Nga Shaqir Vukaj
Nga fjala e Kryeministrit, z.Edi Rama, në pritjen me ambasadorët e akredituar në Tiranë nuk dilte e qartë përse ambasadori i Federatës Ruse nuk ishte i pranishëm. Ambasadori deklaroi se nuk ishte i ftuar… dhe me poshtë, duke folur për marredheniet midis dy vendeve, ku ndërmjet tha:
“Nënvizoj se Rusia nuk ka qenë asnjëherë nismëtare e ftohjes së ndërveprimeve me Tiranën. Për më tepër historia e marrëdhënieve ruso-shqiptare nuk ka baza reale për kontradikta”.
Deklaratë e çuditshme. Ta bëjë një njeri i paditur mund ti falet, por për ambasadorin e Rusisë në Tiranë është e pafalshme….Ka një rregull në diplomaci. Mbasi njoftohen për vendin ku janë emëruar të punojnë, diplomatët përgatiten me kujdes të njohin me hollësi vendin ku shkojnë, historinë, kulturën, politikën etj etj…. e në radhë të parë marredheniet midis dy vendeve. Kështu z.Zajcev, para ardhjes në Shqipëri duhet të jetë njohur e të ketë studiuar me hollësi, krahas tjerave marredheniet e Rusisë me Shqipërinë e shqiptarët, qëndrimin e Rusisë si fuqi e madhe botërore ndaj çështjes shqiptare etj…..Ndodhë që për arsye te ndryshme, diplomati të shkojë ne vendin e emëruar pa u njohur me vendin ku shkon. Ndoshta kështu mund ti ketë ndodhur dhe z.. Zajcev. Prandaj do përpiqem ti kujtoj me pak fjalë zotit Ambasador qëndrimin e Rusisë ndaj nesh, shqiptarëve (shqiptarë jemi të gjithë ne që jetojmë brenda shtetit të cunguar shqiptar, shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë Veriut, Malit të Zi, Greqisë dhe disa miliona që jetojnë neper botë….Besoj se z.Ambasador quan shqiptarë të gjithë këta që përmenda dhe jo siç bëjnë disa qarqe nacionaliste në Serbi që shqiptarë (allbanci) quajnë vetëm shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, ndërsa ata të Kosovës etj. për ti dalluar, por kryesorja, me përçmim i quajnë shiftarë….)
Historikisht ne shqiptarët kemi qenë për marrëdhënie të mira me të gjithë, përfshijë edhe Rusinë, pavarësisht nga qëndrimet e saj ndaj nesh që, me përjashtime të radha, kanë qenë antishqiptare dhe për këtë ka dokumente e fakte pa fund dhe faktet janë kokëforta….
Po ti referohemi historisë jo të largët rezulton se sa herë është diskutuar për çështjen shqiptare, Rusia ka qenë në anën e “vëllezërve sllavë” dhe në të gjitha rastet në dëm të interesave tona aq sa me të drejtë, në vitin 1997 (Kur problemi i Kosovës ishte shtruar përzgjidhje…) Pr.Dr.Zadohin (Shef Katedre në Akademinë Diplomatike të Moskës) shkruante:
“Në qoftë se flasim për çështjen shqiptare dhe problemin e Kosovës, ato për një kohë të gjatë kanë pas rëndësi të ndërvarur në politikën ballkanike të Rusisë, pasi tradicionalisht zgjedhjen kryesore e ka bërë tek ortodoksia, para së gjithash tek popullsia sllave dhe shtetet përkatëse, që përcaktohej nga popullariteti i doktrinës pansllave dhe humoret sllvofile në qarqet dhe shoqërinë ruse…..Në veçanti,Rusia nuk ka qenë kundër që një pjesë e territoreve me popullsi shqiptare të përfshiheshin në përbërjen e shteteve të sipër përmendura…”.
Dua ti kujtoj Ambasadorit se me Traktatin e Shën Stefanit, nëv.1878 Rusia krijoi Bullgarinë e Madhe duke i dhënë asaj Shqipërinë Lindore deri në brendësi të kufijve tanë të sotëm, përfshijë Dibrën, Pogradecin, Korçën etj. pa folë për Gostivarin, Tetovën, Strugën etj., ndërsa Serbisë, Kosovën deri në brendësi të kufijve tanë të sotëm, Malit të Zi i dha Ulqinin, Tivarin, pothuajse krejt Liqenin e Shkodrës etj.Pavarësisht se ky Traktat nuk u realizua, në Kongresin e Berlinit, Rusia bashkë me Fuqitë e Mëdha e katandisën Shqipërinë në“shprehje gjeografike”, për të ardhur tek Konferenca e Londrës e v.1912-1913 dhe vendimet e sajë. Aty Rusia kundërshtoi me forcë krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, dhe propozoi krijimin e një shteti autonom shqiptar me vartësi të theksuar nga Turqia. Më vonë, duke manipuluar me gjoja lëshimet që bëri, Rusia propozoi krijimin e një shteti shqiptar liliput që shtrihej nga Lezha në Delvinë….Duke kundërshtuar me forcë propozimet për përfshirjen e një pjese të Kosovës brenda kufijve të Shqipërisë u arrit në përcaktimin e kufijve të sotëm, duke lënë edhe një Shqipëri a më shumë jashtë kufijve tonë dhe kjo në radhë të parë në saj të qëndrimit të Rusisë…..
Sigurisht këto i përkasin historisë, por që nuk mund të harrohen lehtë….për më tepër sepse edhe kur pati mundësi, gjatë konferencave të Tre të Mëdhenjve (Rusveltit, Stalinit e Çerçillit) ku u ndryshuan shumë kufij të Europës e më gjerë, të botës e ku delegacioni rus (sovjetik) luajti rolin kryesor për përcaktimin e kufijve të ardhshëm, nuk e përmendi problemin e kufijve të Shqipërisë, por insistonte që Jugosllavia të kthehej në kufijtë e para luftës, pra, tokat shqiptare me popullsi dominuese shqiptare (Kosova, Shqipëria Lindore (Maqedonia e sotme Perëndimore), Ulqini deri në Tivar, Hoti, Gruda , Plava, Guciaetj.) të mbeteshin brenda kufijve të Jugosllavisë…..Për më tepër, siç del nga dokumentet e botuara vitet e fundit, që gjatë Luftës Dytë Botërore, udhëheqja sovjetike ishte njohur me problemin e Kosovës, si një problem që kërkonte zgjidhje sepse një komision i posaçëm kishte punuar për të ardhmen e Ballkanit mbas lufte, ku ishte diskutuar gjatë edhe për problemin e Kosovës….
Vërtetë, për shumë arsye, e në radhë të parë për interesa të dy vendeve, marrëdhëniet midis Shqipërisë e Rusisë (Bashkimit Sovjetik) ishin shumë të mira, por që nuk zgjatën shumë dhe për faj të dy palëve u prishën….
Mbas viteve 90-të, me ndryshimin e sistemeve në të dy vendet (Rusia u njoh si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik), u rivendosen marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për 7-8 vite, ato shkonin në rritje. Kështu u shkëmbyen shumë vizita (kryesisht nga udhëheqjet shqiptare në Rusi, që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari Kuvendit etj.), u firmosen disa marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve, shumë studentë u dërguan në shkollat ruse etj. Por ndërkombëtarizimi i problemit shqiptar të Kosovës, dhe shtruarja për zgjidhje në planin ndërkombëtar, ishte një gur prove për qëndrimin e Rusisë ndaj çështjes shqiptare, që tregoi fytyrën e vërtetë të Moskës zyrtare …
Tepër qartë e ka shprehur Dr.Profesori i njohur Zadohin në vitin 2000 kur shkruante:
“Në vitet 90-të, pozicioni i Rusisë përsëri përcaktohej nërrjedhën e përgjithshme të politikës së saj ballkanike, si dhe në stereotipat dhe praktikat ekzistuese…Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër pro serb”.
Në qoftë se për shpërbërjen e ish Jugosllavisë, Rusia mbante një qëndrim pak a shumë neutral, e kjo në radhë të parë sepse të gjithë ata që ndaheshin ishin sllavë, (pavarësisht se historikisht ajo kishte mbështetur serbët), në rastin e shqiptarëve të Kosovës, problemi shtrohej krejtësisht ndryshe. Për Moskën zyrtare shqiptarët nuk kishin të drejtë në kërkesat e tyre, sepse për shumicën dërmuese të politikanëve, ushtarakëve, historianëve, studiuesve rusë, Kosova ka qenë “historikisht serbe”, “ tokë e shenjtë serbe”, “djepi i serbizimit”, “si Jeruzalemi për hebrenjtë” etj. etj. “Popullsia e kësaj krahine historikisht serbe ka qenë serbe” shkruante Kryeministri i Rusisë E.Primakov, “Krahina e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shtetit shqiptar, ajo njihet historikisht si krahine serbe” shkruante historiania E.Guskova, “Kosova është pjesë e pandashme historike, gjeografike dhe etnokulturore e Republikës së Serbisë” shkruante Kryetari i Partisë Liberal Demokratike V.Zhirinovski.
Sipas shumë politikanëve, ushtarakëve e historianëve rusë, serbët janë autoktonë dhe shqiptarët të ardhur vonë në Kosovë, madje “ata e kanë shqiptarizuar me dhunë Kosovën” (Do i këshilloja Ambasadorit të lexonte çfarë kanë shkruar për këtë problem historianët ushtarakë Nina Vasiljena, Viktor Gavrillov, historianët E.J.Guskova, M.S.Kashuba etj.) Sipas disave prej tyre, “shqiptarët janë sjellë aty nga Turqia” ose “janë sjellë aty nga Shqipëria mbas Luftës DytëBotërore, e mbas saj, të sjellë aty nga Tito”. “Në shekullin e VI serbët kristjanë përbenin 97 për qind të popullsisë së krahinës”….“Shpërngulja e shqiptarëve në Kosovën fqinje, kryesisht ilegalë ka filluar në vitet 40-të dhe është intensifikuar shumë në vitet 60-të -70-të…” shkruante ish Kryeministri i Bashkimit Sovjetik Rizhkov, “Në vitet 90-të në Kosovë u vendosën rreth 300 mijë shqiptarë ilegalë nga Shqipëria”, shkruanin V.S.Lisickaja dhe L.A Shelepin, “Krahina e Kosovës nuk i ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli Tito në kuadrin e krijimit të Federatës Ballkanike” shkruante ish kandidati për President, Kryetari i Bashkisë së Moskës” J.Lluzhkov. Deri edhe shkrimtari Sollzhenjicin, shkruante “Banda titiste krijoi kufij fals, duke shpërngulur serbët nga Fushë Kosova dhe duke i populluar me shqiptarë”. Kështu mund të vazhdohet me të tilla falsifikime, gënjeshtra e broçkulla pa fund të politikanëve, ushtarakëve, historianëve, studiuesve rusë të përhapura me shumicë nga propaganda ruse…. (Nuk e di nëse Ambasadori Zajcev i ka lexuar kur përgatitej të vinte në Shqipëri…)
Për shumë politikanë, ushtarakë, historianë e studjues rusë, temë tepër e preferuar ka qenë “nacionalizmi shqiptar” si burim i “shumë të këqijave për Kosovën dhe krejt Jugosllavinë”, madje “i ushqyer shumë herë nga Tirana zyrtare”. Sipas tyre: “ky nacionalizëm i ka rrënjët që në Lidhjen ePrizrenit, ku u hodhën bazat e krijimit të Shqipërisë së Madhe”, duke vazhduar me Enver Hoxhën që “ishte gati ti vinte zjarrin Ballkanit për Kosovën” (Përmendej letra e Enver Hoxhës e v.1949, drejtuar KQ të PKB të BS), ku propozonte fillimin e luftës në jugosllavi për të çliruar Kosovën e për ta bashkuar me Shqipërinë….), më vonë, tek ngjarjet e viteve 1968, veçanërisht të v. 1981 e deri në vitin 1999, kur shqiptarët u ngritën për pavarësi…Dhe për të gjitha këto ata akuzonin Tiranën si nxitëse, organizatore dhe prapavijë… Disa autorë rusë arrinin deri aty sa propagandonin që “tek nacionalizmi shqiptar duhen kërkuar shkaqet e shpërbërjes së Jugosllavisë….”. Nuk janë të radha rastet kur, për të shprehur urrejtjen ndaj shqiptarëve, politikanë e studiues i referohen autorëve të njohur antishqiptarë, si A.M. Selishçev, A.Amfiteatrov etj. Ja si shkruante ky i fundit në librin “Përshtypje Ballkanike”:“Shqiptarët janë shtetasit më të neveritshëm të Perandorisë Osmane….”.
Dalja e UÇK-së në skenë, e kryesorja angazhimi i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit të Kosovës, bënë që Moska të angazhohej seriozisht me këtë problem, por në çdo rast në mbrojtje të Millosheviçit dhe politikës së tij. Që nga ministria e Jashtme, Duma Shtetërore (Parlamenti rus), politikanë, ushtarakë, historianë etj. deklaronin zyrtarisht se “Kosova është çështje e brendshme e Jugosllavisë dhe as që mund të bëhet fjalë për daljen e saj prej Jugosllavisë e Serbisë”. Presidenti Jelcin arriti deri aty sa të deklaronte se “Nuk lejojmë askënd të prekë Kosovën. Ne nuk e japim atë””.
Sulmi ajror i NATO-së kundër Jugosllavisë u prit gati si sulm kundër Rusisë…Anë e mbanë Rusisë u organizuan protesta kundër NATO-s në mbrojtje të Millosheviçit. Udhëheqës të Rusisë, që nga presidenti Jelcin dolën me deklarata për të ndihmuar Jugosllavinë me armatime moderne e deri me raketa S-300 etj. Flota e Detit të Zi u vu në gatishmëri etj. Pati propozime deri për vendosjen në gatishmëri tëarmëve bërthamore.Anembanë Rusisë u krijuan komitete për regjistrimin e vullnetarëve për të shkuar në Kosovë për luftuar kundër shqiptarëve. Njoftohej me krenari se “vetëm brenda 3-4 ditëve të para, janë regjistruar 70 mijë vullnetarë”, madje gjeneralë rusë aktivë deklaruan se “do te shkojnë në krye të tyre”….Rusia arriti deri aty sa ndërpreu çdo marrëdhënie me NATO-n.
Gjithë ajo periudhë u mbush me deklarata të politikanëve, ushtarakëve, historianëve, gazetarëve etj. në mbështetje të Beogradit. Çdo ditë gazetat, radiot e televizionet ruse mbusheshin me lajme ku shqiptarët akuzoheshin për “krime kundër serbëve”. UÇK-ja quhej organizatë terroriste, Adem Jashari quhej terrorist, trafikant etj. Ata flisnin e shkruanin për terrorizmin shqiptar të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedoninë Veriut, terrorizmin mbarë shqiptar si për diçka të zakonshme, madje i lidhur me terrorizmin ndërkombëtar, atë islamik etj. “Terrorizmi shqiptar” ishte bërë aq i rrezikshëm sa me të duhej angazhuar edhe Presidenti Putin, i cili pa ngrohur mirë karrigene presidentit, më 3 mars 2001 deklaroi: “Mbas largimit të ushtrisë jugosllave nga Kosova aty u krijua vakum, të cilin e mbushën terroristët shqiptarë”. ndërsa mbas ngjarjes së 11 shtatorit në SHBA ai tha : “Atë që terroristët po bëjnë nga 1996 në Çeçeni, tani po e bëjnë në Kosovë, nga ku përpiqen të veprojnë edhe jashtë saj”.
Ndërsa në vitin 2006, mbas ndarjes së Malit të Zi nga Serbia, Putini deklaroi:
“Përpara kemi ekstremizmin shqiptar, sepse sipas doktrinës së “Shqipërisë së Madhe” 40 për qind e Malit të Zi të sotëm, një pjesë e madje e Maqedonisë dhe pjesa Veri Perëndimore e Greqisë duhet ti jepen Shqipërisë”
Çfarë nuk thoshin e shkruanin kundër nesh. Ministri i Jashtëm Ivanov, pa pikë turpi deklaroi se “Ngjarja e Raçakut ishte lojë teatrale e shqiptarëve”, ndërsa kryeministri Primakov deklaroi se “Shqiptarët nuk i ka përzënë askush, por ikin nga Kosova se duan të shkojnë në Perëndim”. Duket e pa besueshme, por sharje, fyerje e deri kërcënime me jetë (madje edhe me shkrim) na bënin thuajse çdoditë edhe ne punonjësve të ambasadës, si për shembull: “Shqiptarë të ndyrë. Ju duheni mbyllur në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qenë të tërbuar..”, “Kombi juaj duhet zhdukur”, “Ngordhni sa me shpejt në Rusi. Ju do t’ju therim”, “Shqiptarë të qelbur. Ju duheni mbytur si insekte helmuese..Qofshi të mallkuar. Të ngordhni, të ngordhni deri tek shqiptari i fundit” etj. etj.
Duma Shtetërore arriti deri aty sa më 16 prill aprovoi “Bashkimin e Jugosllavisë me Aleancën Rusi-Bjellorusi” që do të thoshte ta çonte Rusinë në luftë me NATO-n …( Duket se parlamentarët rusë e kishin harruar se Rusia për të mbrojtur Serbinë hyri në Luftën e Parë Botërore…..). Por ishte Presidenti Jelcin që nuk pranoi të firmoste dhe që e ndaloi këtë veprim të pa dëgjuar të Dumes…..
Duke parë se Serbia e kishte humbur përfundimisht Kosovën, në Moskë janë përpunuar e hedhur ide e projekte nga më të ndryshmet për ndarjen e Kosovës. Këtij qëllimi i shërbente dhe pushtimi i aeroportit të Kosovës, para hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë…Ose kërkesa dhe insistimi i Moskës për të pasur zonë të veçantë, në kuadrin e vendosjes se trupave ndërkombëtare në Kosovë,sepse siç deklaronte në atë kohë V.Putini: “Ne do të insistojmë që të kemi zonën tonë. Aty duhet të jenë të pranishëm rusët sepse serbët kanë besim vetëm tek rusët”.
Duken të pabesueshme “fryma luftarake”, thirrjet për luftë dhe nxitja që politikanët e lartë të Rusisë i bënin serbëve për të filluar luftën kundër shqiptarëve për “çlirimin e Kosovës”. Ja si shkruante, ish Kryeministri i Bashkimit Sovjetik, N.Rizhkov : “Serbët e Kosovës nuk janë dele që mund ti presësh në fyt. Ata nuk janë larguar shumë nga Kosova. Me sa duket së shpejti ata do të fillojnë luftën partizane. Nuk ka shkuar shumë larg dhe ushtria Jugosllave. Jugosllavia pa dyshim do të arrijë rivendosjen e sovranitetit të vet mbi Kosovën”. Ndërsa Primakovi, Kryeministri i Rusisë gjatë krizës kosovare shkruante: “Në Kosovë janë vendosur forcat e armatosura shumë kombëshe. Ato nuk do të jenë aty përgjithmonë. E çdo të ndodhë më vonë? Përsëri Beogradi do të ftohet në tavolinën e bisedimeve. Dhe në se në rendin e ditës vendoset ribërja e hartës së rajonit, e vetmja alternativë ndaj procesit politik mund të jetë lufta…”. Ndërsa presidenti Putin deklaronte: “Rusia nuk mund të shohë me indiferencë atë që ndodhë në Kosovë, ku nuk është gjë tjetër veçse spastrim etnik, prandaj duhet dhënë përgjigje e ashpër në mbrojtje të serbëve”
Dihet qëndrimi i Rusisë e cila për vite me radhë, kudo në çdo takim e diskutim, në takime apo mbledhje ndërkombëtare, pengonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, aq sa Solana, në atë kohë pati deklaruar se “Rusia ka përgjegjësi te veçantë”. Besoj se ambasadori i ka lexuar deklaratat pa fund të presidentit Putin për Kosovën e shqiptarët. Ai është angazhuar me të gjitha mënyrat për të mos lejuar pavarësimin e Kosovës. Ku s’ka folur e vepruar për ta penguar Kosovën të bëhej shtet i pavarur. Madje në takimin BE-Rusi në Helsinki ai kërcënoi se “Pavarësia e Kosovës krijon precedent për situata të ngjashme…. Mbas shpallje së pavarësisë, ai kërcënoi edhe më ashpër kur tha : “Precedenti Kosovë është precedent i tmerrshëm. Në thelb ai shkatërron gjithë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare të krijuar jo gjatë disa dekadave por gjatë qindra vjetëve. Dhe pa dyshim ai do të sjellë një seri pasojash të pa parashikueshme”.“Precedenti Kosovë” më vonë përdorej nga Moska për të justifikuar ngjarjet nw Osetinë së Jugut e të Abhazisë apo pushtimin e Luganskut, Donjeckut, Krimesë etj. Aq shumë u angazhua Moska me çështjen shqiptare të Kosovës, sa kanali televiziv “Rossija 24” në një emision, në shator të vitit 2011, thuhej: “Në Rusi flitet e shkruhet më shumë se kudo në botë për Serbinë dhe Kosovën”.
Në Rusi jo vetëm flitej e shkruhej kundër shqiptarëve e Kosovës por edhe punohej…..Është tepër domethënës qëndrimi i Moskës zyrtare mbas botimit të kujtimeve të Karla del Pontes. Politikanë dhe mediet zyrtare ruse i kushtuan vëmendje të posaçme “krimeve të shqiptarëve kundër serbëve paqësorë” dhe kryesorja ndërkombëtarizimit të problemit., por duke akuzuar rëndë Shqipërinë….Për ketë u aktivizuan MPJashtme, Duma Shtetërore etj.Me krenari thuhej se Moska ka qenë nismëtare për raportin e Dik Martit. Delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës propozoi që kjo Asamble të merrte nen kontroll hetimin e krimeve të shqiptarëve ndaj serbëve dhe propozoi Dik Martin për hartimin e raportit. Nuk çuditë fakti që mbas publikimit të raportit të Dik Martit, Kryetari i delegacionit rus në Asamble, Kosaçov deklaroi se “Raporti ka qenë i iniciuar nga delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, ndërsa vet Dik Marti në një intervistë dhënë “Rossijskaja Gazeta” deklaronte se “Hetimi u bë me iniciativën e Rusisë” dhe më poshtë falënderonte Moskën për këtë nismë…Sigurisht që do të thoshte diçka edhe Llavrovi, ministri i Jashtëm që s’le rast pa fol kundër shqiptarëve, që do të thoshte “Lajmet për trafik organesh ka kohë që janë përhapur. Tani ky raport nuk duhet të mos mbetet sekret, por duhet përhapur sa më shumë”, ndërsa ambasadori rus në Beograd, A.Kuzin në një intervistë tha se “OSB-ja ka zhdukur dokumentet dhe pushtetarët e Shqipërisë bllokojnë me të gjitha mënyrat hetimin për këtë problem”. Por mbas shumë verifikimeve e kontrolleve që bënë specialistë të huaj në“shtëpinë e verdhë” në Burrel, ku ishin “kryer transplantimet e organeve” Moska zyrtare heshti ….
Kështu mund të vazhdohet pa fund për akuzat e Moskës zyrtare kundër shqiptarëve që kanë vazhduar deri në ditët e sotme, apo duke mbrojtur me çdo kusht e kudo qëndrimin antishqiptar se Kosova është Serbi. Ka kaluar në heshtje një pretendim absurd i Putinit, kur përgatitej të fillonte agresionin kundër Ukrainës, duke përmendur përsëri Kosovën. Kështu në takimin me presidentin serb Vuçiç, më 21 nëntor 2021, deklaroi se “Ukraina është Rusi ashtu siç është Kosova Serbi”. Por zoti Putin dhe putinistët e tjerë, duhet ta marrin vesh njëherë e mirë se Kosova është Shqipëri, dhe banorët e saj janë shqiptarë autoktonë, që kanë jetuar me shekuj në ato toka, kur sllavët nuk ishin dukur në Ballkan….
Në prag të agresionit kundër Ukrainës, ministri i Jashtëm Llavrov, bëri një deklaratë të pa dëgjuar antishqiptare, kur tha se: “Ka informacione se zgjedhin mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë Hercegovinë për të nxjerrë Rusinë nga vetja”. Se si mund ta nxjerrin Rusinë nga vetja, një grup mercenarësh, ngado të që të jenë, vetëm ai e di… Menjëherë mbas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Presidenti Putin, gjatë takimit me kancelarin gjerman, Sholc bëri një deklaratë të ngjashme: “Në Ukrainë po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vende të tjera, përfshijë Shqipërinë dhe Kroacinë, militantë nga Kosova dhe madje xhihadistë me përvojë operacionale në Siri”. Dua tu kujtoj këtyre te dyve dhe të gjithë atyre që nuk e dinë ( ndoshta edhe ambasadori Zajcev) se shqiptarët nuk kanë shkuar kurrë për të luftuar në Rusi si mercenarë, përkundrazi, rusët kanë ardhur në tokat shqiptare si mercenarë. Dokumentet ruse flasin për pjesëmarrjen e mercenarëve rusë në lëvizjen e Gjon Marka Gjonit në v.1921 për shpalljen e “Republikës së Mirditës”, për pjesëmarrjen në operacionin e spastrimin të kryengritësve në Drenicëku u vra Azem Galica, apo, mercenarët e organizuar në formacione ushtarake që sollën ne pushtet Ahmet Zogun, në vitin 1924….Si kanë gojë të përmendin mercenarë nga Shqipëria e të gënjejnë ditën për diell, kur ishin këta e shokët e tyre që në mars të vitit 1999 u bënin thirrje rusëve e organizonin mercenarë rusë për të shkuar në Kosovë për të luftuar kundër shqiptarëve. I rekomandoj ambasadorit të lexojë materialet e asaj kohe kur Kryetari i Dumes Shtetërore, Seleznjov deklaronte: “Rusia duhet ti drejtohet popullit me thirrjen për të shkuar vullnetarë në Kosovë në ndihmë të serbëve”, kur, në mes të Moskës, u vendosen tavolinat në rrugë të madhe dhe turmat rrinin nëradhë për tu regjistruar si vullnetarë për të luftuar kundër shqiptarëve. I rekomandoj të lexojë librin e mercenarit Oleg Valeckit “Veprimet luftarake në Kosmet” apo shkrimet e intervistat e dhjetëra vullnetarëve që kanë marrë pjesë në luftimet kundër shqiptarëve në gazeta e kanale televizive. Ndërmjet shumë tjerave, një vullnetar rus shkruante se ata janë përgatitur në afërsi të Beogradit nga krimineli i njohur serb,Arkani, ku kanë marrë pjesë 1017 vullnetarë rusë….
Ambasadori Zajcev thotë se nuk ka baza reale për kontradikta midis Rusisë e Shqipërisë. Me të drejtë lind pyetja, në qoftë se nuk ka baza, atëherë përse Rusia e shpalli Shqipërinë në listën e vendeve jo mike, që, pa diplomaci do të thotë armike…..Po me ambasadën shqiptare në Kiev ç’patën, përse e bombarduan?/ Dita