Nga Ben Andoni
Drejtësia shqiptare ka shumë korrupsion, pak profesionalizëm dhe nepotizëm dhe këto tre fjalë të bëjnë të kuptosh më së miri mendimin e znj. Kathleen Imholz për sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Kjo e bën Reformën në Drejtësi për një sërë njerëzish të saj shumë skeptike. Por jo thjesht prej këtyre komponentëve, siç shprehet juristja Imholz, që e ka asistuar shpesh sistemin e Drejtësisë pas viteve ’90, por edhe mungesën e duhur të vullnetit politik. Ndërkohë ekspertët e shumtë kanë filluar të merren me Ligjin, dhe Shqipëria po punon fort për një nga çelësat që do t’i hapë udhë negociatave për ta atashuar atë në Evropë. Reforma po shikohet në fushën konstitucionale, në atë të gjyqësorit, në fushën e prokurorisë, por edhe në të gjithë hallkat e tjera, ani pse ekspertët po përballen me vështirësitë që fillojnë nga organizimi, pavarësia, paanshmëria, profesionalizmi, administrimi, eficenca, transparenca e sistemit dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Edhe pse në letër gjërat janë dhe kanë qenë të precizuara, specialistët e pohojnë se: gjyqtarët shqiptarë kanë mangësi dhe janë larg standardeve dhe nivelit profesional që duhet të karakterizojë si duhet një gjyqtar të vendeve të BE-së, e më tej akoma: publiku anashkalohet në tre shkallët e gjykimit. “Atëherë si mund të arrihet ky ndryshim sjelljeje? Nuk e di, thotë juristja e njohur,- por e di që koha e harxhuar me ndryshime nenesh, ligjesh, Kushtetute është kohë pothuajse e humbur… Dua të shprehem se polarizimi (Qeveria, gjyqësori dhe aktorët e tjerë të drejtësisë) nuk me duket efikas në asnjë masë. Le të marrim dhe le të bashkëpunojmë me ata njerëz – gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj., të cilët duan një sistem më të mirë, më të ndershëm, më profesionist. Mund të jenë pak, por ekzistojnë. Pa ata, ndryshimi është i pamundur: ‘Reforma’ do të mbetët në letër”.
Nëse do t’ju bënim një pyetje thjesht teknike për të deshifruar malin që quhet Reformë në Drejtësi: Nga do t’ja fillonit Ju personalisht reformën dhe nga mund të fillohet?
“Kam marrë pjesë në Reformën në Drejtësi, në njëfarë mënyre, dhe e ndjek me vëmendje. E vlerësoj punën e bërë, deri më tani, por personalisht dhe teknikisht, do ta filloja “Reformën” pak ndryshe, apo siç e thoni Ju shqiptarët: “Ujku mjegull do!” Paketa që kam parë është voluminoze, dhe vështirë të besohet se në rastin më të mirë, do të jetë efikase dhe e menaxhueshme. Nuk do përmend faktin këtu se Opozita ka një sërë kundërshtimesh, të cilat e vështirësojnë edhe më shumë procesin.
Jam në dijeni dhe e kuptoj se qasja e Komisionit Parlamentar ka qenë e duhur, pa përfshirë këtu procesin e “ekspertëve” vendas si dhe të organizatave ndërkombëtare (OSBE, OPDAT, EURALIUS, Komisioni i Venecias etj.,), por me gjithë avantazhet e kësaj qasjeje, ajo krijon një produkt të “mjegullt”. Kur merremi me diçka, që ka aq shumë rëndësi për popullin shqiptar, jo vetëm që nevojiten thjeshtësi dhe qartësi, por edhe drejtimi nga përfaqësuesit e popullit, d.m.th., Qeveria, duhet të jetë i duhuri.
Përfituesi kryesor i “Reformës” duhet të jetë pa tjetër populli shqiptar, i zhgënjyer nga Drejtësia, e cila që nga fillimi i tranzicionit ka sjellë probleme. Ndaj, kënaqësia e Brukselit, si dhe miratimi i organizatave ndërkombëtare, nuk ka asnjë lidhje me këtë”.
Por, a mundet që me këtë nivel korrupsioni dhe degjenerimi që ka Drejtësia shqiptare t’ia dalë reforma në Drejtësi?
“Nuk mund të mohohet se ka shumë korrupsion dhe mungesë profesionalizmi, si dhe nepotizëm, ‘akrobacillëk’, klientelizëm dhe pandershmëri në sistemin e drejtësisë (por e shmang fjalën tuaj “degjenerim”, e cila më duket shumë emocionale dhe jo e saktë). Por, n.q.s. vetëm Parlamenti miraton një seri të gjatë (dhe të mjegullt) ndryshimesh të ligjeve si dhe Kushtetutës, me ose pa referendum popullor, asgjë nuk do të ndryshojë ose do të ndryshojë për të keqen (duhet koha e nevojshme për ndryshimet dhe institucione të reja).
Edhe me një ligj dhe nene kushtetuese te reja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mbetet një organ pa efekt, ose me efekt negativ, n.q.s. anëtarët – po cilët do të jenë ata – nuk do të veprojnë me ndërgjegje. Atëherë si mund të arrihet ky ndryshim sjelljeje? Nuk e di – por e di që koha e harxhuar me ndryshime nenesh, ligjesh, Kushtetute është kohë pothuajse e humbur.
Në mbyllje, dua të shprehem se polarizimi (Qeveria, gjyqësori dhe aktorët e tjerë të drejtësisë) nuk me duket efikas në asnjë masë. Le të marrim dhe le të bashkëpunojmë me ata njerëz – gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj. – të cilët duan një sistem më të mirë, më të ndershëm, më profesionist. Mund të jenë pak, por ekzistojnë. Pa ata, ndryshimi është i pamundur; ‘reforma’ do të mbetët në letër”./BIRN