Me siguri keni dëgjuar shumë herë që këmbët janë pasqyrë e shëndetit. Ja cilat paralajmërime shëndetësore ato më së shpeshti ofrojnë.Pa marrë parasysh sa i keni kushtuar kujdes këmbëve, ekzistojnë disa gjendje të cilat nuk mund t’i injoroni.
Këmbët e ftohta
Nëse i keni këmbët të ftohtë gjatë gjithë kohës, atëherë keni probleme me tiroidet. Por, arsye tjera mund të jenë qarkullimi jo i mirë i gjakut, një problem që mund të shkaktohet nga duhanpirja, presioni i lartë i gjakut, apo sëmundjet e zemrës. Këmbët mund të jenë të ftohta edhe për shkak të dëmtimit të nervave nga diabeti. Shkaqe të tjera të mundshme janë hipotiroidizmi dhe anemia.
Dhimbje në këmbë
Kur të dhembin këmbët gjatë gjithë ditës, mund ta kenë fajin këpucët (8 në 10 gra ankohen për shkak të këpucëve me taka), por nëse nuk vishni taka, atëherë dhimbja mund të shkaktohet nga ndonjë krisje e kockës. Arsyeja mund të jetë një seancë shumë e fortë fizkulture, apo sporte që ndikojnë te këmbët, si basketbolli apo vrapi në distanca të gjata. Rreziku shtohet nëse kocka është dobësuar për shkak të osteoporozës.
Gishta këmbe të kuq, të bardhë ose kaltër
Sëmundja e Reinodit mund të bëjë që gishtat e këmbëve të bëhen të bardhë, pastaj të kaltër, më pas të kuq dhe në fund të rikthehen në ngjyrën e tyre natyrale. Shkaku është një ngushtim i papritur i enëve të gjakut, që quhet vazospazmë. Kjo mund të shkaktohet nga stresi, ose nga ndryshimi i papritur i temperaturave, por nuk ka pasoja të mëtejshme. Ndryshimi i ngjyrës mund të shkaktohet edhe nga artriti reumatoid, sëmundja e Sjogren-it dhe problemet me tiroiden.
Dhimbje në thembër
Shkaku më i zakonshëm i kësaj dhimbjeje në gjuhën shkencore quhet plantar fasciitis. Është inflamacioni i ligamentit që lidh kockën e thembrës. Dhimbja mund të jetë më e mprehtë kur zgjoheni në mëngjes dhe ushtroni presion në këmbë. Artriti, fizkultura e tepruar dhe këpucët jo të përshtatshme, gjithashtu, mund të shkaktojnë dhimbje në thembër, ashtu si edhe tendoniti. Shkaqe më të rralla janë deformimi i kockës (dalja e kockës si shtizë në fund të thembrës), një infeksion i kockës, tumor, apo thyerje.
Tërheqja zvarrë e këmbëve
Nganjëherë shenja e parë e një problemi është një ndryshim në mënyrën e ecjes, si bërja e një hapi më të madh, ose tërheqja e lehtë e këmbëve. Shkaku mund të jetë një humbje e ngadaltë e ndjesive në këmbë, shkaktuar nga dëmtimi i nervit periferik. Afro 30% e këtyre rasteve janë të lidhura me diabetin. Dëmtimi i nervit mund të shkaktohet edhe nga infeksioni, mungesa e vitaminave dhe nga alkoolizmi. Shkaqe të tjerë të mundshme për tërheqjen e këmbëve përfshijnë probleme me trurin, shtyllën kurrizore, ose muskujt.
Ndryshim i gishtave
Në këtë rast, ndryshon forma e gishtit të madh dhe e gishtave të tjerë të këmbës. Thonjtë janë më të rrumbullakosur dhe në formë të mysët (më shumë se zakonisht). Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është ndonjë sëmundje mushkërish, por ajo mund të shkaktohet edhe nga sëmundjet e zemrës, mëlçisë dhe nga çrregullime të tretjes, ose nga disa infeksione. Nganjëherë, kjo është e trashëguar, pa ndonjë shkak të dukshëm.
Ënjtje e këmbëve
Kjo zakonisht është një gjendje e përkohshme e shkaktuar nga qëndrimi shumë kohë në këmbë, ose nga udhëtimet e gjata me avion. Nga ana tjetër, nëse këmbët qëndrojnë të ënjtura për shumë kohë, kjo mund të jetë shenjë e një problemi mjekësor serioz. Shkak mund të jetë qarkullimi jo i mirë i gjakut, një problem me sistemin limfatik, ose një trombozë. Edhe çrregullimet në veshka, apo tiroidet joaktive, mund të shkaktojnë ënjtje.
Djegie e këmbëve
Ndjesia e djegies në këmbë është e zakonshme te diabetikët me një dëmtim të nervit periferik. Ajo mund të shkaktohet edhe nga mungesa e vitaminës B, myku, sëmundjet kronike, një qarkullim gjaku jo i mirë në këmbë, ose nga hipotiroidizmi.
Plagët shërohen me vështirësi
Kjo shenjë tregon se keni diabet. Plagët që nuk shërohen janë tregues i varfër i qarkullimit të gjakut. Rritja e nivelit të sheqerit të gjakut shkakton dëmtim nervor, duke ndaluar transportimin e gjakut në këmbë.
Dhimbje në gishtin e madh
Përdhesi është një shkak i njohur i dhimbjes së papritur në kyçin e gishtit të madh, bashkë me skuqjen dhe ënjtjen. Osteoartriti është një tjetër fajtor që shkakton dhimbje dhe ënjtje. Nëse kyçi është si i ngrirë, shkak mund të jetë hallux rigidus, një ndërlikim i artritit, ku kocka del si majë. Në fund, nga ky problem mund të vuajnë edhe atletët, sidomos ata që luajnë në sipërfaqe të forta. Kjo shkaktohet nga një dëmtim i ligamenteve që rrethojnë kyçin.
Dhimbje në gishtat e vegjël
Nëse ju ndjeni sikur jeni duke ecur në mermer, ose ju dhemb shputa e këmbës dhe kjo dhimbje shtrihet te gishtat, ju mund të keni neuromën e Mortonit, një trashje e indeve rrotull nervit, zakonisht, ndërmjet gishtit të tretë dhe të katërt. Kjo ndodh 10 herë më shpesh te gratë, sesa te burrat dhe shkaktohet nga një dëmtim ose presion i madh në gishtat e këmbëve.
Kruarje
Kur lëkura e këmbëve është si me luspa dhe të kruhet, shkak mund të jetë infeksioni me myk. Kruarje mund të shkaktojë edhe një reaksion ndaj substancave kimike, ose produkteve që përdorni për këmbët, që quhet dermatit i kontaktit dhe që shoqërohet me skuqje dhe tharje të lëkurës. Nëse lëkura që kruhet është e trashë dhe si me puçrra, shkak mund të jetë psoriaza, një problem imunitar.
Gishta të përthyer
Ky deformim i gishtave mund të shkaktohet nga këpucët e ngushta që shtrëngojnë gishtat e këmbëve, ose nga një sëmundje që dëmton nervat, si diabeti, alkoolizmi, ose çrregullimet nervore. Gishtat përkulen nga poshtë duke marrë formën e kthetrave. Kjo gjendje mund të përmirësohet duke bërë ushtrime tërheqjeje të gishtave, por ju mund të keni nevojë për këpucë speciale, ose për ndërhyrje kirurgjikale.
Mpirje
Ndjesia miza-miza tek këmbët është një tjetër shenjë e diabetit. Mpirja është gjithashtu shenjë e nevropatisë periferike, që të çon tek diabeti, pasi sheqeri i tepërt në gjak bën që nervat të mos funksionojnë siç duhet.
Ngërçi
Shkaku më i zakonshëm është stërlodhja e muskulit. Shkaqe të tjera përfshijnë dehidrimin, qarkullimin e gjakut, mungesën e kaliumit, magnezit, kalciumit apo vitaminës D. Rol mund të luajnë edhe ndryshimi i nivelit të hormoneve gjatë shtatzënisë, ose çrregullimet e tiroides. Ushtrimet e forcës mund të ndihmojnë në rastin e lodhjes së muskujve.
Njollat e zeza
Ne mendojmë se kanceri i lëkurës shkaktohet nga rrezet e diellit dhe zakonisht, nuk i kontrollojmë këmbët për njolla të pazakonshme. Megjithatë, një melanomë, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, mund të zhvillohet edhe në zona që nuk janë të ekspozuara ndaj diellit rregullisht. Ajo mund të shfaqet edhe nën thua, ku mund të duket si njollë e zezë.
Thonj të zverdhur
Ndryshimi i lëkurës vjen si shkak i sëmundjes kërpudhore të lëkurës. Ka raste kur thonjtë ndryshojnë ngjyrë edhe për shkak të problemeve me frymëmarrjen, që shkakton mbajtje fluide, duke krijuar kështu ënjtje në krahë dhe këmbë. Thonjtë e zverdhur mund të shkaktohen edhe nga një sëmundje e fshehur, si limfedema (ënjtje e lidhur me sistemin limfatik), probleme të mushkërive, psoriaza ose artriti reumatoid.
Thonj të kthyer nga lart
Nganjëherë, një dëmtim i thoit ose ekspozim i shpeshtë ndaj tretësve me bazë nafte mund ta bëjë thoin konkav (të lugët). Megjithatë, kjo mund të shkaktohet edhe nga mungesa e hekurit në trup.
Thonj të bardhë
Dëmtimi i thoit, ose një sëmundje tjetër në trup mund të shkaktojë njolla të bardha në thua. Nëse një pjesë, ose i gjithë thoi shkëputet nga mishi, ai mund të duket i bardhë dhe kjo mund të shkaktohet nga një dëmtim, infeksion i thoit, ose nga psoriaza. Nëse thoi është i paprekur dhe pjesa më e madhe e tij është e bardhë, atëherë kjo mund të jetë shenjë e një problemi më serioz, si sëmundje e mëlçisë, e veshkave, probleme me zemrën, etj. Flisni me doktorin tuaj për këtë.
Thonj me valëzime
Thonjtë që duken me valëzime në sipërfaqe mund të shkaktohen nga një çrregullim i rritjes së thoit në shtratin e tij. Kjo gjë prek gjysmën e njerëzve që vuajnë nga psoriaza.
Nyje të fryra
Shumë njerëz mendojnë se nyjet e fryra krijohen si pasojë e ecjeve të shumta. Në fakt, ata tregojnë diçka më serioze në lidhje me shëndetin, si për shembull probleme me veshkat. Veshkat filtrojnë lëndët ushqyese. Por nëse nuk funksionojnë siç duhet, trupi krijon mbajtje fluide, veçanërisht në nyjet e këmbëve.
Vijat e kuqe poshtë thonjve
Nëse shikoni një vijë të kuqe, mendoni për zemrën. Vijat e kuqe janë shenjë e një infeksioni në zemër. Enët e gjakut mund të jenë çarë si rezultat i mpiksjeve të vogla të gjakut, duke dëmtuar kështu kapilarët poshtë thonjve,referon “Telegrafi”. (b.an)