Ky që shihni në këtë foto është indiani Mitin Mirsha, i arrestuar në Rinas në bashkëpunim me DEA-n amerikane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
31-vjeçari ka dalë këtë të shtunë përpara gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë që do caktohet ndaj tij. Ai u arrestua me qëllim ekstradimi drejt SHBA-ve, pasi ndaj tij rëndojnë dy masa arresti me burg nga autoritetet amerikane, si i përfshirë në trafikun nderkombëtar të drogës.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye në Rinas në koordinim me DEA-n. Policia u shpreh se për arrestimin e 31-vjeçarit dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore nga pala shqiptare (Njësia “Mburoja e Përbashkët”) është koordinuar në kohë reale me autoritetet qendrore të drejtësisë shqiptare dhe këto të fundit kanë dhënë dritë jeshile për këtë operacion të përbashkët hetimor. Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.
/e.d











