedhur kryesinë, sekretariatin e partisë. Do të jetë vota e anëtarëve të Asamblesë që do të zgjedhë këtë pozicione.
Po për Sekretarin e Përgjithshëm?
Me statutin e ri, posti i kryetarit të Asamblesë do të ketë edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS. Gjithashtu, kemi edhe disa ndryshme të tjera me statut. Si forcë politike nuk jemi vetëm një parti elektorale, por jemi edhe një parti e cila ka një strukturë të përgjithshme. Dhe opinioni i saj, njerëzve të saj, duhet të mblidhet në një strukturë të vetme. Ndaj, Sekretari i Përgjithshëm, sekretari do të jetë i papërputhshëm me funksione administrative.
Z.Veliaj mund të jetë Sekretar i Përgjithshëm?
Sekretari i Përgjithshëm i PS, nuk mund të jetë një funksionar i lartë administrativ. As ministër e as titullar i lartë administrativ. Këtë e thotë statuti. S’ka emra të përveçëm, por funksione politike.
A do të jetë kjo një garë mes Kokëdhimës dhe Ruçit?
Ju doni të merreni me emra të përveçëm, por duke qenë anëtar i vjetër i forumeve të kësaj partie, dua të mbroj partinë time. S’kam marrë pjesë dhe as kam qenë ndonjëherë palë me një grup kundër një grupi tjetër. Për momentin s’ka asnjë garë të brendshme brenda partisë për këto pozicione. Në ditët në vazhdim do të njiheni për datën e mbledhjes së Asamblesë kombëtare. Situata brenda PS është shumë harmonike.
Dhe kaq harmonike nuk është, se p.sh, referendumi po sulmohet nga një pjesë e PS. Z.Blushi thotë se e keni manipuluar pa filluar…
Edhe ky grup kolegësh, nuk e kundërshton idenë e referendumit. S’ka asnjë politikan me zhdërvjedhtësi që ta kundërshtojë. Referendumi është një risi e propozuar nga z.Rama. Ai ka disa risi e të mira, nuk është thjesht si do t’i përgjigjen pyetjes. Ky është një rezultat i cili kemi bindjen që do të ketë një mbështetje masive. Një nga risitë e statutit është forca e madhe që i jepet anëtarit të thjeshtë. Do të pyeten edhe për mënyrën e funksionimit të strukturave, do të pyeten çfarë mendimi kanë për deputetin, si po ecën reforma në territorin e vendit. Ne po tentojnë të shkojmë 150 mijë vetë anëtarë të PS. Nuk shkojmë me 150 mijë anëtarë në 12 qershor, për të patur një listë anëtarësie, por për të patur një parti që të ketë të dhëna për çdo person, për të patur fushën e interesit që ai mbulon, profilin, emailin, nr e telefonit të tij. Pra, e gjithë anëtarësia e PS të jetë online dhe në pyetshmëri të vazhdueshme. Kjo do të jetë pyetja e parë, në vijim të disa pyetjeve për marrje mendimesh deri në ditën e zgjedhjeve.
Do të ketë referendume të tjera?
Po, pyetje, sondazhe, për punët e partisë, për gjërat që bëjmë. Do të bëjmë çmos që anëtarësia të jetë pjesë e vendimmarrjes. Kjo do të na bëjë që të kemi një opinion të madh, të gjerë të anëtarësisë. Nesër është referendumi i parë i një seri pyetjesh për anëtarësinë. Politika nuk mund të bëhet vetëm nëpërmjet Tv. Por, kur kemi një politikë që shtrihet në mënyrë kapilare te anëtarësie, do të kemi transparencë në vendimmarrje. Ndaj, s’besoj se ka një politika të majtë apo të djathtë që është kundër marrjes së mendimit të anëtarësisë. Është e vështirë që në Zvicër të marrësh një vendim pa referendum. Përsa i përket rezultatit, PS është një parti, e vetmja forcë në vend, që ka një anëtarësi të regjistruar. S’e ka të sotëm, s’e ka për këtë referendum, por për aq kohë sa kjo parti funksionon. Pse marrim ne më shumë vota nga të tjerët? Jo vetëm nga politika, por edhe nga mënyra e organizimit. 150 mijëshi është numër që tentojmë të arrijmë në 12 qershor. Sot jemi mbi 90 mijë anëtarë socialistë. Por, çdo proces zgjedhor do të bëhet brenda një viti kalendarik, do të marrin pjesë të anëtarësuarit deri në 31 dhjetor të vitit 2015, sipas vendimit të Asamblesë së PS. Kemi patur 81 mijë anëtarë në 31 dhjetor, dhe sot jemi shtuar me 15-16 mijë anëtarë. Kjo është rrjedhojë e fushatës së zhvilluar në të gjithë vendin gjatë kësaj kohe.
Futet në kaos PS nëse nuk kalon 50%?
Sipas ligjit, duhet të shprehet mbi 50% e listës së anëtarësisë. Nëse nuk prisni se do të marrin 41 mijë anëtarë, atëherë unë nuk jam më në politikë.
Për Edi Ramën do të shkojnë kaq shumë? Pse duhet të shkojnë?
Sigurisht. Po pse, për kë? Nëpërmjet referendumit kuptohet mbështetja që i jep anëtarësia forumit më të lartë, që është Kongresi. Ky referendum është një vlerësim për mënyrën sesi ne po qeverisim, sesa qeverisja e Edi Ramës po realizon premtimet tona në këto 2 vite e gjysmë. Ata që votojnë nesër janë anëtarë të PS, për të dëshmuar mbështetje për qëndrimet e PS dhe lidershipin e PS. Kjo është një arsye më shumë për të dalë nesër masivisht në votime. Ky është një ushtrim organizativ i partisë, që do të thotë se ne kemi një numër të regjistrit të anëtarësisë aktive, kemi pastruar listat dhe kjo anëtarësi është aktive sot. Referendumi ka shumë arsye që do t’i nxjerrë nesër në votim.
Akuzat e z.Blushi, flet për manipulime, kuti të mbushura dhe për numrin 81 mijë apo 94 mijë…Thotë se është ulur numri për të rritur këtë 50%-ësh…
Nuk janë akuza, por hipoteza se sipas tij pritet që nesër të manipulohet. Gjëja s’ka ndodhur. Dhe se çfarë them unë apo kolegët e mi, ka rëndësi për një grup të vogël. Për opinionin publik, procesi i votimit do të jetë i gjithi transparent. Kjo është edhe një ftesë, në çdo qendër votimi vendosni një kamera dhe ndiqni procesin. Në 11 minibashkitë e Tiranës, do të ketë 11 qendra votimi. Nesër është një proces që jo vetëm do të votohet, por edhe do të numërohet live. Nëse nuk ka pjesëmarrje 50%, unë nuk do të jem më në politikë. Në Tiranë dhe Durrës do të ketë një super pjesëmarrje.
Jeni nga të paktët socialistë që i përkasin PS-së së parë dhe PS-së së dytë…politikan i vjetër në PS. Z.Blushi thotë se ka PS dhe Rilindje. Është e njëjta gjë, apo dy gjëra të ndryshme?
Kam 20 vite si anëtar dhe 17 vite si anëtar i forumeve të larta në PS. Nuk jam në këtë emision që t’i përgjigjem një kolegu socialist. Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve që kanë lidhje me PS. Ndaj, i bëj thirrje socialistëve të thjeshtë që marrin nesër në votim, për të treguar mbështetjen për vendimmarrjen e PS dhe punën e qeverisë. PS ka rritur që gjeneratat të përcjellin njëra-tjetrën me disa vlera e parime. Ky grupim shoqëror dhe këta njerëz që e bëjnë PS-në, nga senatorët, gjenerata a parë e PS, mund të ketë një gjeneratë të dytë, dhe mund të themi se ka një gjeneratë të tretë e të katërt. Në vendimmarrjen e PS, ka përfaqësues nga të gjitha gjeneratat dhe prandaj jemi të fortë.
PS është më demokratike në drejtimin e z.Rama, apo më pak, në krahasim me para 2005?
PS nuk është as e Fatos Nanos e as e Edi Ramës. PS nuk është parti e individit, por e parimeve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS. Nuk gjej në eksperiencën time që të ndryshojë mënyra e vendimmarrjes dhe mënyrë si pyesim njëri-tjetrin. Referendumi është një mënyrë shumë e mirë për të marrë mendimin e anëtarësisë. Një njeri që është kundër kësaj, atëherë shkon dhe voton kundër nesër. Në 2005-ën PS ka patur metoda dhe funksion tjeër, sot ka metoda dhe funksion tjetër.
Në Kongres nuk u votua në tërësi statuti…
Nuk u hodh në parim votimi. Ka qenë në tërësi dhe të gjithë ngritën dorën për ta votuar si të tërë. Sa i takon disa zbardhjeve për procedurat, u la të rishikoheshin. Janë mbi 1000 delegatë që kanë ngritur dorën, ndërsa vetëm 5 kanë votuar kundër.
Kur kryetari jep dorëheqjen, që nga 97-a e deri tani PS s’ka dalë e dytë, ju e keni vënë në statut që kryetari jep dorëheqjen kur del parti e dytë…
Vetëm në PS kryetari ka dhënë dorëheqjen, me Fatos Nanon.
Në 2009-ën, ishit partie parë, por humbët zgjedhjet…
Thamë të hapen kutitë. Edi Rama tha se nëse nuk kam fituar, jap dorëheqjen. Sali Berisha s’i hapi.
Kur është humbëse?
E kemi shprehur qartë në statut.
Ju s’i fitoni zgjedhjet pa aleatët…
Del parti e parë, është fituese. Nëse shkon me aleatë, bën 71 vota, është parti fituese.
Si janë marrëdhëniet me LSI. Me kë do të shkoni në zgjedhjet e 2017?
Jemi në një qeverisje shumë të mirë, me rezultate spektakolare, të paarritura më parë, me reforma të thella ku s’kemi parë asnjëherë përplasje mes forcave brenda koalicionit. Përpiqemi të ruajmë atë që kemi thënë kur kemi bërë marrëveshjen. Forcat politike janë aty në bazë të dy programeve të majta, të bashkuara në një në programin qeverisës. kur t shkojmë në zgjedhje, s’do shkojmë të themi si kaluam me aleatët, por do të kërkojmë mandat për reformat që kemi bërë. Nëse këto reforma që ka iniciuar Edi Rama, janë reforma që janë sjellë të mira për qytetarët, do të rimarrim votat. Do të raportojmë për punët që kemi bërë sëbashku me aleatët qeverisës. Sesi do të jetë formula, nuk është momenti. Këtë pyetje po t’ia bëni Edi Ramës dhe Ilir Metës, do të të japin të njëjtën përgjigje.
Dje në parlament, vetëm një gjë s’po e bën ky parlament, reforma në drejtësi. PD ka numrat dhe çdo opozitë, luan pjesën e vet dhe mesa duket nuk do t’ua japë votat…Ju si do të veproni, do ta shtyni deri në zgjedhjet e ardhshme? Apo keni ndonjë opsion…?
PD e bllokon këtë për arsye elektorale.
Ju për Qarkun e Fierit mbajtët peng 3 ligje…
Jo, është gjë tjetër. Unë s’e besoj se reforma nuk do të votohet. Është një opinion publik që pret reformën, janë ndërkombëtar. Nuk janë forcat politike që marrin benefice nga reforma. Është opinioni publik që pret një sistem gjyqësor të drejtë, që të mbrojë interesat legjitime, nuk është një reformë e cila i shkon një force apo një force tjetër politike. Synimi është që të ketë një sistem juridik të pavarur. Ndaj them se PD, që përpiqet të bëjë kalkulimet e saj, fiton shumë më tepër duke dhënë konsensusin.
Nëse nuk i jepen, çfarë ndodh?
Ata do ta votojnë dhe duhet a votojnë se mbështetet nga 85% e qytetarëve. Nuk besoj se në 100 shqiptarë të pyetur që të thotë se s’duhet reformuar. Duke mosbërë reformën, humbet vota. Për të mos thënë arsye të tjera pse duhet votuar.
S’do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Pse duhet të ketë zgjedhje? Mazhoranca e propozoi, e negocioi të gjithë thonë votojeni, ata s’e votojnë. Po gjykoj për rëndësinë e reformës në drejtësi.