“Shqipëria ka rezervë edhe për 6 ditë bukë”. Kjo thënie në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Stabilitetit nga kryeministri Ylli Bufi do të mbetej gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Pasi kishte kaluar pragun e diktaturës, shqiptarët duhej të përballeshin edhe me “zinë e bukës”.
Ishte viti 1991, Partia Demokratike kishte tërhequr ministrat e saj nga Qeveria e Stabilitetit dhe kërkonte krijimin e një qeverie teknike, që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja politike. Në këtë situatë qeveria e mbetur vendos të mbajë një mbledhje, e cila do të transmetohej deri natën vonë në ekranin e TVSH-së. Aty do të vinte edhe thënia shokuese e kryeministrit të kohës.
Në librin e tij me kujtime “Në fillimet e tranzicionit- Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”, botim i “UET-Press”, ish-kryeministri Ylli Bufi i rikthehet edhe një herë këtij momenti: “E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore.
Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda. Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë”, thotë ish-kryeministri. Më poshtë, mbledhja e fundit dhe fjalimi i Ylli Bufit në vitin 1991.
DORËHEQJA E QEVERISË SË STABILITETIT
Pas tërheqjes së ministrave të saj prej PD, disa prej ministrave u mblodhën në zyrën time. Të gjithë ishin shumë të revoltuar nga veprimi i Berishës dhe sidomos nga fjalët që ai kishte thënë në konferencën për shtyp. Ç’duhej bërë tani? E vetmja gjë mbetej që unë të paraqisja te Presidenti i Republikës dorëheqjen në emër të qeverisë. Dikush nga ministrat tha se qeveria duhet t’u shpjegojë shqiptarëve atë që kishte ndodhur. Fillimisht, ishte fjala për një konferencë shtypi nga qeveria, por pastaj u sugjerua të bëhej një mbledhje, ku të merrnin pjesë edhe kryetarët e partive.
Në fillim, e kundërshtova këtë propozim, sepse mendoja se gjithçka ishte thënë me kryetarët e partive. U insistua se shqiptarët nuk i dinë të vërtetat e prishjes së qeverisë, prandaj duhet t’ua themi këto. Kështu, u vendos të bëhet ajo mbledhje. Ishte një vendim i nxituar, i marrë në peshën e emocioneve të momentit. Në mbledhje u ripërsëritën të gjitha argumentet që ishin përdorur edhe në mbledhjen e mëparshme me kryetarët e partive. Mbledhja zgjati rreth 2-3 orë, por, për shkak se transmetimi në televizionin shqiptar nuk ishte online, bobinat e regjistruara shkonin me një vonesë rreth një orë për transmetim.
Kështu, transmetimi i mbledhjes vazhdoi edhe pas mesit të natës, një gjë e pazakonshme deri në atë kohë. Ministrat dhe përfaqësuesit e partive ishin ulur jo në vendet e tyre të zakonshme. Mbledhja u zhvillua shumë e tensionuar. Pothuaj të gjithë folën kundër veprimit të Sali Berishës. Më i ashpër ishte sidomos ministri Emin Mysliu, që shprehu hapur parandjenjën e kaosit që do të krijohej në vend pas rënies së qeverisë. Servet Pëllumbi, në emër të Partisë Socialiste, dënoi veprimin e papërgjegjshëm të PD dhe të Sali Berishës, duke thënë: “Nuk është PS që e shkakton këtë krizë. PS ka mbajtur kurdoherë qëndrime të qarta e tolerante, të argumentuara, gjakftohta, e bindur që në fillim për formulën e qeverisë së stabilitetit dhe vazhdimisht është përpjekur ta mbështesë atë…
Përkundrazi kanë qenë disa forca të tjera, të cilat me lloj-lloj epitetesh: kriptokomunistë, enveristë, punistë, merimanga komuniste etj., që nuk ngurruan t’i përdorin edhe në këtë auditor të nderuar, duan të sensibilizojnë opinionin kundër PS. Të gjitha këto kontradikta vihen re në pozicionin e PD, bile nuk do ta zgjeroja për të gjithë PD, por për deklaratën e zotit Berisha.
Nga njëra anë, lavdërohet qeveria dhe ministrat veç e veç, përfshirë edhe ministrat e PS, nga ana tjetër, po në këtë deklaratë, qeveria quhet e dështuar. Këto pozicione kontradiktore shprehin një synim të vetëm: synimin që për këtë krizë ta hedhin fajin mbi PS”. Në fjalën time në mbledhjen e qeverisë u përpoqa që, me përgjegjësi dhe shqetësim, të shpjegoja situatën tejet të vështirë politike dhe ekonomike dhe pasojat e rënda destabilizuese që do të sillte prishja e qeverisë.
Një nga argumentet kryesore që u theksua për vazhdimin e punës së qeverisë ishte dhe sigurimi në vazhdimësi i ushqimit të popullit. E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore. Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda. Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë.
S. Berisha u përpoq që kaosin dhe të gjitha shkatërrimet që ndodhën në disa rrethe të vendit që synonin të destabilizonin vendin t’i lidhte me panikun që kishin shkaktuar fjalët e mia. Në të gjitha raportet zyrtare të kohës tregohet se ngjarjet shkatërrimtare, që ndodhën në Laç, në Fushë- Arrëz, në Peqin, në Lushnjë, në Pogradec dhe në ndonjë vend tjetër, kanë ndodhur në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 22 marsit.
Këto veprime kanë filluar në 3.12.1991 në qytetin e Mamurrasit dhe kanë vazhduar në datat 4,5,6 dhe 7.12.1991 edhe në Thumanë, Laç, Milot dhe në zonat përreth tyre, përfshirë rrethin e Pukës. Pra, këto veprime kanë filluar pikërisht një ditë para se S.Berisha të deklaronte në konferencën e tij të shtypit në datën 4.12.1991 dorëheqjen e ministrave të PD nga qeveria.
Gjithashtu, ngjarjet e Fushë-Arrëzit nuk kanë ndodhur për shkak të fjalëve të mia në mbledhjen e qeverisë, sepse ato kishin filluar për motive të tjera më parë se të mbahej mbledhja e qeverisë. Kështu, para se të ndodhte ngjarja e Fushë-Arrëzit, në rrethin e Pukës ishin vjedhur dhe shkatërruar mbi 50 magazina dhe dyqane të rrjetit të tregtisë në 29 fshatra të këtij rrethi. Vetë ngjarja e Fushë-Arrëzit ka qenë e organizuar më parë, përderisa qysh para një jave Komiteti Ekzekutiv i rrethit kishte informacion se do të hapnin dhe do të vidhnin pikërisht këto magazina të konfeksioneve në Fushë-Arrëz.
Në fjalën, që mbajta mbledhjen e fundit të qeverisë, thashë: “Unë bashkohem me mendimin që u shpreh këtu se në një sistem politik pluralist është normale të ndodhin kriza qeveritare. Në një rast të tillë ju siguroj se anëtarët e kësaj qeverie do të dorëhiqeshin menjëherë, sepse, me thënë të drejtën, në këtë situatë të vështirë, në këtë krizë të thellë ekonomike dhe sociale që po kalon vendi, kolltukët që mbajmë nuk janë aq komodë sa duken.
Në diskutimet e shumta që kemi bërë kohët e fundit në këtë tavolinë midis qeverisë dhe forcave politike është theksuar se për të dalë nga kjo krizë e thellë ekzistojnë dy zgjidhje: Një zgjidhje e parë, e propozuar nga Qeveria, ka qenë zbatimi me konsekuencë i programit të reformës ekonomike. Kjo zgjidhje, në fillim u mbështet dhe u miratua nga partitë dhe qeveria rimori dhe votëbesimin në parlament. Pastaj nga partitë u propozua një zgjidhje e dytë, një marrëveshje politike, për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Pas shumë diskutimesh, u ra dakord me konsensus për fiksimin e datës së zgjedhjeve. Pra, për të dalë nga kjo krizë gjithmonë është diskutuar rreth këtyre dy rrugëdaljeve. Tani, papritur, na shtrohet një rrugëdalje e tretë: rrëzimi i qeverisë. Argumentet e dhëna lidhen me detyrën e kësaj qeverie të re për të çuar vendin në zgjedhjet e reja. Mendoj se kjo zgjidhje e tretë është e nxituar./Panorama/a.m.