Publikimi i dosjeve të çështjes Epstein nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, ka krijuar një reagim të gjerë nga populli amerikan, por jo vetëm.
Gazetarja e VOA-s, Kejda Kostreci, në një lidhje direkte me Skype, u shpreh në Top Story se publikimi i këtyre materialeve ishte një nga kërkesat më të mëdha të popullit amerikan.
“Këto faqe dolën një muaj më vonë seç pritej. Departamenti i Drejtësisë tha që do i publikonte dokumentet në dhjetor. Më pas thanë që donin të kujdeseshin për emrat e viktimave. Mes këtyre dokumenteve e përmendet emri i Trump. Shumica që donin për publikimin e këtyre dokumenteve ishin për të parë nëse Trump ishte pjesë e këtyre aktiviteteve.
Edhe pse ai është përmendur në këto dokumente, vijnë nga disa të dhëna që FBI i kërkonte nga publiku, por ato nuk kanë prova që të provojnë se akuzat ndaj Trump se ai ka kryer abuzime janë të vërteta.
Ana tjetër është reagimi i publikut amerikan, si i djathtë dhe i majtë, kanë kërkuar transparencë. Ishte një nga ato pikat që mbështetësit e MAGA-së ishin në një mendje me pjesën tjetër të amerikanëve që këto informacione të dilnin.
Pushteti nuk paska as hije të majtë e as të djathtë. Këtu bëhet fjalë për njerëz të fuqishëm të djathtë e të majtë, brenda dhe jashtë SHBA-së. Këtu bëhet fjalë për perversitetin e elitave. Nuk bëhet fjalë për ndonjë prirje politike më shumë, sesa bëhet fjalë për një prirje të të pasurve nga persona që mendonin se këto gjëra nuk do i vinin nga pas”, u shpreh Kostreci.











