Refuzohet kërkesa për shtyrje të seancave për ekstradim e themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange.
Seancat e ekstradimit kanë nisur në muajin shkurt, mirëpo ato janë shtyrë për disa muaj për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me koronavirus. Seancat kanë nisur në Londër më 7 shtator, pas një pauze disamujore në të cilën gjyqtari ka hedhur poshtë aplikacionin e avokatëve të Assange për të shtyrë procesin në janar të vitit të ardhshëm, për të krijuar më shumë kohë për shqyrtim të akuzave të reja amerikane.
Assange, avokatët dhe mbështetësit e tij kundërshtojnë transferimin e tij në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se atje nuk do të përballet me gjyq të drejtë. Assange është arrestuar në prill të vitit 2019, pas strehimit në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për gati shtatë vjet. Akuzat amerikane kundër Assange, që përfshijnë edhe spiunimin, bartin rrezikun e ndëshkimit me 175 vjet burgim.