Nga Erion Veliaj
Dua të ftoj qytetarët të kuptojnë diçka, ne mund të kemi bindje të ndryshme për mënyrën se si funksionojnë gjërat në qytet, por nuk ka asnjë dyshim, se këndi i lojërave apo investime të tjera janë në fund të ditës investime publike.
Secili prej nesh mund të ketë opinione të ndryshme për estetikën. Secili prej nesh mund të ketë opinione të ndryshme për cilësinë e gjërave. Sigurisht që mund të ketë gjithmonë gjëra që mund të bëhen më shumë, por të ngatërrosh me qëllim këndin e lojërave që është publik, që është falas, që është për fëmijët, me një ndërtim 220 mijë m2 me vlerë fitimi 220 milionë euro në digën e Liqenit, të cilin Komiteti i Digave e ka shpallur të rrezikshëm si investim, është me dashje të bëhesh pjesë e një aktiviteti kriminal. Kjo është diferenca mes dy projekteve.
Sot jemi këtu përpara kësaj gjykate, ka disa njerëz që thanë ky është kërcënim. Unë insistoj dhe them që ky nuk është kërcënim, por premtim. Ne kemi bërë premtim publik që ndërtimi te diga nuk do të lejohet. Ne kemi bërë një premtim publik që do të respektojmë vendimin e Komitetit të Digave, i cili thotë se ndërtimi tek diga është i rrezikshëm dhe vendos në rrezik të gjithë qytetarët e Tiranës që banojnë në atë zonë dhe kjo është ajo që do të bëjmë.
Ndërkohë shikoni se çfarë ka ndodhur në këtë gjykatë. Ka qytetarë sot, gjyshe dhe gjyshër të këtij vendi që kanë që në vitin 2013 që presin një datë për të verifikuar pensionin e tyre, ka që në vitin 2012 që presin një datë për të verifikuar pagesat, rrogën e tyre dhe problemet që mund të kenë me punëdhënësin. Këta qytetarë që kanë vite që i luten gjyqtarëve që t’i japë një datë, një orë, një minutë, të thonë halllin e tyre dhe të japin një gjykim të drejtë mbi hallin që kanë. Nuk ia japin këtë datë.
Si ka mundësi që, gjyqi i fundit i datës 2015 shqyrtohet i pari, e kalon radhën, por nuk ndodh kjo për një qytetar me rrogë modeste. Por, sigurisht që per një biznesmen që do të fitojë 220 milionë euro në kurriz të Tiranës, kjo ndodh. Nuk ndodh kjo për një pensionist. Nuk ndodh kjo për një minator që do të verifikojë ditët e veta të punës. Nuk ndodh kjo për një ish-ushtarak. Për biznesin e madh kalohet radha. Pyetja lind: Nëse këta prishin radhën dhe disa qytetarë janë më të barabartë se qytetarët e tjerë, çfarë garancie kemi ne ku këta japin drejtësi, këta shkelin edhe rregullat e gjykatës për të respektuar radhën e gjyqeve?
Jo vetëm kaq. Dje gjykata mori një vendim pa ftuar palët. Mori një vendim pa pasur një njeri, u ul dhe shkroi vendimin dhe tha: Nuk e ndryshojmë trupin gjykues. Kur qytetarët kanë një pretendim dhe kanë prova e dyshime të bazuar në fakte që ka konflikt interesi në trupën gjykuese, secili meritohet të dëgjohet në gjykatë, mbasi dëgjohemi kur caktohet data e gjyqit, ku ftohen palët, gjykata merr vendimin. Po si mund të marrë vendimin gjykata pa dëgjuar palët?! Si mund të bëhet gjyqi pa shpallur datën?! Si mund të gjykohet diçka që u mor si padi në mëngjes dhe u gjykua për dy orë?! Ndërkohë që ka sot në Shqipëri qytetarë që kanë 24 vjet që nuk e zbardhin dot vendimin, ka 24 vjet që nuk e marrin dot pronën, ka 24 vjet që nuk sqarojnë dot problemet që kanë me drejtësinë. Këta e bënë për 24 minuta.
Kjo nuk është gjykatë, kjo është markatë. Sepse vetëm në markatë shkohet me pare me vete për të blerë zarzavate dhe kjo nuk është gjykatë. Kjo është markatë sepse këtu drejtësia ka dalë në ankand. Ai që ofron më shumë për speca, për domate, për drejtësinë, ai merr produktin dhe këta janë pazarxhinj të kësaj markate të drejtësisë.
Unë i kuptoj, e kuptoj ndjeshmërinë, vij nga shoqëria civile dhe i kuptoj ndjeshëmëritë e shoqërisë civile. Megjithatë teksa jemi 2 javë para se të hapet këndi i lodrave për fëmijë, disa të vërteta duhet të thuhen. Është e vërtetë që nuk ka kafe, është e vërtetë që Bashkia e Tiranës dhe punëtorët e saj kanë mbjellë deri më sot rreth 10 mijë pemë dhe sigurisht do t’i ujisin dhe do t’i krastisin pemët. Ndaj miqtë e mi, më pak histeri, më shumë histori. Historia i ka faktet e qarta. Jo vetëm u rrëzua dje padia jonë që ne të ndryshonim trupin gjykues, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë që 2 veta, njëri gjyqtar e tjetri aksioner te kompania që do të bëjë ndërtimin, me të njëjtin mbiemër, fis edhe farë, do të gjykojnë njëri-tjetrin. Ku bën vaki kjo? Këta që nuk duan reformën në drejtësi, këta që nuk u shkojnë ambasadorëve në takim. Ku bën kjo që një familjar të gjykojë familjarin tjetër në gjykatë për një gjyq ku fitimi është 220 milionë euro?
Kjo në shqip është një nga ato rastet kur bën “mu”, bën “mu” si lopa që ky është një gjyq i shitur. Ndaj edhe dua që gjithë të brohorasim dhe të kërkojmë që ne të ndërrojmë trupën gjykuese dhe të marrim drejtësi. Dua që të gjithë të brohorasim dhe të kemi një datë gjyqi për ndërrimin e trupës gjykuese.
Nëse jemi veç e veç këta do të na thyejnë siç na kanë thyer këto 24 vjet. Ka shumë njerëz që kur dëgjojnë reformën në drejtësi dhe kolegët e medias i pyesin se sa gjyqtarë mendojnë se ka Shqipëria, kam dëgjuar njerëz që kanë thënë 30 mijë, kam dëgjuar njerëz që kanë thënë 13 mijë, kam dëgjuar njerëz që thonë 3 mijë. E dini sa gjyqtarë ka gjithë Shqipëria që bëjnë gjithë këtë gjurulldi? 300 vetë. 300 vetë nëpërkëmbin 3 milionë vetë. Çfarë aritmetike është kjo kur 300 vetë tallen me 3 milionë. Prandaj miqtë e mi, po të jemi bashkë si sot, do të fitojmë jo vetëm sot, por do të fitojmë betejën në drejtësi për një reformë që i jep drejtësi secilit.
E dini pse kanë fituar deri më sot? Sepse secili keni qenë veç e veç. Kur secili shkon përpara tyre të mbyllin derën, s’të japin datën, bëjnë tenderin, fítuesit të tenderit i japin drejtësi dhe tjetri shkon humbet. Por, ku jemi bashkë, jemi të pamundur. Ndaj dhe duhet të jemi bashkë si sot, që secili të ketë drejtësi. Sot i kërkojmë një gjykate të diskretituar, të kushërinjve të betonit, që të japin dorëheqje dhe të lërë një trup tjetër të paimplikuar në këtë proces. Të japi vendimin e drejtë, të lexojë vendimin e Komitetit të Digave. Të kuptojë që ajo zonë nuk ka plan të detajuar vendor, nuk ka PDV. Ka dhënë një leje në një zonë që nuk ka plan.
Sot qytetarët e Shqipërisë për një çati detyrohen të bëjnë dokumentet e shtetit, të marrin leje. Ata detyrohen për një mur detyrohen të bëjnë dokumentet e shtetit të marrin leje, respektojnë shtetin. Për të bërë riparime me hermetime qytetarët respektojnë të gjitha rregullat e shtetit. Për të bërë 220 mijë metra katrorë nuk ka shtet që i del këtyre përpara. Epo kjo festë mbaroi sot dhe shtetin e krijojmë sot!
Tani, meqë më pyetët, Presidentin, jo vetëm që nuk e shikoj këtu, nëse e ka parë dikush të më thotë, por ai zakonisht në këto zona pedonale vjen me eskortë. Pyetja është kjo: Si ka mundësi që ky President, vetëm pak ditë përpara caktoi me dorë këtë trup gjykues dhe ndërroi kolegjin vetëm për këtë gjyq? Si ka mundësi që gjyqi i parë që i bie kësaj trupe gjykuese, që sapo u caktua është ky? E paimagjinueshme. A e keni parë sesi Presidenti i Republikës nuk tha asnjë fjalë për këtë? Jo vetëm për këtë, s’ ka asnjë fjalë për të thënë për reformën në drejtësi. Kryetari i Drejtësisë, Kryetari i KLD-së, mbetet pa fjalë për reformën në drejtësi. Shkon merret me lodrat e kalamajve, po normal se kur je lodër, vetëm me lodra mund të merresh. Prandaj, kryelodrës së drejtësisë i bëjmë thirrje sot të prononcohet, të na japë mendimin e vet prej gjithologu, që merr vesh edhe nga lodrat, po për këtë lodrën e kushërinjve që gjykojnë njeri-tjetrin çfarë mendon?
Ky që thotë, duam reformë në drejtësi, por nuk e duam kështu, por jo pak më vonë, ky që ishte Kryetar Bashkie para meje, pse nuk prononcohet, ky dashnor i lodrave, dashnor i pemëve, pse nuk flet? I vetmi Kryetar Bashkie që i jep leje vetes vet për të bërë shtesë, qesharake. Kalamaj qesharakë. Po Saliu që flet për gjithçka, Saliu që merr nëpër gojë gjithë Shqipërinë, Saliu që futet poshtë çdo fustani, Saliu që përgjon çdo vrimë çelësi, Saliu që futet në çdo krevat, ky që i di të gjitha, ky si nuk flet për këtë? E dini pse? Saliu fle te shtëpia e atij të digës. Sigurisht i ka dhënë shtëpinë, si do të flasë kundër tij. E dini pse nuk shkruan në Facebook për të, nuk shkruan se Facebook-un e ka në kompjuter, kompjuterin e ka në zyrë, zyrën e ka te pallati tjetër i këtij. Sali, njeri që merr nëpër gojë gjithë Shqipërinë, si ka mundësi që nuk fole për këtë dhe të shpëtoi kjo?
E di që betejat e bashkisë kanë krijuar shumë debat. Nuk besoj se nuk ka punë të Bashkisë që nuk ka shkaktuar një debat, edhe Unaza e Vogël, edhe Unaza e Madhe, edhe Pazari i Ri, edhe këndi i lodrave, edhe kopshtet që po bëjmë. Por e dini çfarë? Për këto u votuam, që të bëjmë këto lloj punësh, këto premtuam në fushatë.
Ka disa njerëz që thonë mos ecni kaq shpejt se nuk jemi gati për kaq shumë ndryshim, por ndryshim premtuam, gjumin e bëri dikush tjetër. Premtuam zgjim, premtuam ndryshim dhe premtuam të ecim shumë shpejt në drejtimin e duhur dhe prandaj po ecim shpejt.
Megjithatë, unë jam gati që të respektoj këdo që ka një mendim ndryshe për mënyrën se si ne i bëjmë punët e bashkisë, edhe për lodrat. Jam i sigurt që edhe lodrat që kemi nisur këtu mbrapa te “Mine Peza” do jenë akoma më të mia. Ato që kemi filluar tek materniteti do të jenë akoma më të mira. Kopshtet që po bëjmë tani ndoshta do të jenë akoma më të mira se çerdhet që bëmë vjet sepse sigurisht çdo gjë vjen duke u përmirësuar.
Por, unë besoj se kush është ambientalist i vërtetë e kuptoi që gjithë sherri i SHQUP-it për lodrat ishte një farsë, ishte një mënyrë për të larguar vëmendjen nga 500 metra më tej ku po i bëhet gropa Tiranës, ishte një mënyrë për të larguar vëmendjen nga reforma në drejtësi.
E dini pse nuk e duan reformën në drejtësi? Sepse me reformën në drejtësi, kushërinjtë nuk gjykojnë dot kushërinjtë. Me reformën në drejtësi, gjykata nuk është Pazar. Me reformën në drejtësi, e drejta shkon te i zoti, jo te i forti. Kjo është arsyeja pse nuk e duan reformën në drejtësi. Kjo është arsyeja që Saliu që merret me gjithçka dhe që shkon kudo që të helmojë gjithçka, nuk vajti sot te takimi me ambasadorët. Ky që ka gjithmonë gjithçka për të thënë sot iu kyç goja, sot iu mbaruan fjalët, sot i rreshtën idetë. Dua që të gjithë bashkë të brohorasim dhe t’i kërkojmë kësaj gjykate: Duam drejtësi, duam drejtësi.
Pyetja është, këta në cilin qytet i rrisin fëmijët, nuk i rrisin këtu në Tiranë? Çfarë njerëzish janë këta gjyqtarë që nuk iu dhimbset as gjaku i tyre? A nuk jetojnë në të njëjtin qytet? Megjithatë ne kemi vendosur të qëndrojmë në Shqipëri, ta bëjmë Tiranën lule, ta kthejmë në punë dhe të kërkojmë drejtësi. Sot kërkesa jonë është shumë e qartë: Kjo trupë gjykuese nuk mund të japë drejtësi sepse është e kompromentuar.
Unë jam shumë krenar sot për miqtë e mi në Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak që dëgjuat ju sot, kishte 2 vjet, ku ish-kryetari nuk shkonte fare në Këshill Bashkiak. Këshilli Bashkiak kishte 2 vjet që nuk merrte asnjë vendim për qytetin. Këshilli Bashkiak i yni është mbledhur më shumë në 8 muaj se ç’u mblodh i gjithë Këshilli Bashkia në 4 vjet. Sepse kur ka punë për qytetin, kur ka volum pune, asnjë njeri nuk mund të rri në shtëpi, asnjë njeri nuk mund t’ja këpusë gjumit. Të gjithë duhet të vinë në detyrë. Këshilli Bashkia ka miratuar më shumë projekte për qytetin seç është bërë ndonjëherë në ëndrra që mund të kishin bërë ndonjëherë paraardhësit tanë. Ata nuk kanë ëndërruar sa ç’kemi bërë ne.
Miqtë e mi, deputetët që ju dëgjuat sot janë vetëm një grup i vogël i shumicës dërrmuese të Parlamentit që do reformën në drejtësi. Shumica e njerëzve, si shumica e Parlamentit, do reformën në drejtësi. Fakti që je opozitë dhe që ke disa numra, nuk të jep të drejtën të bllokosh progresin. Fakti që je në opozitë, të kërkon që të japësh alternative për qeverinë, jo të bllokosh qeverinë. I keni parë sot sesi bllokojnë çdo punë të Bashkisë? Ndonjëherë e pyes veten, po ju aty e kishit bashkinë pse s’e bëtë?! 4 vjet e kishin aty, mund t’i kishin larë rrugët, mund t’i kishit mbjellë pemët, mund t’i kishit bërë këndet e lodrave, mund t’i kishit bërë kopshtet, mund t’i kishit bërë shkollat, mund t’i kishit bërë parqet, pse nuk i bëtë? Dhe krejt papritur, njerëz që si kishim parë kurrë në televizor, sot janë përditë kundër punëve publike të Bashkisë.
T’ju japim një mesazh të qartë: Puna do vazhdojë dhe drejtësia do bëhet!
Ne në fakt, sa më shumë na kundërshtojnë, aq më shumë punojmë. Sa më shumë stërkëmbësha na vënë, aq më shumë kurajo na japin, se jemi në drejtimin e duhur dhe do ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur.