55- vjeçari është marrë në pyetje nga hetuesit dhe mësohet se ka dëshmuar se personat që e sulmuan, e kërcënuan duke i thënë: “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”.
Rrëfimi i tij përforcon dyshimet se ngjarja nuk ka qenë një konflikt i çastit, siç raportoi fillimisht policia, por një aksident i qëllimshëm për të sulmuar e kërcënuar me jetë biznesmenin.
Këto dyshime shtohen edhe nga fakti se policia ka vendosur efektivë të saj në ruajtje të biznesmenit. Një patrullë qëndron pa ndërprerje në spitalin ku po kurohet ai.
Autorët udhëtonin me një Volkswagen Tuareg, me targa të huaja, për të cilin policia thotë se është lehtësisht i identifikueshëm pasi është i dëmtuar në pjesën e përparme.
Por deri tani ata nuk janë kapur. Në polici janë shoqëruar 9 persona, të cilët janë marrë në pyetje.
Nga burime të pakonfirmuara mësohet se kanë qenë tre persona që pasi kanë goditur automjetin Mitsubishi, ku udhëtonte Mitri, e kanë nxjerrë me forcë nga makina dhe kanë nisur ta qëllojnë me shkop bejzbolli atë dhe shoferin e tij, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhë në trup./tema/a.k










