Të gjitha shkollat publike në Los Anxheles u mbyllën mëngjesin e sotëm pas një kërcënimi nga burime të besueshme, të dërguara me postë elektronike, njoftoi policia dhe rektorati i sektorit arsimor, i cili ndodhet jo shumë larg San Bernardinos, ku u regjistrua një sulm terrorist më 2 dhjetor.
“Mëngjesin e sotëm, ne kemi marrë një kërcënim elektronik që lidhej me sigurinë e shkollave tona”, njoftoi Steve Zipperman, zyrtar i policisë në Los Anxheles, përgjegjës për sigurinë e shkollave, gjatë një konference shtypi.
”Policia e Los Anxhelesit si dhe policia federale (FBI) ishin në dijeni të këtyre informacioneve dhe ky kërcënim është duke u analizuar”, shtoi ai.
“Në kuadër të një gjesti të kujdesshëm, kemi vendosur të mbyllim sot shkollat, deri në vënien e sigurisë së plotë në institucionet arsimore”, pohoi ai.
Edhe në Nju Jork u përhap një alarm i tillë, por sipas policisë, nuk është i besueshëm.