Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës pranë Këshillit të Evropës i ka kërkuar Qeverisë maqedonase të ndërpresë në mënyrë urgjente projektin për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun e Mavrovës, çka do të thotë rrjedhimisht të mos devijohet lumi i Radikës. Njëherësh ky komitet ka paralajmëruar Maqedoninë që të përdorë mënyra të kujdesshme për realizimin e projekteve, shkruan Koha Ditore.
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka hartuar tashmë një draft-dokument që do të paraqitet për miratim në seancën që do të zhvillohet nga datat 1 deri më 4 dhjetor në Strasburg.
Më tej nga KE-ja i kërkohet Qeverisë së Maqedonisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të përgatisin një raport strategjik dhe të integruar të impaktit të shkaktuar deri tani mbi mjedisin, duke përfshirë të gjitha aktivitetet që janë planifikuar që të zhvillohen mbi territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës, si dhe efektet që do të shkaktojnë këto aktivitete në një periudhë kohore afatgjatë.
Çështja e devijimit të Radikës shkaktoi dhe protesta të shumta të banorëve të Dibrës së Madhe, por edhe të ekologëve shqiptarë që dhanë alarmin për shkatërrim të Parkut të Mavrovës, si dhe të florës e faunës së tij.