Nga SHABAN MURATI
Çështja e heqjes nga Greqia të ligjit të luftës të vitit 1940 me Shqipërinë ka arritur tashmë pikën e ngopjes, si asnjëherë më parë që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve para 45 vitesh. Ky moment i ri u evidentua gjatë bisedimeve të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kocias, në Athinë në 21-22 mars, ku diplomacia shqiptare specifikoi dy elemente thelbësore. Së pari, nëse ne duam të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, dekreti mbretëror i vitit 1940 duhet të abrogohohet bashkë me efektet e tij. Para se ne të ndërtojmë diçka substanciale midis Shqipërisë dhe Greqisë, në fillim duhet të mbyllim Luftën e Dytë Botërore. Së dyti, është e vështirë të projektojmë një të ardhme të përbashkët, të qëndrueshme, pa një qasje konstruktive ndaj së shkuarës. Lufta e Dytë Botërore mes nesh duhet të marrë fund. Një vendim i tillë do të gjeneronte energji pozitive dhe do t’i transformonte marrëdhëniet tona në një partneritet të vërtetë strategjik.
Absurditeti i mbajtjes në fuqi të një ligji të luftës të 76 viteve më parë nga një shtet anëtar i NATO-s ndaj një shteti tjetër anëtar të NATO-s, kur në bazë të Nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, të dyja shtetet anëtare janë të detyruara të luftojnë përkrah njëra-tjetrës në rast të një sulmi ndaj njërit prej tyre nga një palë e tretë jashtë aleancës, është kaq antihistorik, saqë edhe vetë diplomacia greke është vënë në një pozicion trekëndëshi. Qëndrimi bëhet akoma më absurd po të kujtosh se Greqia, të njëjtin ligj lufte e hoqi ndaj Italisë pak vite pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë që ligjin e luftës për Shqipërinë e shpalli me arsyetimin se Italia fashiste kishte sulmuar Greqinë nga territori i Shqipërisë. Përballë kërkesës së drejtë të Shqipërisë dhe domosdoshmërisë juridike për të fshirë nga skena një nonsens historik, diplomacia greke po përpiqet që të ndërtojë një set të ri qëndrimesh, tezash dhe propozimesh, të cilat synojnë ta shmangin Greqinë nga ndërmarrja e hapit të abrogimit të ligjit të luftës.
Në këtë set artifisesh diplomatike rreshtohen disa keqinterpretime të diplomacisë greke për çështjen e ligjit të luftës, të cilat ajo po i hedh vazhdimisht në tryezën e bisedimeve diplomatike midis dy shteteve.
Keqinterpretimi i parë është për ekzistencën e ligjit të luftës. Si ministri i Jashtëm i qeverisë aktuale greke, Nikos Kocias, ashtu edhe dy paraardhësit e tij në krye të Ministrisë së Jashtme, Evangjellos Venizellos dhe Dimitri Avramopullos, kanë shprehur vazhdimisht qëndrimin se ligji i luftës me Shqipërinë nuk ekziston. Këtu kemi të bëjmë jo thjesht me mosnjohjen nga ana e ministrave të Jashtëm grekë të historisë së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe as mosshfletim prej tyre të dosjes së raporteve juridike të Greqisë me Shqipërinë. Të gjithë ministrat e Jashtëm grekë, si dhe të gjitha qeveritë greke i dinë mirë efektet juridike negative të këtij ligji ndaj qytetarëve shqiptarë, që kanë jetuar në Greqi dhe sidomos ndaj komunitetit çam dhe pikërisht për hir të atyre efekteve po e mbajnë gjallë në fuqi që prej 76 vitesh një relike të Luftës së Dytë Botërore.
Kemi të bëjmë me një qëndrim të përbashkët politik dhe diplomatik të qeverive greke, të majta dhe të djathta, të cilat ose marrin poza naiviteti, ose shpresojnë t’i injektojnë naivitetin partnerit në bisedime dhe dalin me tezën se ligji i luftës nuk ekziston. Natyrisht, përtej mbylljes së ndërgjegjshme të syve nga ana e tyre përballë realitetit, ligji i luftës ekziston si fakt juridik dhe diplomatik në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë bashkë me të gjitha efektet negative, që ka pasur dhe ka në të drejtat qytetare, njerëzore dhe pronësore të shqiptarëve në Greqi, të cilët janë trajtuar si armiq nga i ligj i luftës. Ajo që Ministria e Jashtme e Greqisë me notën e saj zyrtare të datës 28 qershor 1999, dërguar ambasadës së Shqipërisë në Athinë, njofton qeverinë e Shqipërisë se ligji i luftës me Shqipërinë nr. 2636 i vitit 1940 ekziston dhe është në fuqi, paraqet vetëm njërën anë të çështjes. Nota, si qëndrim zyrtar i qeverisë greke tregon se ligji i luftës është në fuqi dhe ka vlefshmëri juridike për qeverinë, për diplomacinë dhe për institucionet zyrtare greke. Por, edhe pa këtë notë zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ligji i luftës me Shqipërinë ekziston, sepse ai nuk është abroguar kurrë dhe përfaqëson një fakt dhe një referencë juridike për institucionet e drejtësisë dhe të shtetit grek. Duke pasur në konsideratë ndihmesën, që duhet dhënë për ndërtimin e masave të besimit në marrëdhëniet diplomatike, do të ishte e këshillueshme që MPJ e Shqipërisë t’i dorëzonte MPJ të Greqisë disa kopje të notës zyrtare greke të 28 qershorit vitit 1999 për qenien në fuqi të ligjit të luftës, me qëllim që përfaqësuesit e diplomacisë greke të apdejtojnë fjalimet e tyre.
Keqinterpretimi i dytë është terminologjik. Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe diplomacia greke po përpiqen të krijojnë një konfuzion terminologjik për të devijuar thelbin e problemit. Ndërsa kërkesa e diplomacisë shqiptare është e qartë dhe e përcaktuar që Greqia të heqë ligjin e luftës, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, si në vizitën e tij të parë në Tiranë në 15 korrik 2015, ashtu edhe në bisedimet në Athinë me ministrin e Jashtëm shqiptar në 21 mars 2016, doli me tezën publike greke se: “Nuk ka gjendje lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë”. Natyrisht, të thuash se ka ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë është një gjë, dhe të thuash se nuk ka gjendje lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë është një gjë tjetër. Tirana nuk ka dalë asnjëherë me tezën se “ka gjendje lufte” dhe asnjëherë nuk i ka parashtruar Athinës ndonjë kërkesë për heqjen e “gjendjes së luftës”. Tirana ka kërkuar dhe kërkon heqjen e ligjit të luftës. Diplomacia greke, duke ngatërruar qëllimisht “ligjin e luftës” me “gjendjen e luftës”, synon të krijojë konfuzion terminologjik dhe diplomatik në opinionin publik të të dyja vendeve, në rajon dhe më gjerë, me qëllim që të sfumojë drejtësinë e kërkesës shqiptare. Madje, për ta bërë të besueshme këtë keqinterpretim terminologjik, ministri i Jashtëm grek nis dhe numëron argumente se nuk jemi në gjendje lufte, sepse kemi marrëdhënie diplomatike, sepse kemi Traktat Miqësie, sepse jemi në NATO, etj. Në realitet të gjitha këto faza të marrëdhënieve që ai përmend e bëjnë edhe më absurde mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës.
Keqinterpretimi i tretë i diplomacisë greke ka të bëjë me pronësinë, shtetësinë apo “kartën e identitetit” të ligjit grek të luftës. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocia, po insiston vazhdimisht në bisedimet me palën shqiptare se çështja e ligjit të luftës është një çështje dypalëshe dhe se të dyja shtetet duhet ta zgjidhin së bashku në rrugë dhe me mjete diplomatike. Madje, mungesa e seriozitetit shkon deri në pretendimin se ligji i luftës është thjesht shqetësim i Shqipërisë, e cila kërkoka “një formulim të ri” të ligjit të luftës, për të cilin qeveria greke mund të na ndihmojë për ta zgjidhur. Është një absurditet diplomatik dhe juridik të bësh çështje dypalëshe një ligj grek, i ndërmarrë nga qeveria greke dhe që ka kartë identiteti greke. Ligji i luftës është një akt individual armiqësor, juridik, politik dhe kombëtar i Greqisë ndaj Shqipërisë në kushtet e vitit 1940, kur Shqipëria ishte e okupuar nga ushtria fashiste e Italisë. Edhe logjika më minimale e kupton se abrogimi i një ligji lufte të një shteti ndaj një shteti tjetër duhet të ndërmerret nga shteti që e ka miratuar atë ligj. Kjo është kaq e qartë, saqë edhe vetë qeveria e Greqisë, me kryeministër Andreas Papandreu ka qenë e ndërgjegjshme, kur në vitin 1987 miratoi aktin e moskonsiderimit të ligjit të luftës me Shqipërinë. Por, qeveria e atëhershme e Andreas Papandreut dhe të gjitha qeveritë e mëpastajshme greke deri në ditët tona, asnjëherë nuk e vazhduan procedurën e nevojshme për ta dërguar ligjin e luftës për abrogim në institucionet kushtetuese greke, që kanë tagrin juridik për ta sanksionuar ligjërisht atë shfuqizim. Kjo është edhe mungesë vullneti dhe një përdorim i vazhdueshëm politik dhe juridik aktual i një ligji arkaik të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ndaj, dalja tani e ministrit të Jashtëm grek dhe e diplomacisë greke me tezën se heqja e ligjit të luftës është një çështje dypalëshe përbën një nonsens diplomatik dhe juridik. Nuk është qeveria e Shqipërisë, që ka tagrin ligjor të marrë nismë ligjore për ligjet greke në parlamentin grek apo t’i dërgojë nismë ligjore presidentit të Greqisë për abrogimin e ligjit grek të luftës me Shqipërinë. Ligjet greke, në mënyrë sovrane dhe ekskluzive mund t’i miratojë ose abrogojë vetëm Greqia.
Keqinterpretimi i katërt ka të bëjë me rrugën e zgjidhjes për abrogimin e ligjit të luftës. Në bisedimet dypalëshe të zhvilluara në Tiranë në korrik të vitit të kaluar dhe në Athinë këtë muaj, ministri i Jashtëm i Greqisë hodhi dy teza, që sipas tij paraqesin dy mënyra që mund ta zgjidhin këtë çështje. Teza e parë është ajo e përfshirjes së çështjes së ligjit të luftës në një Traktat të ri të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis dy vendeve, që mund të zëvendësojë Traktatin ekzistues të Miqësisë, të nënshkruar para 20 vitesh, në 21 mars të vitin 1996. “Propozimi im – shprehet Kocias – është që të bëjmë Traktatin e ri të Miqësisë dhe në kuadër të këtij traktati, ne do të vendosim aty gjithçka do të jetë e nevojshme, që pala shqiptare të ndihet më mirë me këtë moment historik”. Duhet thënë që në fillim se një Traktat i ri Miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë lidhje me çështjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. E vetmja lidhje është që në eventualitetin e një rishikimi të Traktatit të Miqësisë me Greqinë, qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk duhet kurrsesi të bëjnë gabimin e madh, që bëri Sali Berisha në vitin 1996 dhe nënshkroi një Traktat Miqësie me një shtet, që mbante në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Asnjë logjikë politike, diplomatike dhe historike nuk mund të pranojë të nënshkruhet një Traktat i ri Miqësie, pa hequr më parë Greqia ligjin absurd të luftës me Shqipërinë. E përsërisim që heqja e ligjit të luftës i takon vetëm Greqisë dhe ajo duhet ta abrogojë me parlament ose me dekret presidencial, sipas kërkesave të Kushtetutës dhe të legjislacionit grek. Në këtë pozim virtual, që i bën problemit shefi i diplomacisë greke, pretendohet sikur Greqia po i bën nder Shqipërisë me mundësinë për ta përmendur ligjin në traktatin e ri, por pa e abroguar ligjin dhe duke e mbajtur atë në fuqi dhe në efektivitet. Metafora e ngopjes me lugë të zbrazur është e stërkonsumuar, por më duhet ta përdor se i përshtatet synimit të ofertës së ministrit të Jashtëm grek.
Teza e dytë e Kocias është që çështja e heqjes së ligjit të luftës të përfshihet në një paketë të përbashkët zgjidhjesh të çështjeve të diskutueshme midis Greqisë dhe Shqipërisë, për t’i zgjidhur të gjitha menjëherë në bllok. Është një qëndrim tepër semplist, sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e diplomacisë dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje që problemet e hapura historike dhe aktuale, që ato kanë me njëra-tjetrën, të zgjidhen me një “deus ex machina”. Heqja e ligjit të luftës është detyrim i palës greke dhe nuk ka asnjë bazë pretendimi që, për të arritur në ndërmarrjen e këtij hapi grek, Shqipëria duhet t’i bëjë lëshime qeverisë dhe diplomacisë greke në çështje të sovranitetit të vet. Idenë e një pakete të përbashkët zgjidhjesh për të gjitha çështjet e hapura midis dy shteteve, ministri i Jashtëm grek e hodhi në 10 qershor 2015 në një fjalim për politikën jashtme të mbajtur në Angli. Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se “paketa e përbashkët e zgjidhjeve” është ide e vjetër e një diplomati me përvojë, ish-ambasador i Greqisë në Tiranë, i cili pas largimit nga ai post, ka vazhduar interesimin për marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, me Kosovën dhe me trevat e tjera shqiptare në Ballkan.
Të gjitha keqinterpretimet që numëruam më sipër flasin për një predispozicion jo pozitiv të diplomacisë greke në çështjen e ligjit të luftës dhe të problemeve të tjera të hapura midis dy vendeve. Diplomacia greke ende nuk ka kuptuar dhe ende nuk ka dhënë ndonjë provë të angazhimit serioz në nevojën reciproke të bashkëpunimit për të ecur së bashku përpara. Nëse ajo do të dëshironte realisht të jepte një provë të vullnetit të mirë për të impostuar marrëdhëniet shqiptaro-greke në një regjistër të ri barazie dhe miqësie, do të duhej të hiqte dorë nga këto keqinterpretime obstruksioniste dhe të ndihmonte që Greqia të abrogojë ligjin e luftës sa më parë dhe pa asnjë kusht në drejtim të Shqipërisë.