Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri i konsideroi kërkesë për ngjitje dhe jo për bashkim, negociatat mes grupimit “Berisha” dhe “Alibeaj” në PD.
Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN TV Kulluri u shpreh i mendimit që s’do ketë bashkim mes palëve në PD, pasi është moralisht i pamundur.
Ndër të tjera Kulluri thotë se PD nuk e pranon më liderin e fortë, pasi kjo epokë ka përfunduar.
“Nuk ka paqe nën PD, sepse ai që drejton partinë, me një grup që janë nul, që vetëm duartrokasin kryetarin, disa butakë politikë nuk i shtojnë asnjë vlerë opozitës, vetëm brohorasin për gladiatorin që mundi tjetrin. Ata duhet ta kuptojnë që betejën e kanë me kundërshtarin. Në PS ka zero debat. Kur ka zero debat, do të thotë që çdo gjë është perfektë. Ne e dimë që s’është kështu. E vetmja gjë ndodh në PD. Ata e kanë luksin sepse kanë rezultatin. Për shkaqe historike dhe të strukturës. Ndërsa e djathta është një grup njerëzish të lirë, që nëse s’gjen kohezionit…Modeli i liderit të virtytshëm të Berishës ra. Basha këtë model e theu e hodhi në kosh të plehrave dhe nuk ngjitet më. PD nuk e pranon më liderin e fortë, të zotë po, por jo të fortë. Ka mbaruar kjo epokë”.
“Është kërkesë për ngjitje jo për bashkim! Nuk prodhojnë dot një projekt politik të besueshëm. Fjalët kanë rëndësi, po aq sa ka integriteti i atyre që i thonë fjalët. Nevoja për të rrëzuar Bashën i bëri konservatorë! Nuk funksionon kështu. Këta që duan të bashkohen janë ata që e kanë shkatërruar PD-në. Bashkimi është moralisht i pamundur. Për mua s’do ketë marrëveshje mes dy palëve. Ka mundësi zgjidhje vetëm nëse PD hyn në proces debati, gare, jo të shpejtë, por të ngeshëm. Që nga debati Nano-Berisha s’ka më debat mes konkurrentëve politikë në Shqipëri. Alibeaj-Bardhi janë produkte të një meritokracie të shkatërruar në PD”.
Kulluri tha se për momentin e ka pezulluar aktivitetin politik, pasi nuk sheh mundësi që fjalët që ka thënë të gjejnë një vesh për t’i dëgjuar.
/e.d