Akademiku Pëllumb Xhufi analizon në këtë intervistë për gazetën DITA situatën aktuale politike. Profesori thotë se sot PD është kthyer në kënetë ndërsa në PS ndjehet era e kënetëzimit.
Ai pyetet edhe se si duhet punuar që problemet e shoqërisë shqiptare të zvogëlohen dhe punët e Shqipërisë të shkojnë më mirë në të ardhmen.
– Profesor Xhufi, si një intelektual dhe njohës i zhvillimeve të shkuara dhe të sotme të Shqipërisë, a e konsideroni normale situatën aktuale të tensionuar politikisht që po përjetojmë?
– Unë mendoj se tensioni politik për të cilin pyesni, ka të bëjë thjesht me dy persona dhe grupet e tyre të interesit. Ai nuk arrin të shpërndahet në dejet e shoqërisë shqiptare. Kjo tashmë e ka kuptuar se “lufta” mes kinse të majtës dhe kinse të djathtës është një farsë ku dy grupime pa din a pa iman llogarisin të kanalizojnë e të amortizojnë tensionet reale të shoqërisë së zemëruar shqiptare.
Kjo farsë cinike e luajtur në kurriz të demokracisë e të shqiptarëve, u institucionalizua me paktin amoral të vitit 2008, me të cilin Berisha e Rama modeluan një sistem politik të mbyllur dhe autokrat që siguronte pushtetin e tyre deri në amëshim.
Sot, vlerësimi i publikut për dy partitë kryesore ka rënë në pikën më të ulët, e megjithatë, falë atij sistemi të rakorduar falë ndërmjetësimit të lavjerrësit të përbashkët politik, Kastriot Islamit, është e pamundur që në tregun e politikës të dalin alternativa ndaj dy partive kryesore dhe garniturave të tyre butaforike. Kanë kaluar 15 vjet nga ajo kohë dhe sot janë vetë PD dhe PS që po paguajnë harxhet e çorbës që kanë gatuar.
PD është kthyer në një kënetë, që më kot “lideri historik” Sali Berisha përpiqet ta trazojë e ta gjallërojë. PS nga ana e saj, pas 10 vjetësh në pushtet të shpenzuara kur mirë, kur keq dhe kur keq e më keq, është në fazën e fundit të fermentimit, dhe qysh tani edhe tek kjo parti kanë filluar të ndjehen erërat e qelbura të kënetëzimit.
– Sali Berisha, në krye të një fraksioni të partisë së tij, ka disa kohë që flet për një “revolucion paqësor” që mund të kulmojë më 3 mars. A i besoni një revolucioni të tillë dhe sa paqësor mund të jetë ai? Kam parasysh, që për revolucione paqësore flisnin edhe Mahatma Gandi i Indisë, edhe Ibrahim Rugova i Kosovës. Sa i ngjashëm është Sali Berisha me këto dy personalitete që përmenda më sipër?
– Duke lënë mënjanë tipologjitë e soft-revolucioneve (industrial, kulturor, seksual, teknologjik etj.), revolucionin e z. Berisha mund ta fusësh në dy kallëpe, në atë të “revolucionit bolshevik” dhe akoma më shumë në atë të “revolucionit fashist”.
E shpjegoi ai vetë para dy ditësh se ç’kupton me “revolucion paqësor”: “Revolucionin paqësor nuk e bën populli: e bëjnë drejtuesit idealistë e të vendosur, populli vetëm vë firmën në fund”. Dhe vërtet, revolucionet fashiste në Itali e Gjermani i bënë dy mendjeprishur me një grusht njerëzish të ndërkryer, që shfrytëzuan gjendjen depresive të shoqërive italiane e gjermane pas Luftës I Botërore.
Përfituan prej saj për të përhapur klimën e frikës e të terrorit me aksionet e tyre skuadriste kundër kundërshtarëve politikë, kundër intelektualëve dhe hebrejve. Pastaj, çuan në votime të detyruara e të kontrolluara popujt e tyre të sfilitur nga vitet e luftës e të tmerruar nga perspektiva e luftës civile. Dhe erdhën në pushtet. Problemi për z. Berisha dhe “revolucionin” e tij është se a janë kushtet sot ato të viteve 1920? A është ai vetë i krahasueshëm me figurën mjerane të “kapterit të Mynihut” apo të gazetarit të uritur të Romës?
Z. Berisha nuk vjen nga hiçi. Është kryeautori i sistemit antidemokratik, antinjerëzor e kleptokratik të instaluar në këto tridhjetë vjetët e fundit.
– Akuza kryesore e Berishës kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij është korrupsioni. Sipas Berishës kjo është qeveria më e korruptuar në Europë dhe ndoshta në planet. A është kjo një kauzë për revolucion nga PD?
-Fatkeqësisht për të, akuzat për hajni të Berishës për Ramën e për këdoqoftë tjetër, të sjellin në mend vargjet e njohura të Majakovskit, që me ndonjë ndryshim të vogël thonë kështu: “Ti thërret ‘kapeni të korruptuarin’, dhe ne e kuptojmë se bosi i të korruptuarve je ti”! Kështu, të mjerët njerëz nuk dinë ç’të bëjnë: t’i bashkohen revolucionit demokratik të z. Berisha, i cili, nisur nga precedentët, mund të devijojë në plaçkitje të ndonjë ministrie, shkolle a spitali.
Apo të shpresojnë se një ditë, kur mjekra t’i jetë zbardhur plotësisht, z. Rama më në fund do heqë dorë nga ideja fikse e bashkëqeverisjes me kryehajdutërinë e bashkuar socialisto-pëdëiste?
– Berisha e akuzon Ramën si pinjoll të diktaturës komuniste, duke i përmendur vazhdimisht të atin, të ndjerin Kristaq Rama. Sa e besueshme është kjo akuzë, sidomos kur shqiptohet nga Berisha?
– Skulptori i Popullit Kristaq Rama ishte antipodi i pjellës së djallit, Sali Berishës. I pari ishte një qytetar i edukuar, i heshtur, human. Ishte aq modest, saqë ndryshe edhe nga i biri, gjatësinë trupore e përjetonte si barrë e tepri.
Në krahasim me të ndjerin Kristaq Rama, Doktori mbetet një katundar dinak, shtirak, i babëzitur, mizor, me mendje të trazuar e me gjuhë të përgjakur. Kristaqi, e fisnikëroi vendin, nga Tropoja në Sarandë, me kryevepra që përjetësojnë në bronx, mermer e gur ngjarje e figura udhërrëfyese të historisë sonë kombëtare. Saliu e mbushi vendin me kufoma, mbolli urrejtjen e shqiptarit kundër shqiptarit dhe në marrëzinë e tij ndezi dhe vazhdon të ndezë flakët e luftës civile. Regjimi komunist e futi Kristaq Ramën në parti e në kuvend për shkak të talentit e veprës së tij, jo për partishmëri apo fanatizëm partiak.
Këto i kishte me bollëk Doktor-Agjitatori. Ky, nuk ka lënë rast pa shpërndarë helmin dhe vrerin e tij mbi emrin e nderuar të Kristaq Ramës. Figura e Skulptorit të Popullit edhe sot, nga bota e përtejme, e torturon urlatorin e fushë-Tropojës me mirësinë, epërsinë morale dhe heshtjen gjëmuese të monumenteve të tij. Megjithatë, sulmet e Doktorit kundër figurës së Kristaq Ramës “komunist”, kanë arritur një farë rezultati tek i biri i tij, Edi, i cili duket aq i kompleksuar nga yxhymet e Doktorit, saqë një pjesë të mirë të mandateve qeverisëse e ka shpenzuar duke u përgjëruar dhe duke dhënë prova për “antikomunizmin” e tij.
– Megjithatë, shoqëria shqiptare ka probleme jo të vogla. Çfarë duhet bërë që këto probleme të zvogëlohen edhe më shumë, pasi nuk besoj se problemet tona do të mbarojnë ndonjëherë?
-Fare e thjeshtë. Që punët të ecin mbroth, duhet që Presidenti të bëjë Presidentin, Kryeministri të bëjë Kryeministrin, deputeti të bëjë deputetin, prokurori prokurorin, sipërmarrësi të bëjë sipërmarrësin, polici policin, doktori doktorin, profesori të bëjë profesorin, qytetari të bëjë qytetarin dhe fshatari të bëjë fshatarin.
E në fund, që gjërat të fillojnë të vihen në vend, duhet që hajduti të bëjë… burgun! Secili të bëjë punën për të cilën është kompetent e për të cilën paguhet, secili të gëzojë e të kërkojë të drejtat që i njeh ligji dhe Kushtetuta, secili të shlyejë detyrimet ndaj shtetit, ndaj familjes e ndaj shoqërisë në bazë të ligjit e të moralit publik dhe, në fund, secili të heq kusuret për mëkatet që mund të ketë bërë.
– Më shkruajnë miqtë e mi: Pyeteni mikun tuaj profesor Xhufin për perspektivën e afërt dhe pak më të largët të këtij vendi. Si t’u them atyre?
– Shikoni, profesioni i historianit nuk më lejon të spekuloj mbi të ardhmen, gjë që mund ta bëjnë shumë mirë politologët e futurologët. Gjithsesi, një objektiv madhor i së ardhmes së afërt të shqiptarëve është tashmë i njohur, i shpallur dhe fatmirësisht i sigurt: hyrja në Bashkimin Evropian. Por për të shkuar atje, ne duhet që sot, sa më shpejt, të shlyejmë llogaritë me të shkuarën.
Prandaj, sytë dhe veshët duhen hequr nga fenomeni “dehës” Big Brother e duhen drejtuar tek faktori “esëll” SPAK. Si shumica dërrmuese e shqiptarëve, edhe unë mendoj se e ardhmja e Shqipërisë dhe ritmet e progresit drejt saj varen nga triumfi i Drejtësisë.
/a.r