Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, në konferencën pas takimit me kryeministrin Mustafa ka thënë se SHBA’ja nuk do ta mbështeste asnjë marrëveshje që cenon sovranitetin e Kosovës
“Ne i mbështesim përpjekjet në dialogun me Serbinë, dhe mos harroni se ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që cenon sovranitetin e Kosovës, pasi ne kemi investuar shumë për pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Kerry.
Ai e ka mbështetur dialogun me Serbinë, ndonëse ka thënë se e di që marrëveshjet kanë qenë të vështira për t’u marrë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar me Serbinë, nuk kanë qenë të lehta, por aftësia për t’i bërë ato për të mirën e vendit quhet lidership”, ka thënë Kerry.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, Kerry ka thënë se dhuna është e papranueshme.
“Ne duhet ta respektojmë zërin dhe diskutimin në Parlament, si dhe protestat paqësore. Dhuna është e papranueshme. Liria e shprehjes është ajo që duhet të tjerët ta respektojnë edhe nëse nuk ju pëlqejnë. Është e rëndësishme që debati të ndodhë në Kuvend – Kuvendi është vend për diskutim dhe jo për gaz lotsjellës. Të gjitha palët duhet të punojnë që t’i tejkalojnë mospajtimet dhe ti përafërojnë ato” –tha John Kerry.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës për t’i kundërshtuar marrëveshjet, Qeveria është e vendosur ta vazhdojë dialogun me Serbinë.
Mustafa ka thënë se gjithashtu janë të gatshëm për dialog me opozitën, por që e kundërshtojnë dhunën.









