Euro po këmbehet këto ditë me rreth 129-130 lekë, niveli më i ulët në dhjetë vjet, ndërsa dollari ka zbritur afër 104-105 lekëve, më e ulëta që prej gati pesë vitesh. Dy vjet më parë, euro këmbehej me rreth 140 lekë, ndërsa dollari u ngjit deri në kuotën e 125-130 lekëve.
Ka nga ata që po humbin nga kjo situatë, sidomos eksportuesit dhe individët që paguhen në euro, por ka dhe nga ata që po dalin të fituar, kryesisht personat apo bizneset, që kanë kredi në euro, duan të blejnë një shtëpi, apo duan të udhëtojnë në Europë. Monitor po ju sjell një klasifikim të fituesve dhe humbësve.
Këstet e kredive më të lira në euro
Deri disa vite më parë, huatë në euro ishin mjaft të preferuara, si nga bizneset ashtu dhe individët. Normat shumë më të lira të interesit, në raport me lekun, si dhe fakti që euro është mjaft e përdorur tek ne, e bënin monedhën e përbashkët shumë të kërkuar.
Kredimarrja në valutë arriti kulmin në vitin 2011 dhe më pas, bankat filluan ta frenonin atë, teksa zhvlerësimi i lekut (një euro arriti edhe në mbi 140 lekë) e bëri evidente rrezikun e kursit të këmbimit, për të gjithë ata që i kishin të ardhurat në lekë. P.sh.,, një individ që kishte një këst mujor 300 euro, në vitin 2006 i duheshin 36900 lekë, në 2013-n i duheshin 42100 lekë, pra rreth 14% më shumë.
Sot, stoku i huasë në valutë është sa 52% e totalit të kredisë të dhënë nga bankat, nga rreth 70% që ishte disa vjet më parë.
Në fund të muajit shkurt, stoku i kredisë në euro ishte rreth 1.9 miliardë euro (257 mld lekë), që bizneset dhe individët duhet t’u kthejnë bankave përmes kësteve mujore. Kredimarrësit që kanë të ardhura në lekë po përfitojnë nga zhvlerësimi i euros, që i ka bërë këstet rreth 7% më të lira se dy apo tre vite më parë.
Psh, për një këst kredie prej 400 eurosh, sot duhen rreth 52 mijë lekë, apo 4,000 lekë më pak sesa dy-tre vjet më parë, kur monedha e përbashkët këmbehej me 140 lekë dhe kësti i konvertuar në monedhën vendase ishte 56 mijë lekë.
Edhe huaja në dollarë është më e lirë në raport me një vit më parë, por sërish ajo mbetet më e shtrenjtë në krahasim me 5 vjet më parë, kur monedha e gjelbër këmbehej me më pak se 100 lekë.
Amortizohet rritja e çmimeve të apartamenteve
Historikisht besimi i shqiptarëve te monedha vendase për blerjen e aseteve të mëdha ka qenë i ulët. Një sjellje psikologjike kjo e lidhur që me kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes. Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari.
Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.
Teksa çmimet e apartamenteve po njohin rritje të shpejtë muajt e fundit, shtrenjtimi i tyre po amortizohet disi nga nënçmimi i euros. P.sh., për një apartament 90 metra katrorë në një zonë të mirë të Tiranës, që në 2014-n kushtonte 1000 euro për metër katror, duheshin 90 mijë euro, dhe të konvertuara në lekë kushtonte 12.6 milionë lekë (një euro kushtonte 140 lekë).
Sot, në të njëjtën zonë, për të njëjtën sipërfaqe, kur çmimi ka arritur në 1300 euro për metër katror, apartamenti kushton 112 mijë euro. Nëse kursi do të ishte i njëjtë si në vitin 2014, atëherë kosto e shtëpisë në monedhën vendase do të ishte 15.7 milionë lekë, apo 25% më i shtrenjtë. Por, sot, kur euro këmbehet me rreth 130 lekë, kosto reale e shtëpisë është 14.6 milionë lekë, apo rreth 16% më e shtrenjtë, duke bërë që kursimi nga kursi i këmbimit të jetë gati 9 mijë euro.
“Ulen” pagat në euro
Shumë institucione ndërkombëtare, apo dhe biznese private i paguajnë punonjësit në euro. Ndërsa ata iu gëzuan një rritjeje të euros në vitet 2010-2015, tashmë po u ndodh e kundërta. Ndonëse paga mund të mos ketë ndryshuar, të ardhurat reale në lekë janë 7% më të ulëta se dy vjet më parë, kur euro këmbehej me 140 lekë.
Një pagë vjetore prej 1200 eurosh, e konvertuar me kursin e sotëm është 156 mijë lekë, nga 168 mijë lekë që ishte më parë, pra rreth 12 mijë lekë më pak.
Pushimet jashtë më të lira
Gjithnjë e më shumë shqiptarët po preferojnë që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit, jo vetëm në muajt e verës, por janë shtuar edhe udhëtimet kulturore përgjatë vitit, kryesisht në Europë. Në modë kanë dalë edhe pushimet në vendet ekzotike në vende të largëta si Maldive, Tajlandë, Santa Domingo etj., që kushtojnë minimumi 1500 euro për një person.
Ofertat e pushimeve janë të gjitha në euro, duke i bërë ato më të lira për të gjithë ata që vendosin të udhëtojnë jashtë vendit.
P.sh., një paketë pushimesh prej 600 eurosh për një person, aktualisht, kur euro këmbehet me 130 lekë, e merr 6,000 lekë më pak se në dy vjet më parë, kur monedha e përbashkët këmbehej me rreth 139-140 lekë.
Për një paketë më të shtrenjtë, prej 1500 eurosh, kursimi është edhe më i lartë, ai arrin në 15 mijë lekë.
Blerjet online më të lira
Blerjet online janë bërë mjaft të preferuara vitet e fundit, ndonëse vendosja e taksës për lerjet mbi 22 euro i kufizoi disi ato. Si në euro, ashtu dhe në dollarë, blerjet janë më të lira sesa një vit më parë.
Për 200 euro të shpenzuara, kursimi në lekë është 2,000 lekë në krahasim me periudhën kur euro ishte 140 lekë.
Në dollarë, blerjet janë më të lira në raport me një vit më parë, kur dollari këmbehej rreth 125 lekë (për 200 dollarë kursehen 4,000 lekë)./monitor/a.m.