Nga Ben Andoni
Shqipëria është e zhytur në një krizë shumë dimensionale, ku po mungojnë idetë e qarta për ringjallje. Në momentin që kriza e individit brenda shoqërisë (edhe tonës) po jeton një nga kulmet e saj, jo pak herë studiues dhe njerëz të interesuar po i drejtohen të shkuarës për të gjetur mësime të vlefshme shpëtimi. Asokohe nuk gjendej e aplikuar inteligjenca artificiale, ashtu si dhe mundësitë e pafundme që ofrohen në këtë kohë, e cila po na rezulton me kufizime shumë të mëdha të tipit ekzistencial. Njeriu i sotëm është gjithnjë e më shumë i braktisur nga shoqëria, pushteti politik dhe…mbi të gjitha vetvetja. Shqiptarët që kanë jetuar në disa regjime ekonomike-shoqërore në harkun e një shekulli po e ndjejnë njësoj si ngado në botë. Që nga izolimi i skajshëm politik dhe varfëria më zgrip e disa kohërave, tashmë po jetojmë në kohën e një liberalizmi që është në dekadencën e vet të madhe, bashkë me zhgënjimin e plotë të vlerave që solli. Shqiptarët që prej pathosit dhe frikës dikur zinin radhë për të votuar një kandidat të konfirmuar nga regjimi, sot mezi shkojnë të votojnë për kandidatin e tyre. Ne që dikur nuk njihnim as konceptet bazë politike dhe ato të funksionimit parlamentar, bashkë me shumë nga teoritë moderne në sociologji, ishim pothuaj të zbrazët nga njohuritë filozofike dhe dijetarët e saj, sot mëtojmë (përmes qeveritarëve) se jemi në kulmimin tonë dhe mund të jemi të barabartë kudo në Globalizëm.
Veçse, pa e gëzuar si duhet demokracinë, e cila nuk e përmirësoi ashtu si ëndërrohej jetën tonë, po përballemi me injorimin e saj prej elitave politike dhe autokracinë e pamatë të liderëve tanë. Mes tyre, kryeministri aktual, Rama nuk ka përballë asnjë mekanizëm që e kontrollon Ekzekutivin e tij, ashtu si ai vetë nuk tregon ndonjë lloj respekti në parlament. Ku për hir të së vërtetës, normat normale të sjelljes prej vitesh anashkalohen fare normalisht. Interesi i vetëm i deputetëve është e mbetet se kush do të penetrojë dhe të mbetet në orbitën, ku kryetari e zgjedh të jetë pjesë e shpurës së tij që ka në dorë çdo gjë në vend: Pasuri, favore dhe mundësi. Të tjerët janë thjesht numërorë. Ndaj, fakti është se shumë nga elita e sotme politike as nuk e sheh normalitetin e shtetit. Ky është caku, ku mbetën pozita dhe ironikisht edhe opozita.
Në këtë boshnajë mungese demokracie, një pjesë e opozitës po mundohet të rigjenerohet brenda vetes. E lavdërueshme sepse është një hap ndryshe nga ajo që përcjell sot opozita e PD-së, anipse ende e pamundur përballë reflektimit të shoqërisë. E mbytur në apatinë e të përditshmes, në gjërat që nuk ndryshojnë, mungesën e meritokracisë dhe karrierës, në mosndëshkimin e njerëzve që kanë përvetësuar shuma të paimagjinueshme, shoqëria e sotme nuk gjen dot forca të reagojë…për ndryshimin. Ndërtimi i Katedrales sonë të vlerave duket e pamundur. Të gjithë e shohin në mëndje, por askush nuk është i aftë ta nisi ndërtimin.
Ca më keq akoma, Populizmi i majtë shqiptar që manifestohet sot nga PS-ja, e ka shtuar prapambetjen demokratike në vend dhe cinizimin funksional. Ashtu si ashpërsia e gjuhës së PD-së dhe mosrespektimi i institucioneve ka dërrmuar besimin normal të ndryshimit. Pa harruar reformimin e partive në përgjithësi dhe mungesën e demokracisë së brendshme që duket si utopi. Kryetarët kanë pushtet si providenca mes komuniteteve të tyre. Qysh para zgjedhjeve, kryeministri Rama të thotë gati me siguri matematike sesa vende fiton në parlament. Dhe, ashtu ndodhi në dy zgjedhjet e fundit!!! Ndërkohë që Drejtësia me dobësinë e vet po lejon ndikim të pakontrolluar nga emra të favorizuar të biznesit dhe të ashtuquajturat elitat politike. Rasti i Shqipërisë tregon se përballemi me një sistem, ku mbështetja e votuesve sigurohet përmes patronazhit, në vend të shtrirjes ideologjike ndër votues. Kjo e fundit tashmë është një koncept, kurse baza e fortë dhe e qëndrueshme shoqërore mungon krejtësisht. Mu këtu shtrihen dhe shumë nga kundërshtime për këto politika nga shumë njerëz të së Majtës dhe sidomos qeverisjen me shumë hije të z. Rama. Por ajo që po e shkatërron besimin në vend është se nuk përmirësohen dot kushtet e jetesës, ndërsa mosbesimi i lartë publik ka treguar se pak besim ka që mund të ndryshohet në një mjedis, ku praktikat korruptive kanë pushtet dhe normalitet.
Nga ana tjetër, E Djathta tek ne pothuaj as nuk i bën më përshtypje ideologjia, sesa ardhja në pushtet, ndërsa froni që ka zënë në opozitë (këtë e justifikon me të drejtë me votat, edhe pse ato po bjerren vazhdimisht) e bën të vazhdojë këtë tandem, i cili rezulton i kënaqshëm vetëm për një grup syresh. Në këtë vazhdë po përpiqen me të drejtë shumë individë aktivistë ose anëtarë të partive të vogla, por duke shmangur një fakt, se nëse partitë nuk demokratizohen (partitë e djathta tek ne janë shembuj të mosndryshimit, si PD, PR, e me radhë) nuk mund të kërkosh të ndryshosh diçka në thelb.
Ndërkohë që shoqëria botërore qoftë për shkak të bjerrjes së vlerave bazike por edhe formës që po merr pak e nga pak rendi ndërkombëtar ndjehet në një krizë, e cila përcjell vetëm pasojat në një shoqëri periferike si tonën. Shoqëria shqiptare duke i kaluar periudhat historike në forma galoponte pa krijuar asnjëherë identitet të spikatur, manifeston mungesat e duhura të formimit. Edhe pse, pas ‘90 na kujtoi rrejshëm se mund të bënim gjithçka. Kohë, kur individi shqiptar i kufizuar, i varfër, i nëpërkëmbur kujtoi se nuk njeh tashmë asnjë fre: Para moralit, pasurimit pa fre dhe sidomos respektit ndaj vlerave krijuar ndër shekuj dhe që përbëjnë identitetin e shtetit. E pikërisht që të ndjehej mirë me këtë mori , tashmë shqiptari gjendet shumë i pakënaqur dhe me një paqartësi që i rri vazhdimisht përballë. I paaftë të orientohet në këtë botë të re, para të cilës i janë hapur befas dyert katër kanatësh. Në një sferë të përbotshme, Yuval Noah Harari tek “Future of Being” e shpjegon kështu: “Ajo që psikologët e quajnë paradoksi i zgjedhjes zbuloi një të vërtetë shqetësuese për natyrën njerëzore. Evolucioni nuk na ka programuar për t’u përballur me zgjedhje të pafundme. Truri ynë, i cili u zhvillua për të marrë vendime të shpejta brenda grupeve të vogla me mundësi të kufizuara, thjesht nuk është në gjendje të përpunojë si duhet mbingarkesën e mundësive që karakterizon jetën moderne”.
Kjo është dilema e shqiptarit përballë një ndryshimi të pafre, krizës së vet dhe përballjes me një politikë që ndryshon fytyra por nuk sjell më asnjë gjë të re. Sa më shumë të kuptohet kjo gjendje e shqiptarit të sotëm, që në një anë i është derdhur jetës pa sens të platformave artificiale të reality show dhe në pjesën më të madhe mbijetesës, aq më shumë mbase mund të ketë mundësi zgjidhje. Edhe pse shoqëria jonë duket e kalbur së brendshme në mënyrën më të skajshme. Prova janë lajmet e përditshme rreth familjes dhe batërdisë ndaj shtetit tonë. Për fat të keq, politikat publike që vlerësojnë dhe kujdesen për mirëqenien e komunitetit, janë të huaj për Ramën dhe ca më të huaja për vizionin e opozitës. Duket sikur të gjithë janë me kalkulator në dorë për të na treguar rritjen e ekonomike, që në fakt, nuk përkthehet me mirëqenie për vendin më të varfër të rajonit. Në këtë zgrip, shqiptarit të sotëm i duhet të lehtësoje peshën ekzistenciale që e kërkon përmes një jete, e cila i ka ndryshuar aq shumë dhe nuk e përmbledh dot në ndërtimin e ngrehine vlerash. “Është si të përpiqesh të ndërtosh një katedrale me kunja dhëmbësh. Mund të duket mbresëlënëse nga larg, por shembet me puhizën e parë”, e thjeshton me cinizëm Harari. Ky është paradoksi më i madh i kohës, por edhe vrasja nga një botë abstrakte që po ngremë dhe po e mbajmë me mundim dhe dëshirë në këmbë…për të keqen tonë. (Homo Albanicus)











