Vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, John Kerry në Shqipëri u përcoll me një debat të madh për shkak të asaj çka Amerika i kishte kërkuar Shqipërisë, strehimin e 2 mijë muxhahedinë iraniane. Ky lajm shkaktoi mjaft zhurmë në media tona dhe frikë në opinionin publik, se mos po strehohen në Shqipëri terroristë. Por, ish-shefi SHISH-it, z. Fatos Klosi në një interviste për “tesheshi.com” shprehet krejt ndryshe. Ai thekson me forcë se iranianët që vijnë në Shqipëri nuk janë terroristë, por njerëz që kanë nevojë për mbrojtje. Sipas tij, Shqipëria ka bërë gjënë më të mirë që e ka ofruar këtë ndihmë ndaj SHBA. Z. Klosi shpotit mediat për zhurmën që kanë bërë në lidhje me këtë lajm, por dhe qeverinë që nuk e ka sqaruar siç duhet këtë çështje.
Klosi, vendimi i Tiranës zyrtare për të strehuar një numër muxhahidinësh, disidentë të regjimit të Teheranit e kanë vënë Shqipërinë në një përplasje të hapur me Iranin. Si e shikoni ju këtë situatë?
Unë e shikoj si një ndihmë që i jepet aleatit tonë të madh, Shteteve të Bashkuara për sistemimin e disa njerëzve, që ata i konsiderojnë si aleatë të tyre. Dihet që prej shumë kohësh, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në një konflikt me Iranin. Siç dihet, ata njerëz që janë kundër regjimit në Iran mund t’i quash në një farë mënyrë aleatë me Shtetet e Bashkuara. Ata kanë qenë të sistemuar në Irak, dhe përsa kohë që Iraku është në këtë situatë lufte shumë të trazuar, një luftë pa fronte, që tani është këtu e nesër shkon atje, duket se Shtetet e Bashkuara po interesohen që t’i sistemojnë pak më mirë dhe për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e Shqipërisë. Unë një gjë nuk kuptoj, pse bëhet kaq shumë zhurmë?!
U bë një zhurmë e tillë e madhe edhe për armët kimike. Po pse? Shqipëria bën pjesën e saj ashtu si vendet e tjera aleate. Shqipëria duhet ta ketë për nder, nuk është ndonjë gjë delikate. Një pjesë e këtyre njerëzve kanë 2 -3 vjet në Shqipëri dhe po të pyesëshse si jetojnë, çfarë bëjnë, a janë të rrezikshëm, a kanë krijuar ndonjë problem, absolutisht, asnjëri nuk e di që janë këtu e jo më për detaje të tilla. Duke u nisur nga kjo eksperiencë, pse duhet të sillemi kështu duke i ofenduar ata njerëz. Ata janë, le të themi, opozita e sotme e regjimit iranian. Është një regjim që nuk pëlqehet nga perëndimi. Një regjim ekstremist fetar, shumë autokratik, mezi u vendosën marrëdhënie normale dhe as që janë vendosur tamam. Unë nuk e shoh pse duhet të acarohen.
Unë kam përshtypjen se është shtypi ai që nuk di se çfarë bën. Kam përshtypjen se shtypi këtu tek ne ka nevojë për scoop-e, ka shumë gazeta me shumë pak lajme siç është Shqipëria, kështu që këtu sajohen lajme. Edhe ky rast më duket se është një gjë e tillë. Ka pra në Shqipëri të tillë prej 2-3 vjetësh. Pyesni ata që janë afër tyre. Ministria e Brendshme e administron kampin dhe thonë se janë njerëz shumë të rregullt. Njerëz që kanë ardhur këtu për t’u mbrojtur, janë të qetë, të organizuar shumë mirë, shumë të disiplinuar, nuk kanë asnjë lidhje me terrorizmin. Ata janë opozita iraniane, nuk janë terroristë. Këto cilësime muxhahidine e ku ta di unë çfarë emrash, ne nuk i dimë as mirë, por vetëm i themi.
A duhet të jepet një informacion më i qartë nga qeveria për ta shpërndarë këtë tymnajë për këta njerëz?
Qeveria edhe mund ta bëjë këtë punë. Por askush se di sesi janë gjërat. Ndoshta nuk duhet të bjerë në sy që ata janë këtu. Shtypi pse duhet ta ngacmojë këtë çështje?! Shtypi duhet të interesohet se cila është eksperienca e atyre që kanë ardhur 2 apo 3 vjet më parë? Është një eksperiencë negative? Na kanë krijuar ndonjë problem deri tani? Ne i kemi këtu prej gati tre vjetësh dhe nuk e dimë që janë këtu! Kjo është një shenjë e mirë, që ata kanë ardhur, janë ndihmuar, janë strehuar. Ata e ndiejnë veten mirë. Natyrisht nuk kanë synim të rrinë në Shqipëri. Kështu që para se të ankohemi për këtë fluks të ri të këtyre njerëzve, të shohim se çfarë kanë bërë të parët. Unë kam folur me njerëz që janë përgjegjës në këtë punë në Ministrinë e Brendshme dhe më kanë folur fjalët më të mira për ta, si njerëz shumë të qetë, njerëz të organizuar, të disiplinuar që nuk krijojnë asnjë lloj problemi.
Ju e shihni si vendim të drejtë këtë të qeverisë?
E quaj si vendim të drejtë, meqenëse ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe natyrisht që kemi detyrimet tona. Ne sigurisht që jemi vendi më i varfër i NATO-s, nuk i kemi plotësuar ato detyrime që kërkon NATO, si p.sh buxheti dhe janë këto disa gjëra të vogla që mund të dëshmojnë se edhe ne mund të bëjmë diçka. Nuk jemi vend që vetëm shtrijmë dorën apo vetëm përfitojmë, por kur na jepet rasti edhe ne kontribuojmë për të zgjidhur problemet e të mëdhenjve. Çfarë të keqeje ka këtu?! Nuk e di pse e bën shtypi gjithë këtë zhurmë. I kthehem edhe njëherë asaj që thashë më lart: pyesni si janë sjellë këta që janë këtu, a kanë pasur ndonjë problem.
Nëse po, atëherë i thuhet qeverisë: “ti po premton që të marrësh të tillë, por zgjidhi ca probleme që këta kanë krijuar këtu. Këta nuk kanë shkaktuar asgjë këtu tek ne”! Nuk janë terroristë. Janë opozita iraniane, e cila ka qenë e sistemuar në Jordani dhe Irak, për shkak të situatës atje, po punohet t’i sistemojnë më mirë, t’i largojnë nga lufta, sepse natyrisht lufta nuk ju bën mirë këtyre njerëzve se edhe mund të implikohen.Në atë rajon kanë probleme. Arabia Saudite me Iranin po përplasen me Jemenin kështu që këta mund të implikoheshin, ndaj janë larguar që të mos inplikohen.
Mos është gabimi ynë që i quajmë të gjithë banorët e Lindjes së Mesme terroristë?
Ne nuk dimë asgjë. Ne vetëm flasim kot se nuk dimë asgjë. Ne e duam Amerikën për çdo gjë. Ne, një fjalë të ambasadorit e komentojmë një faqe gazete. Po kur ai ambasador na kërkon diçka, përnjëhershëm ngrihemi dhe bëjmë gjithë këtë zhurmë. Tani, shteti që ai përfaqëson kërkon diçka, dhe ne menjëherë fillojmë dhe e komentojmë. Unë vura re kur ishte fjala për armët kimike. Shumë njerëz u penduan më pas për qëndrimin që mbajtën, sepse u sqarua se ishte një ngjarje e thjeshtë, kërkohej një vend të demontoheshin armët, pastaj për t’u çuar në të tjera vende.
Sërish, tek kjo që ju thoni del në pah mungesa e informacionit, populli ka nevojë të informohet…
Në rregull, le ta kërkojë media meqë qeveria s’qenka e zonja ta japë, ose s’paska njerëz të përshtatshëm. Sigurisht që qeveria duhet të japë informacion. Duhet ta bëjë këtë pasi njerëz ka plot.
Në kohën kur keni qenë drejtor i shërbimeve sekrete, a keni bashkëpunuar me agjencitë homologe të SHBA për çështje që i takonin sferës së Lindjes së Mesme? Si kanë qenë kërkesat e amerikanëve, taksative apo konsultative?
Jo, asnjëherë në mënyrë taksative. Natyrisht, ndihet në të gjitha bisedimet madhështia e këtij vendi, kur ai të ndihmon në çdo gjë. Unë kam qenë në dy raste në situata të tilla. Njëherë kur ishte fjala për ata terroristë të vërtetë, kryesisht egjiptianë dhe që pastaj u larguan nga këtu, dhe herën tjetër kur do të çarmatosej UÇK-ja, pasi ishte çliruar Kosova. Në të dy rastet ata kanë kërkuar mirëkuptim, kanë bërë bisedime të zgjatura. Në ndonjë rast kur ne s’e kuptonim mirë situatën, ose që s’e njihnim mirë, kanë përdoruar edhe autoritetin tyre, por jo që të të inponohen. Unë personalisht s’e kam ndjerë kurrë. Bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë.
Ata vinin këtu pasi ishin përgatitur shumë çfarë do të thonin dhe si do ta thonin. Jemi ne ata që nuk dimë asnjëherë asgjë. Ndonjëherë, ne në kontaktin e parë me probleme të tilla shtangeshim, mendonim dhe nuk ishim ndoshta kaq entuziastë. Nuk e bën ai vend këtë që të shpëtojë për vete dhe të ta hedhë ty një siklet. Shqipëria është aq e vogël sa nuk e shpëton për asgjë atë vend. Këto janë gjëra që unë i quaj pozitive, për të na dhënë neve rastin të tregohemi aleatë. Në asnjë gjë tjetër nuk tregohemi dot aleatë. Janë ca raste të vogla, që na jepen edhe neve, që të tregojmë se edhe ne, megjithëse vend i vogël përpiqemi të bëjmë diçka.
Duket se një rritje të aktivitetit të Rusisë në Ballkan që nga koha e “armëve kimike”. Sa e rrezikuar është Shqipëria?
Nuk shoh asgjë për të rrezikuar. Tashmë Shqipëria është në NATO dhe kjo nuk lë hapësirë për të rrezikuar dhe jo vetëm se ushtarakisht është e mbrojtur nga NATO. NATO nuk është vetëm një organizatë ushtarake, është dhe organizatë politike. Në NATO diskutohen plot gjëra, edhe buxhetet e vendeve, edhe situatat politike të vendeve, situatat ushtarake e kështu me radhë. Unë nuk e ndiej që jemi të rrezikuar. Unë kam frikë se duke e diskutuar në shtyp, ne krijojmë një situatë që nuk ekziston. Rusia është një vend i madh, që në këtë situatë po kalon vështirësitë e saj, por nuk ka asgjë të keqe nëse kapitali rus do të investonte në Shqipëri, qoftë edhe për turizëm. Rusët i kërkojnë detërat e ngrohta, kjo dihet. Turistët rusë ishin numri një në Turqi. Tani me Turqinë ata janë në probleme, pasi qeveria ruse ju ka kërkuar që të mos shkojnë atje për pushime dhe mund të vijnë në Shqipëri.
E nëse ne jemi të zot t’i tërheqim, pse jo. Por nuk jemi të zotë, pasi nuk e kemi turizmin në atë nivel që të mund të ftojmë të tjerë. Ne nuk duhet ta shikojmë Rusinë si një rrezik i mundshëm. Ne e kemi mbyllur atë kapitull. Ne i takojmë perëndimit, jemi në NATO, po pretendojmë të hyjmë në Bashkimin Europian, që është një dëshirë absolute e shqiptarëve dhe e të gjitha të qeverive. Kështu që ky rrezik është i pamundur. Natyrisht që rusët do të kishin qejf që në Ballkan të kishin influencë më të madhe sesa e kanë, se është superfuqi, por ajo frikë që kemi ne, për mua është e tepërt. Unë do të thosha le të përfitojmë nëse rusët ekonomikisht mund të investojnë në Ballkan.Pse duhet t’i fryjmë ne këtij zjarri të një lufte të ftohtë?!
Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta të rusëve me Iranin dhe Serbinë, a mund të ndikojë kjo dhe në riaktivizimin e strukturave të shërbimit serb në Shqipëri e Kosovë?
Nuk e besoj këtë. Serbët po kërkojnë të futen në Bashkimin Europian. Serbët janë në prapavijat e NATO-s. Midis rusëve dhe serbëve gjeografikisht është Hungaria, Çekia, Rumania, që janë pjesë e NATO-s. Rusët do përpiqen se janë vend i madh. Sot janë të dobët ekonomikisht, nesër mund të jenë më të fuqishëm. Nuk bëhet gjë fshehur, sot çdo gjë bëhet hapur. Shtypi arrin të parashikojë gjëra që s’kanë ndodhur kurrë. Ato do të bëjnë punën e tyre. Ne nuk kemi pse të trembeni. Ne po qemë të zotët le ta shfrytëzojmë. Ne e dimë kujt i takojmë dhe kush janë aleatët tanë strategjik. Rusët nuk do të jenë kurrë aleatë strategjikë me ne, por as me vendet e tjera të Ballkanit, të cilët tentojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Nuk ka vend për rusët këtu, por në një bashkëpunim ekonomik pse jo./tesheshi.com