Ndonëse garon si pjesë e një koalicioni opozitar, por pa kandidatë për kryetarë bashkie, Astrit Patozi u shpreh se “Aleanca Progresiste” nuk do të mbështesë asnjë prej emrave të PD si në Tiranë apo qytetet e tjera, duke ia lënë zgjedhësve që të caktojnë se kë ndjejnë më pranë tyre.
Ish-kreu i Bindjes shtoi se në këto zgjedhje “Aleanca Progresiste” do të fokusohet te këshillat bashkiakë, që sipas tij do të marrin një rol ndryshe.
“Nuk besoj se do ishte e drejtë. Ne jemi vetë garues dhe nuk mund të na kërkohet kush është më i miri, e zgjedhin vetë votuesit. Në këtë rast le ta lemë në dëshirën e zgjedhësve, mjafton që vota të jetë opozitare. Energjitë tona do të jenë në këshillat bashkiakë pasi pritet të marrin një rol përcaktues, në ndryshim nga vitet e kaluara. Kjo është detyra jonë në kryeqytet dhe qytetet e tjera ku janë dy kandidatura”, tha Patozi.
Në lidhje me garën në kryeqytet ku demokratët kanë më shumë se dy kandidatë, ndonëse me sigla të tjera, Patozi tha se të dy kryesorët Roland Bejko dhe Belind Këlliçi, ende nuk kanë shpalosur asnjë platformë.
“Roland Bejko apo Këlliçi. Kam dëshirë të shohim si do shpalosen. Përveç premtimit për transportin publik falas nuk kam parë gjë tjetër. Është demonizuar dhe mendoj se nuk e ka shpjeguar mirë. Për fatin tonë të keq kandidatët e opozitës nuk shfaqen. Në vend të tyre kemi Sali Berishën dhe Ilir Metën për ta nuk ka kërshëri për t’i parë. E njëjta gjë dhe nga Partia Socialiste. Kandidatët e rinj duhet t’i shihnim. Këta që rikonfirmohen kush janë? Nuk e di çfarë kanë bërë”, tha Patozi./m.j