Në një moment kritik për të ardhmen e Ukrainës dhe arkitekturën e sigurisë europiane, këshilltari kryesor i presidentit Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera. Ai ka sqaruar pozicionin e Kievit mbi çështjet më të ndjeshme të negociatave të paqes: dorëzimin e territoreve të pushtuara, krijimin e një zone të demilitarizuar përgjatë vijës së frontit dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e vendit.
“Le të nisemi nga bazat. E drejta ndërkombëtare dhe Kushtetuta e Ukrainës ndalojnë shprehimisht transferimin e territorit, veçanërisht pas një agresioni”, kështu përpiqet të sqarojë Mykhailo Podolyak qëndrimin e Ukrainës mbi çështjen e territorit.
Podolyak thekson se integriteti territorial i Ukrainës nuk është i negociueshëm, duke paralajmëruar se çdo lëshim ndaj Moskës do të inkurajonte agresionin e mëtejshëm rus. Ai thekson gjithashtu se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë të qarta, kolektive dhe të shkruara, në mënyrë që Europa të mbrohet nga provokimet e ardhshme.
INTERVISTA
Diskutimet fokusohen kryesisht mbi dy tema: dorëzimin e territorit ukrainas të Donetsk dhe mundësinë e krijimit të një zone të demilitarizuar përgjatë vijës së frontit. Le të fillojmë me të parën. A ju duket kjo një zgjidhje e pranueshme?
“Dyshoj se kjo është e mundur sot. Marrëdhëniet moderne ndër-shtetërore bazohen mbi integritetin territorial dhe sovranitetin. Dorëzimi i territoreve pas një agresioni bie ndesh plotësisht me logjikën e procesit politik modern. Por, më e rëndësishmja, çdo transferim territori që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë në katër vite do ta inkurajojë të vazhdojë ekspansionin”.
Gjithashtu, duket se nuk ka konsensus për zonën e demilitarizuar që duhet të krijohet përgjatë gjithë vijës së frontit. A është e saktë kjo?
“Është një çështje jashtëzakonisht komplekse, aktualisht e diskutuar në kuadër të garancive të sigurisë ku Europa është e përfshirë aktivisht me kolegët amerikanë. Natyrisht, kur një konflikt ngrihet dhe kur ekziston një vijë ndarëse ku janë zhvilluar luftime aktive, zakonisht krijohet një zonë e demilitarizuar, nga e cila armët e rënda tërhiqen plotësisht ose pjesërisht. Por që kjo të ndodhë, një kontingjent i caktuar duhet të vendoset brenda zonës për të garantuar paprekshmërinë e palëve të interesuara. Kjo kërkon diskutim të thelluar. Theksoj edhe një herë se është një çështje e lidhur me garancitë e sigurisë. Me fjalë të tjera: si do të monitorohet respektimi i zonës së demilitarizuar? Kush mund ta bëjë? Për sa kohë? Janë pyetje që duhet të marrin përgjigje”.
Një sistem i ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s a është kompromis i mirë për Kievin, nëse Moska e pranon?
“Garancitë e sigurisë përfshijnë shumë aspekte. Mes tyre është mbështetja sasiore dhe cilësore e forcave të armatosura ukrainase. Me fjalë të tjera, kush do të investojë, sa do të investohet, si do të shpërndahet barra financiare mes anëtarëve të një aleance të caktuar, edhe nëse nuk është NATO. Flas për prodhimin e raketave, dronëve, sistemeve të luftës elektronike etj. Sigurisht, çështja kryesore është një përgjigje kolektive në rast të një ekspansioni të ri rus në territorin ukrainas. Ukraina po diskuton garancitë e sigurisë me partnerët europianë, sepse Europa është jashtëzakonisht e interesuar të mbrojë territorin e saj nga veprime të mundshme provokuese ruse. Gjithçka duhet studiuar dhe hedhur në letër. Nëse nuk duam të jetojmë në pritje të një lufte të re, duhet të vendosim me kujdes këtë përgjegjësi kolektive për kufirin lindor të Europës”.
Kush duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës? Përdorimi i “frozen assets”, aseteve të ngrira ruse, nuk ka gjetur konsensus të plotë në Europë…
“Sot, dëmet e shkaktuara nga lufta vlerësohen mbi 600 miliardë dollarë. Natyrisht, të gjitha punimet duhet të paguhen nga agresori. Ka disa opsione, përfshirë përdorimin e këtyre fondeve ruse. Është logjike dhe juridikisht e drejtë. Kjo është e drejtë edhe nga pikëpamja e interesave europiane. Sepse nuk dëmton taksapaguesit që mund të mos duan të shpenzojnë para për sigurinë e Ukrainës. Dhe e them këtë duke u nisur nga fakti se rimëkëmbja e ekonomisë ukrainase është thelbi i programeve të parandalimit përgjatë kufirit lindor. Pra, edhe një herë, ky është një element i garancisë së sigurisë për Europën, një element i arkitekturës së sigurisë europiane”.
Shkrim nga Corriere della Sera

