Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi, komenton reformën në drejtësi në raport me politikën shqiptare, rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces dhe çfarë pritet të ndodhë pas zhbllokimit të ligjit të vetingut. Fatos Klosi paralajmëron se SHBA dhe BE do japin shembull me Shqipërinë për vendet e Lindjes lidhur me arrestimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar. Ish-kreu i SHISH u shpreh se zbatimin e reformës në drejtësi nuk e ndal dot askush përderisa këtë proces e ka marrë në dorë SHBA dhe BE. Gjithashtu, ai paralajmëron se Prokuroria Speciale do të hapë dosjet e mëdha të korrupsionit, duke nisur nga Gërdeci, 21 Janari, Rruga e Kombit, etj. Klosi për “Sot” tha se deri tani gjykatat janë tallur me çështjet e mëdha të korrupsionit, por tashmë ka ardhur koha që të gjithë të japin llogari. Klosi tha se politikanët që nuk justifikojnë dot pasuritë, i tremben reformës, por nuk do të munden ta ndalin dot. Edhe Gjykata Kushtetuese u mundua ta zvarrisë reformën, sërish nuk ia doli, pasi në lojë janë të përfshirë dy superfuqitë SHBA dhe BE, thotë Klosi.
-Gjykata Kushtetuese zhbllokoi ligjin e vetingut dhe gjatë ditëve në vijim pritet zbatimi i tij. Çfarë pritet të ndodhë me drejtësinë shqiptare?
Zbatimi i ligjit do të sjellë efekte në reformimin e drejtësisë shqiptare, ku të gjithë zyrtarët do kalojnë në filtrin e vetingut. Sipas ligjit, gjyqtarët duhet të japin llogari për pasuritë e pajustifikuara. Nëse nuk do të zbatohet ligji, kjo është një gjë tjetër. Pra, gjithçka do të varet nga zbatimi i ligjit. Vetingu është një ligj që do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët.
-Dihet tashmë se shumë pushtetarë, të djeshëm dhe të sotëm, i kanë të shtrira lidhjet e tyre edhe në pushtetin gjyqësor. Ju besoni se do të zbatohet vetingu?
Ligji është bërë për t’u zbatuar. E gjithë kjo luftë e fortë u bë nga frika e zbatimit të ligjit; nëse do të mendonin se ligji nuk do të zbatohej, atëherë nuk do të ishte bërë e gjithë kjo luftë e madhe. Sigurisht do të ketë njerëz që do përpiqen ta pengojnë ligjin. Aleatët tanë, SHBA dhe BE, janë shumë të vendosur që vetingu të zbatohet. Unë kam dëgjuar se aleatët tanë, të cilët janë ata që janë marrë më shumë me procesin e reformës në drejtësi, kërkojnë të japin një shembull nga Shqipëria për të gjitha vendet e Lindjes.
-Prokuroria dhe gjykatat deri më tani kanë mbyllur dosjet e rëndësishme të korrupsionit dhe krimit. A duhet të rihapen këto dosje nga Prokuroria Speciale?
Gjykatat janë tallur me dosjet e mëdha të korrupsionit, ndërsa prokuroria nuk i ka mbërthyer mirë dhe nuk i ka paraqitur ashtu siç duhet. Gjykata ka dhënë dënime qesharake për pak njerëz, ndërsa në raste të tjera nuk ka marrë asnjë vendim, nuk i ka hapur dosjet për t’i shqyrtuar. P.sh, për Rrugën e Kombit për arsye nga më absurdet nuk hapet gjykimi. Unë besoj se dosjet e mëdha do të hapen dhe do të gjykohen. Nëse gjërat më të mëdha nuk do të ritrajtohen, atëherë, asnjë nuk do ketë besim se ky proces do shkojë mbarë. Nëse drejtësia do të merret vetëm me gjërat e vogla, do të jetë qesharake! Janë shumë ngjarje të mëdha si 21 Janari, Rruga e Kombit, Gërdeci, etj. Këto çështje kanë përfunduar me vendime qesharake.
-Duke qenë se ju keni qenë kreu i SHISH dhe keni bashkëpunuar me ndërkombëtarët, a do të ketë efekt roli i SHBA dhe BE për arrestimin e të korruptuarve?
Unë shpresoj se do ketë efekt. Impenjimi serioz i tyre, në të gjitha fazat e këtij procesi, nuk bëhet për të bërë disa letra të shkruara. Unë besoj se këtij procesi do t’i shkohet deri në fund. Ata janë të interesuar që ky proces këtu të jetë i suksesshëm, të përdoret si shembull se ç’duhet bërë në vendet e tjera të Lindjes, pasi dhe këto vende e kanë korrupsionin në një shkallë shumë të lartë. Interesi kryesor i tyre është ky: që të provohet se ka zgjidhje edhe në një vend që duket se nuk ka zgjidhje, në një vend që duket se gjithçka është e korruptuar. Nëse klasa politike, ata që bëjnë ligjet dhe ata që i zbatojnë duan ta bëjnë këtë gjë, bëhet. Partnerët tanë do bëjnë presion që kjo gjë të bëhet.
-Politika tentoi ta bllokojë reformën në drejtësi për dy vite. Kush i trembet reformës në drejtësi dhe a pritet të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë?
Ata që kanë shpëtuar paq nga procese shumë të vështira. Këta persona kanë dalë të palagur, sepse gjykatësit dhe prokurorët i kanë emëruar vetë. Të gjithë gjykatësit që janë në postet më të larta të sistemit gjyqësor, janë të emëruar në kohën kur Berisha ishte 8 vjet në pushtet. Fakti që po zgjatet kaq shumë zbatimi i reformës në drejtësi, sigurisht ka njerëz që i tremben reformës. Gjërat që kur u nisën janë përcaktuar qartë, se kush do ta bëjë dhe si do ta bëjë reformën. Nuk ka më rrugë për t’u kthyer mbrapsht! Dhe unë besoj fort se reforma nuk do shtyhet. Reforma do bëhet mbase që në këtë legjislaturë. Tani po vjen një kohë që do të kërkohet llogari. Politikanët që e ndjejnë veten të prekur nga kjo reformë, tremben. Akti i fundit, i dërgimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas për t’ia lënë Komisionit të Venecias, janë tentativa për ta zvarritur procesin. Nuk është aq e lehtë kur në valle janë SHBA dhe BE.
-Flitet se shumë zyrtarë të lartë paratë i kanë të fshehura në parajsat fiskale. Sa i lehtë do jetë zbulimi i tyre?
Asgjë nuk është e pamundur! Nëse në valle janë SHBA dhe BE, dy superfuqi botërore në fushën politike, ekonomike, është e qartë se nuk është e pamundur.
-Ditët e fundit ka patur tensione mes PS dhe LSI. Si e shihni të ardhmen e koalicionit?
Këto tensione do t’i quaja “matje e pulsit politik”. Të dy palët janë aq të mençur sa të kuptojnë se prishja e koalicionit është në dëm të të dy palëve. Probleme do ketë gjithmonë, sepse janë dy forca të ndryshme politike, por që nuk do arrijnë deri aty saqë të prishin koalicionin.
-Këtë muaj do të nisë seriozisht puna e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Çfarë prisni ju nga hapja e dosjeve të komunizmit?
Unë nuk pres asgjë! Ky proces do të qetësojë vetëm ata njerëz që kanë dëshirë të dinë se cilët janë ata njerëz që u kanë “rënë në qafë”. Do hapen vetëm dosjet e subjekteve dhe jo të bashkëpunëtorëve dhe problemeve. Sipas ligjit, çdo njeri mund të shkojë të shohë dosjen e vet, dhe kaq! Nëse një individ sheh se në dosjen e tij ka shpifje, mund të kërkojë se kush i ka thënë, mund të zbulohet emri i bashkëpunëtorit që paska bërë gjëra të tilla. Askush nuk e ka sot mendjen te hapja e dosjeve, përveçse ndonjë kurjozi që do të dijë se çfarë ka ndodhur. Nëse kjo çështje do ishte në gjendje të shkaktonte konflikte sociale, hapja e dosjeve do kërkohej me ngulm. Tani ka kaluar shumë kohë, saqë edhe dosjet janë ndryshkur! Fatkeqësisht, hapja e dosjeve do përdoret vetëm për të sharë njëri-tjetrin. Pra, do përdoret si “gjueti shtrigash”, ashtu siç është përdorur në këto 25 vite. Kanë kaluar 26 vjet dhe pas kaq viteve janë ndryshkur dhe hekurat më të mëdhenj…! Është shumë vonë!
-A do ta ketë të vështirë punën Autoriteti, pasi shumë dosje janë zhdukur?
Do ta ketë më të lehtë punën, sepse do hapë vetëm dosjet që ekzistojnë. Shumë dosje janë zhdukur, dosjet më të mëdha nuk janë më.