Kina ka vendosur të sfidojë sanksionet amerikane ndaj Iranit, duke bërë me dije se do të vazhdojë të blejë naftën e vendit islamik.
Në këtë mënyrë, Kina do të shërbejë si një “jelek shpëtimi” për Teheranin, në një kohë kur kompanitë europiane, si francezja “Total”, po largohen nga frika e masave të Uashingtonit.
Vendi aziatik, që ka ndërprerë importin e naftës amerikane për shkak të luftës tregtare, ka deklaruar se nuk i njeh sanksionet e njëanshme dhe se do të mbrojë marrëdhëniet tregtare me aleatin e tij.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se blerësit kinezë të naftës iraniane u kanë hapur dyert cisternave të kompanisë shtetërore të naftës në Teheran.
Një lëvizje kjo, që tregon se Kina, konsumatori kryesor i naftës iraniane, dëshiron të vazhdojë blerjen e saj pavarësisht sanksioneve, që u rivendosën pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Irani, vendi i tretë për prodhimin e naftës në kartelin OPEC, mbështetet tek shitja e naftës tek Kina, Japonia, Koreja e Jugut, India dhe tek disa vende të BE’së për të siguruar pjesën dërrmuese të buxhetit të tij dhe për të mbajtur gjallë ekonominë.
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar klientëve të Republikës Islamike që të ndërpresin bashkëpunimin tregtar dhe disa prej tyre i kanë shkëputur lidhjet.
ma.me