Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për rekurs të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për aferën e inceneratorëve.
Në arsyetimin e Gjykatës së Lartë thuhet se në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të Kokës, këto pretendime kanë marrë njëherë përgjigje nga Gjykata e Apelit dhe nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit.
“Në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Kolegji vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.
Sa më sipër, Kolegji arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk përmban asnjërin prej shkaqeve të parashikuara në nenin 433 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj si i tillë ai nuk duhet të pranohet”, thuhet ne vendimin e Gjykates se Lartë.
/b.h