Kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga Shkodra, ka komentuar deklaratën e Ramës, që sipërmarrësit të marrin punëtorë nga Bangladeshi.
Basha theksoi se plani i Ramës është në fakt që ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi.
“Shqipëria sot është kapur nga korrupsioni dhe këtë e thonë organizmat ndërkombëtarë. Shtetet e rajonit kanë dhënë shumë para për të marrë veten nga pandemia, kurse ju keni paguar nga xhepi juaj. Plani ynë sheh taksa më pak sesa vendet e rajonit. Ju jeni shpresa për të bërë këtë vend.
Ky njeri nuk do marrë punëtorë nga Bangladeshi, por Rama do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi. Mbyllinii derën këtij njeriu dhe lëreni Shqipërinë të shkojë në BE. Ne do mendojmë për bizneset, për njerëzit e thjeshtë e punëtorë të vendit. Do jemi partner me sipërmarrjen. Do të ndalim emigracionin masiv, që është plaga më e madhe e vendit. Punësimi i rinisë me paga të mira do bëhet realitet”, tha Basha.
Lulzim Basha nënvizoi se kjo qeveri po çon vendin në greminë, duke shtuar se thirrja për ndryshim dëgjohet anembanë Shqipërisë.
“Shkodra, për shkak të diskriminiimit politik e ekonomik, e ka përjetuar thellë krizën e rëndë 8-vjeçare. Shqipëria po zbrazet dhe biznesi po vuan. Të vazhdon këtë rrugë do të thotë të shkosh me këmbët e tua drejt greminës. Thirrja për ndryshim dëgjohet në të gjithë Shqipërinë, nga çdo grup shoqëror. Biznesi i vogël është në gjendje të mjerë. Programi ynë ka zgjidhje korrekte. Ne synojmë ta bëjmë Shqipërinë konkurruese në ekonomi në rajon. Ne synojmë që të zhdukim terrorin e taksidarëve. Me ne, do keni më shumë para në xhepat tuaj dhe punëtorët do kenë më shumë të ardhura. Do i përgjigjemi kërkesës për paga më të larta. Ne jemi pro biznesit dhe pro punësimit”, u shpreh Basha.
Fjala e plotë e liderit demokrat Lulzim Basha me sipërmarrës në Shkodër:
Kryetari i Partisë Demokratike, në vizitën e tij në veri të Shqipërisë, ka bashkëbiseduar me përfaqësues të bizneseve dhe punonjës të përpunimit të drurit në qytetin e Shkodrës. Ai dëgjoi nga afër problemet e sipërmarrësve, të cilët dëmin që u ka shkaktuar pandemia është dyfishuar me taksat e larta të qeverisë dhe janë në prag të falimentimit. Ata gjithashtu thanë se nëse shteti do u bijë në ndihmë, kanë kapacitete për të punësuar shqiptarët pa qenë nevoja të marrim njerëz nga Bangladeshi.
“Zoti Basha, po të them dhe një herë ky popull është i vuajtur, akoma po vuan. Duhet se s’bën që e t’ja hyjmë nga e para me meritokracinë e saktë, që të jenë njerëz të përzgjedhur që i shërbejnë këtij vendi dhe i shërbejnë këtij kombi. Se me ç’po shohim në televizione , të gjithë mediat po japin ikjet masive të këtij populli. Nuk është problemi që do iki Rama apo do vij dikush tjetër, që të importojmë njerëz. Jo! Ne duhet ta ndërtojmë vet vendin, nuk kemi nevojë të marrim as nga Bangladeshi dhe as nga ndonjë vend tjetër aziatik. Në qoftë se ne do të marrim, do ta shpërbëjmë këtë komb! Prandaj, të lutem shumë në emrin tim dhe në emër të gjithë këtyre njerëzve se ka sipërmarrës këtu që ne duhet të ulim taksat. Taksa është më diskriminuesja. Të lutem Basha, ne kemi probleme me të gjitha taksat. Ne nuk kemi kohë t’i themi sot të gjitha, por kemi sa të duash që t’i shërbejmë këtij vendi.” – u shpreh një nga përfaqësuesit.
“Edhe unë jam një tregtar, biznes i madh i thonë, por ka 8 vite që ne po mbijetojmë. As kemi marrë mbështetje nga COVID-i, të gjithë punëtorët i kam paguar vet nga xhepat tonë. Unë di me thënë për dy muaj kam humbur 20 milion lekë. Unë kokrrën e lekut s’kam marrë. Dikush që ka marrë 400 mijë lekëshin, unë nuk kam marrë asgjë. Unë dy gjëra du me të sugjeru, se dua me i rinovu makineritë, edhe e shoh që është një taksë TVSH-je që është shumë e rëndë. Jo për mua, por për të gjithë biznesin shqiptarë. Tё lutem nё qoftё se ke mundёsi ose me e pёrgjysmu, ose me heq fare TVSH e makinerive. Tani dua tё blej njё makineri 100 mijё euro dhe duhet ti jap shtetit 20 mijё euro TVSH. Pak jemi dёmtuar nga kovid, pak nga tё tёrat qё na kanё rёnё, biznesi, ka shkuar drejt falimentimit.” – tha një nga sipërmarrësit.
Kreu i opozitës përsëriti angazhimin se qeveria e dal nga vota e 25 prillit, do të vërë në funksion taksën e sheshtë 9%, e cila do të çlirojë sipërmarrjen shqiptare nga vjedhja që i është bërë për 8 vite. Ai gjithashtu tha se me uljen e kontributeve shoqërore në 18%, uljen e çmimit të karburantit duke hequr 240 lekë taksën Rama mbi karburantin, fashat e energjisë për biznesin prodhues, heqjen terrorin inspektorateve të kontrollit, janë vetëm disa nga lehtësirat që do t’i vijnë në ndihmë biznesit në Shqipëri.
“Sё pari ju falënderoj pёr mikpritjen. Nё qytetin e Shkodrës kam qenё rregullisht dhe njё nga pjesë mё tё rëndësishme tё vizitave tё mia këtu e kam konsideruar tё nevojshme gjithmonë kontaktin me biznesin, me biznesin e vogël ku kam shëtitur derё mё derё, nё rrugët kryesore por dhe nё lagjet e qytetit dhe kam parё me sytë e mi gjendjen e mjerueshme ku ndodhet por dhe me biznesin prodhues ku Shkodra ka qenё udhëheqëse e prodhimit, e nё veçanti tё prodhimit pёr eksport, qё nga fillimi demokracisë e këtej. Si gjithё Shqipëria edhe Shkodra është në një krizë të thellë ekonomike.
Arsyeja pse vijmë tek ju sot nuk është thjesht dhe vetëm për të përsëritur hallet dhe problemet që i kemi dëgjuar dhe i kemi diskutuar prej kohësh por për t’ju thënë që në bazë të këtyre halleve dhe problemeve, në bazë të këtyre sfidave dhe vështirësive të 8 viteve që ka hequr sipërmarrja shqiptare në tërësi, biznesi i vogël, biznesi i madh, biznesi prodhues dhe që është përcjellë pastaj dhe tek punëtorët tuaj, tek punonjësit dhe tek familjet e tyre, ne kemi hartuar një program me zgjidhje konkrete. Natyrisht nuk është një program mrekullish siç e thatë dhe vetë, nuk është një seri premtimesh se ju jeni ngopur me premtime të pa mbajtura. Tetë vite premtime të pa mbajtura. Premtime të cilat jo vetëm nuk u realizuan por shkojnë në drejtimin e kundërt, rriti çmimin e karburantit, rriti çmimin e energjisë, rriti taksat. Çfarë ndodhi? E paguan qytetarët, e paguan familjet, e pagoi biznesi. Programi ynë synon në radhë të parë ta bëjë Shqipërinë përsëri konkurruese si brenda për brenda ashtu edhe në rajon prandaj taksa e sheshtë 9%, ulja e kontributit shoqëroro në 18%, ulja e çmimit të karburantit me 240 lekë duke hequr 240 lekë taksën Rama mbi karburantin, fashat e energjisë për biznesin prodhues sikundër një klimë miqësore edhe ndaj biznesit i cili harxhon sot jo orë e ditë po javë nën terrorin e kontroll pas kontrolli, inspektoriat pas inspektorati, burokracira pa fund, aplikacione dhe aplikime pa fund dhe që nuk marrin kurrë përgjigje, stres dhe e gjitha kjo, natyrisht, përkthehet edhe në kosto financiare. Koha është flori dhe për askënd më shumë sesa për sipërmarrjen, për biznesin. Ju e paguani këtë fature, natyrisht këtë faturë e paguajnë edhe punonjësit tuaj.
Tani, me lekët që do të mbeten në xhepat tuaj, në kontot tuaja, me programin tonë, ju do të jeni në gjendje në radhë të parë, të investoni, të hapni vende të reja pune, të rrisni prodhimin, cilësinë e prodhimit dhe të jeni në gjendje po kështu t’i përgjigjeni edhe kërkesës për paga më të mira që kanë njerëzit për të përballuar koston e tyre të jetës dhe kjo na bashkon të treve, qeverinë e ardhshme, ju si sipërmarrje dhe punëmarrësit, punonjësit tuaj të cilët janë ata që e vuajnë në palcë varfërinë, rritjen e kostos së jetës dhe pamundësinë për të rrit pagat. Se siç e kemi thënë vetë gjatë këtyre 8 viteve qeveria s’ka menduar për asgjë. Pa diskutim pjesë e planit tonë është dhe investimi, investimi juaj dhe investimet e huaja.
Dhe ajo që përmendët për TVSH-në e makinerive mbi një vlerë të caktuar që ishte një masë që e morëm për ti ardhur në ndihmë biznesit, provoi që ishte një masë e duhur. Më fal, po ca të duhet ty një rregull TVSH-je 20% kur biznesi nuk është në gjendje ta blejë atë linjë prodhimi. Në qoftë se ajo linjë prodhimi blihet, vihet në funksion, prodhon, punëson, punëson kryefamiljarë, rrit konsumin e atyre familjeve, atëherë të gjithë kanë përfituar. Kjo është logjika e një qeverie që është pro sipërmarrjes, pro biznesit dhe natyrisht duke qenë pro biznesit është dhe pro punësimit dhe rritjes së rrogave. Ndaj në planin tonë ne kemi parashikuar këto masa të cilat cekët dhe që të funksionojnë jo thjeshtë të jenë të shkruajtura në letër siç janë sot një pjesë e mirë prej tyre por nuk zbatohen po nuk dhe kaparin, po nuk dhe ryshfetin, madhe ju e dini fare mirë, tani duke e parë që biznesi s’ka as lekë për t’iu dhënë tani shkojnë e futen si aksionarë e marrin pjesë të biznesit, kjo është shkalla më e lartë e korrupsionit siç e cituan edhe raportet e shteteve të bashkuara të Amerikës, departamentit të shtetit, raporti i Transparency International, shkalla më e lartë e korrupsionit, kur qeveritarët e konsiderojnë veten e tyre padronë të vendit, e konsiderojnë veten e tyre pronarë në biznesin tuaj, që e keni ngritur me djersë, e me sakrifica në 30 vite, jo vetëm nuk bëjnë detyrën ndaj jush , por ju kanë hypur mbi shpinë. Nuk ndodh kështu në asnjë vend tjetër të rajonit.
Kanë problem të gjithë, para disa ditësh kisha për vizitë zëvendës kryeministrin e Maqedonisë, 1. 5 miliardë euro ka dhënë Maqedonia për të luftuar efektet e pandemisë, ndërsa ju më thoni, 200 punëtorë për dy muaj i keni paguar nga xhepi juaj dhe ky natyrisht është një gjest fisnik për t’u përshëndetur se kishin ngelur për bukën e gojës përndryshe, po s’ishte detyra juaj dhe s’është detyra juaj. Është detyra e shtetit prandaj i ka marrë taksat nga ju 30 vite me radhë që në ditë të tilla, t’i gjendet pranë biznesit. Ne besojmë fort se këto dy faktorë do të ndihmojnë për të kthyer pozitivitet, konkurrencë, trajtim të barabartë dhe stimulim te biznesi shqiptar. Nga njëra anë, plani ynë fiskal, i cili do të ulë taksat, nuk do të jenë më të larta as taksat, as çmimet e energjisë dhe të naftës se Mali i Zi, apo Maqedonia, apo Kosova dhe së dyti; qasja jonë, qasja jonë ndaj sipërmarrjes. Ju jeni shpresa për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, jo lopë për t’u mjelur për xhepat e korruptuar të zyrtarëve. Është e turpshme që në vend që të marrë përgjegjësitë për 8 vjet dështime, ai të cilit i ka ardhur tani momenti për ta larguar me votë, bredh nëpër Shqipëri për të treguar broçkulla nga momenti deri në darkë dhe duke thënë që ajo që na pret po e votuam për mandatin e tretë është që do të na sjellë punonjës nga Bangladeshi. Po ju them ashtu siç e ka thënë vetë që me të vërtetë edhe 4 vjet të tjera me këtë njeri të papërgjegjshëm nuk kemi parë asgjë akoma. Jo punëtorë nga Bangladeshi, por do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi.
Dhe këtë ju e dini fare mirë. Në çdo aspekt Shqipëria do të fundoset, do të shkojë keq e më keq, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi. Jo punëtorë nga Bangladeshi, por Shqipërinë më keq se Bangladeshi, po ti hapim edhe një herë derën të keqes, se po troket, thotë dua dhe 4 vjet. Mbylljani derën në fytyrë, ti themi boll më. Të votojmë për ndryshimin, të votojmë për Shqipërinë në Europë, një rrugë që e kemi nisur të gjithë së bashku, e cila deri më sot ka mundësuar lëvizjen e lirë, pa viza të shqiptarëve dhe nesër do të mundësojë edhe standarde të tjera të Europës, që është trajtimi i barabartë para ligjit, që është qeveria në ndihmë të sipërmarrjes, në ndihmë të biznesit, që është qeveria në ndihmë të familjeve me pamundësi ekonomike. Prandaj kemi vendosur dyfishimin e ndihmës ekonomike si prioritet tek pjesa sociale e programit tonë, duke përfshirë këtu dhe ndihmën e personave me aftësi të kufizuara, që folëm pak më përpara zotëri, për djalin tuaj.
Të gjitha këto janë të mundura në qoftë se plotësohen dy kushte kryesore. Kushti i parë që Shqipëria ta taksojë biznesin sipas planit tonë, në mënyrë të ndershme, të drejtë, me taksën e sheshtë 9%. Jo biznesin e vogël, sigurisht, siç gënjen ai. Biznesi i vogël do të ketë një tavan jo më shumë se 0.5 % e xhiros vjetore. Jo më shumë se 0.5% e xhiros vjetore do të jetë tavani i taksave e tarifave vendore për biznesin e vogël, të cilin ne e konsiderojmë çdo biznes me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit. Me këto masa të marra së bashku me një frymë të re pozitiviteti, partneriteti jo ortakllëku, partneriteti me sipërmarrjen me të vërtet që ne do ti arrijmë qëllimet që kemi vendosur qoftë në kuadrin e punësimit ku me programin tonë presim që në katër vitet e para të hapim 110 mijë vende të reja pune, qoftë në kuadrin e rritjeve të rrogave, të rritjes së mirëqenies për përballimin e kostos së jetës që është problemi kryesorë sot për Shqipërinë dhe për shqiptarët e në veçanti për zonat e diskriminuara si Shkodra.
Dhe së fundmi duke bërë të mundur këtë do të ndalim edhe plagën më të madhe që është hapur në trupin e Shqipërisë këto 8 vite që është emigracioni masivë. Shumë gjera kanë shkuar keq e më keq por diçka që e vë re në çdo qytet të Shqipërisë është gjithmonë e më pak të rinj. Kjo do të ndal! Punësimi i rinis, kualifikimi i rinis, punësimi i rinis me paga të mira do të bëjnë të mundur që djemtë dhe vajzat tuaja të jenë afër jush, të jenë me ju, ta themelojnë jetën e tyre këtu dhe të jenë në gjendje të përballojnë me dinjitet koston e jetës e të jetojnë me një cilësi të re jete në vendin e tyre. Ndaj nuk na duhet ai që do të sjellë Bangladeshin këtu por në fakt do të na çoj ne në nivele t e Bangladeshit por na duhet të jemi bashkë, të votoni për Partinë Demokratike, për numrin 9, për ndryshimin, në datë 25 prill dhe të jeni të sigurt që ne kemi planin, ne kemi vizionin, kemi vendosmërinë dhe përvojën që rrugën drejt bashkimit Europian ta çojmë deri në fund.
E kemi çuar deri te heqja e vizave do ta çojmë deri në fund dhe do sjellim fonde europiane, standarde europiane dhe cilësi europiane që është ajo që duan të gjithë. Se të gjithë shqiptarët, gjithë Shqipëria, gjithë shkodranët e dinë që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është garanci për mirëqenien, për demokracinë dhe për stabilitetin. Ndaj ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e jashtëzakonshme që Shkodra dhe sipërmarrja shkodrane na ka dhënë dhe në hartimin e këtij programi. Dua t’ju them, dua të ndaj me ju që në të njëjtën formë, në të njëjtat gjatësi vale me ju është sipërmarrja shqiptare kudo, e çdo lloj, e çdo fushe.
Ndryshimin e shoh që shumë prej jush ka arritur, po ju kërkoj që të bëni gjithçka si sipërmarrje, punonjësit tuaj dhe të gjithë të bëni diçka. Ta dini ne kemi përgjegjësinë për të treguar rrugën drejtë ndryshimit dhe për t’ju drejtuar në atë rrugë, ju keni përgjegjësinë për ta bërë ndryshimin të mundur, sepse ndryshimi bëhet vetëm me votë masive më 25 prill. Dalje masive dhe votë masive me 25 prill për të larguar të keqen, për ti mbyllur derën të keqes dhe për të mundësuar ndryshimin që dëshironi./ b.h