Mitropoliti grek Andreas, i cili është një nga krerët e Kishës zyrtare të Greqisë, vazhdon të provokojë me qëndrimet e tij publike anti-shqiptare.
Brenda pak ditësh Mitropoliti i Drinopoleos, Pogonit e Konicës, siç është titulli i tij zyrtar, ka lëshuar një deklaratë të re kundër Shqipërisë.
Me anë të një qarkoreje zyrtare me numër protokolli 33 të lëshuar nga qendra e Mitropolisë në Delvinaq, kleriku i lartë i Kishës Ortodokse së Greqisë ka lëshuar një thirrje luftarake kundër shqiptarëve.
“Zgjohuni! Atdheu dhe Vorio-Epiri rrezikojnë në maksimum. Mos qëndroni indiferent se do ta paguajmë shumë shtrenjtë me katasfrofë kombëtare”, thuhet në qarkoren që ka lëshuar dje Mitopoliti Andreas.
“Ne do ta çlirojmë, do të rikthemi dhe toka do të dridhet” tha ai, një parullë kjo e hedhur disa herë kohët e fundit madje e shfaqur në disa manifestime antikushtetuese në jug të Shqipërisë.
Kujtojmë se ky prift grek është ai që më 17 maj organizoi festimet me rastin e 101-vjetorit të Protokollit të Korfuzit, që i cilësonte trojet e jugut të Shqipërisë si greke dhe ju jepte atyre një autonomi të zgjeruar.
Në deklaratën e fundit Mitropoliti Andreas ka përdorur gjuhë fyese ndaj qeverisë Rama dhe qytetarëve shqiptarë.









