Nga Fatos Çoçoli
Këto ditë, kandidati i opozitës sonë kryesore në Tiranë ka bërë publike përpara qytetarëve, pesë premtimet e tij ekonomike për katër vitet 2023-2027.
Njeri prej tyre, i katërti, zhvillimi i arsimit dhe ndërtimi i shkollave dhe çerdheve aty ku ka nevojë, është objektiv dinjitoz dhe që të gjithë kandidatët për një bashki qyteti e synojnë.
Për fat të keq, të katër objektivat e tjerë përmbajnë shumë aventurë brenda tyre dhe, edhe pse për t’u përshëndetur si dëshira, janë të parealizueshëm. Madje, po të vihen në një program konkret të bashkisë Tiranë (dhe jo vetëm bashkisë së kryeqytetit tonë, por edhe qyteteve të tjera), rrezikojnë ta falimentojnë financiarisht atë. Po pse? Le t’i analizojmë me rradhë.
Petulla me shumë ujë e transportit publik falas
Tirana si qytet sot ka 870 mijë banorë. Sipas bilanceve të pesë kompanive private të autobuzëve, që kryejnë transportin publik në kryeqytet, të pesë kompanitë se bashku shesin rreth 18 milionë euro bileta në vit. Duke patur parasysh se abonetë e llojeve të ndryshme në Tiranë japin rreth 6 milionë euro, i bie që kosto e transportit publik në kryeqytet të shkojë çdo vit rreth 24 milionë euro. Dhe jo vetëm 17.6 milionë euro ose 6.8 përqind të buxhetit aktual të bashkisë së kryeqytetit, sa e deklaron kandidati i opozitës. Për të katër vitet e qeverisjes, kosto shkon në 96 milionë euro!
Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga ekspertët gjermanë të GIZ, Agjencisë Shtetërore Gjermane për Zhvillim, kosto që duhet për të realizuar transport publik falas, duke përfshirë edhe përmirësimet e nevojshme, varion nga 91.5 milionë euro deri në 114.1 milionë euro.
Një shifër e cila është e papërballueshme sot nga financat e Bashkisë së Tiranës. Ekspertët gjermanë vënë në dukje se edhe në ato pak vende apo qytete, të cilat e kanë falas transportin publik, shërbimi ka qenë i subvencionuar më herët në 90 perqind të kostos së tij nga qeveria qendrore dhe në fund, vetëm 10 perqind të kostos e përballojnë bashkitë përkatëse, për ta bërë transportin publik falas.
Lind pyetja, ku do t’i gjejë kandidati i opozitës këto para çdo vit, që premton transport publik falas në Tiranë? Ai thotë se ka bërë llogaritë dhe i kanë dalë vetëm 6.8 përqind të parave të buxhetit të bashkisë për një vit. I ka bërë llogaritë gabim. Buxheti rekord i bashkisë së Tiranës për këtë vit është 246 milionë euro. Më shumë se 25 milionë euro që kushton transporti falas për një vit në Tiranë, bëjnë 12 përqind të buxhetit total të Tiranës, dhe jo diçka sa gjysma e tij 6.8%! Opozita jone i ka bërë petullat me ujë. Duhet të heqë ujin dhe të vërë vaj.
Nëse bashkia Tiranë i përkushton gati një të shtatën pjesë të buxhetit të vet shërbimit të ofruar falas të transportit publik për qytetarët, ajo do të rrezikonte shumë, ndoshta edhe falimentimin, pse duhej të merrte borxh për të mbuluar këtë shpenzim. Kosto e këtij shërbimi falas për qytetarët do të ishte e papërballueshme.
Ja përse asnjë nga bashkitë e qyteteve të mëdha të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian, të Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës, apo të Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve përtej oqeanit, nuk ka guxuar ta ofrojë shërbimin e transportit publik falas. Nuk janë të zgjuar kryetarët e tyre të bashkive? Nuk duan ata vota dhe të rizgjidhen? Sigurisht që po! Por si kryetarët e bashkive të botës së zhvilluar perëndimore, ashtu dhe kandidatët rivalë të tyre në zgjedhjet vendore të vendeve përkatëse, nuk e ofrojnë kurrë një projekt të tillë, pasi kosto e bën të parealizueshëm.
Në kontinentin tonë ka “guxuar” ta ofrojë dy vitet e fundit transportin publik falas vetëm Luksemburgu, i cili, përveçse është shteti më i pasur në botë me 129 mijë euro të ardhura për banor, ka një hapësirë shumë të vogël si shtet dhe vetëm 600 mijë banorë.
Harakiri i heqjes dhe uljes së taksave bashkiake
Janë 33 taksa dhe tarifa vendore në Tiranë. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë! Por pa ato, nuk do të kishim këtë Tiranë që shohim sot, me pastrimin çdo ditë në kohë në çdo cep të saj, pavarësisht problemeve të shumta të ndotjes që kemi ende në kryeqytet, si dhe me shkollat, kopshtet dhe çerdhet e reja.
Të marrim vetëm një taksë vendore. Të përgjysmosh taksën e pastrimit, duke i hequr me një të rënë lapsi Tiranës 11.4 milionë euro në vit ose 45.6 milionë euro në katër vjet, me çfarë parash do të pastrosh qytetin? Ja përse ulja me 29.5 milionë euro në vit e taksave dhe tarifave vendore në Tiranë(ose 118 milionë euro në katër vjet), përbën mirëfilli harakiri, vetëvrasje për financat e kryeqytetit!
Kosto e minimalizuar e nënkalimit në Sheshin Skënderbej
Një propozim tjetër në formën e dëshirës së mirë, por, për fat të keq, i parealizueshëm si kosto, është ndërtimi i nënkalimit tunel nën Sheshin Skënderbej, për të lehtësuar qarkullimin në qendrën e Tiranës. Opozita thotë se do të kushtojë vetëm 4.5 milionë euro për 200 metra tunel dhe dy rrampa, njëra hyrëse në tunel dhe tjetra dalëse.
Le të merremi vetëm me koston e ndërtimit të tunelit. Tuneli i Thirrës(Kalimashit) në Rrugën e Kombit, me dy korsi, na kushtoi 650 milionë euro për 5.4 kilometra tunel. Ose 24 milionë euro për 200 metra. Ose mbi pesë herë llogaritë e opozitës! Së bashku me rrampat hyrëse dhe dalëse dhe rrugët e domosdoshme lidhëse, kosto e projektit shkon në të paktën 35 milionë euro.
Le të shohim kosto të projekteve të ngjashme në botë, vetëm të njërit prej tyre.
Në tërësi, të katër premtimet ekonomike të opozitës për bashkinë Tiranë, për të katër vitet e qeverisjes 2023-2027, do t’i kushtonin bashkisë në të ardhura të munguara dhe heqje e ulje taksash, më shumë se buxheti i saj për një vit! Ose falimentim i garantuar.