• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Katastrofa paraelektorale e Sali Berishës

by Skënder Minxhozi
22/03/2025 18:45
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Skënder Minxhozi/

Çdo natë, pas daljes së listave zyrtare të 1 majit, gjen nëpër studiot e debateve televizive një lloj politikani që ka më shumë për të thënë e kritikuar  për përtinë e vet sesa për kundërshtarin. Janë kandidatët e lënë jashtë listave, ose të hedhur nga zona e rehatshme e listës së mbyllur tek gara vrastare në listë të hapur. I përkasin që të gjithë opozitës, madje një koalicioni opozitar: Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Burra e gra deri dje pretendentë dhe me vota nga pas në vendet e tyre të origjinës tani dalin e sulmojnë publikisht Berishën e Nokën që i trajtuan si presje dhjetore. Dashnor Sula, një politikan i vjetër dhe me influencë në një pjesë të Shqipërisë së mesme, është rasti klasik sesi një forcë politike hedh nga dritarja disa mijëra vota, vetëm se i del nga fjala një demokrati të hershëm.

Madhështore kjo aleancë ka tashmë vetëm emrin, pas asaj që ka ndodhur javët e fundit. E gjitha kjo e parapërgatitur nga një stinë e gjatë absurdi që është konsumuar brenda mureve të selisë së ish-Shqupit. Si fillim, pasi mori partinë me vendim gjykate, Doktori filloi ta zhveshë projektin e tij të ri politik nga të gjitha premtimet që kishte bërë gjatë turit të Foltores në vitet 2022-2023. Ndërsa Lulzim Basha zbehej gradualisht në marzhet e opozitës, Berisha i mblodhi  një nga një rreth vetes njerëzit e ish-kryetarit, me premtimin se do të respektonte qëndrimet dhe pozicionet e tyre. Sot, tre vjet pas fillimit të atij procesi, ka vetëm një PD dhe ajo i përket Sali Berishës. Kush ka hyrë në atë derë me mendjen e vet (apo atë të Lulit), ka kohë që e ka bërë lavazhin cerebral, sipas linjës politike të shefit të vjetër.

Kjo parapërgatitje ka krijuar kushtet që sot të kemi një formacion politik ku ende dëgjohen termat “bashkëjetesë” apo edhe “primare”, po ku gjithçka është false si në ato dyqanet me fruta dhe ushqime plastike që ka ndërtuar qeveria e Kim Jong Unit në të dalë të aeroporteve nga vijnë pak qindra të huajt që vizitojnë me leje Korenë e Veriut. Ka primare po s’ka fitimtarë primaresh. Ka votime, por s’ka vendimmarrje konform atyre votimeve.

Rudimenti i premtimeve të hapjes dhe liberalizimit të partisë bëri që primaret të mbijetojnë edhe në këtë fillim-fushate. Për të zezën e PD, kuptohet. Sepse ata që e morën seriozisht premtimin se me primaret do të prenotonin një vend në parlament, u zhgënjyen keqas. E kotë të kujtojmë listën e gjatë të të zhgënjyerve që u votuan nga anëtarësia dhe sot gjenden në rrugë të madhe pasi Doktori i bëri listat ashtu siç kishte menduar dhe planifikuar.

Edhe po të donte ta prishte me dorën e vet fushatën aktuale, Sali Berisha s’do ta bënte dot më mirë se kaq sabotimin e vetvetes. Në momentin kur atij dhe opozitës së vjetër i duhej çdo votë e mundshme shqiptari që është kundër qeverisë dhe Edi Ramës, kreu i PD la rrugës bishta e fraksione, injoroi aleatë të vjetër dhe parti të reja, duke toleruar një nebulozë siglash në radhët e opozitës, e cila do të thithë vota kudo në 12 qarqet ku do votohet pas dy muajsh. Të gjitha sondazhet tregojnë qartë sesa e dëmshme do të jetë kjo ushtri paralele opozitarësh të cilët Berisha vijon t’i përqeshë për kandidimin e familjarëve apo për atë që ai e quan “rreshtim krah Ramës”

Në anën tjetër Doktori shpërfilli taktikën e organizimit të listave, duke grupuar senatorët në zonë të sigurt e duke i hedhur të tjerët në betejë përballë ministrave të Ramës, si një pre e sigurt përballë makinerisë së shtetit. Sot pakkush beson se listat me burokratët në zonë të sigurt dhe gjithë të tjerët në mëshirën e fatit, janë një lëvizje që mund të prodhojnë rotacion në 11 maj. E kundërta është e vërtetë.

Opozita shkon në këto zgjedhje pa një kandidat kryeministër. Është si të thuash një ushtri pa komandant. Natyrisht është Berisha kreu i saj, por që njerëzit të votojnë qeverisjen e nesërme duhet që të dinë kush do të jetë qeverisësi i nesërm, e jo vetëm kryetari i partisë. Sepse në rastin e Berishës kjo ka rëndësi jo të vogël, nga momenti që për të personalisht do të jetë e vështirë të drejtojë ekzekutivin pa pasur mundësi të shkelë në Londër, Uashington a Nju Jork.

E meqë ra llafi tek amerikanët, duket se Doktorit po i bajatet në dorë edhe teza e “sherifit të ri në qytet”. Thënë ndryshe, blerja e shërbimeve të këshilltarit të Donald Trump për të përmirësuar pozitën e tij në SHBA dhe për të dhënë përshtypjen se administrata e re e ka me sy të mirë ish-kryeministrin. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të Marco Rubios tregon në fakt të kundërtën, teksa e citon rastin e Berishës në gërmë dhe pa i ndryshuar asgjë pozicionit të vjetër të “soroistit” Blinken.

Teksa këqyr këto ditë lojën me batuta në distancë mes Ramës dhe Bashës, duke u munduar të përdorë edhe një herë ironinë e tij të njohur banale, Sali Berisha duket i pafuqishëm të ndalojë një trend që e sheh si humbës të sigurt në zgjedhjet e ardhshme, duke i hequr për herë të katërt demokratëve shpresën për një rikthim në pushtet. Kjo perspektivë që ai po e ndërton me duart  e tij në emër të bindjes se nuk mund ta ndryshojë më fatin që e pret, është me gjasë akti i fundit i degradimit të pushtetit të tij të gjatë politik. Një fund i hidhur dhe pa kthim. Jo vetëm për të, por edhe për partinë që ka vendosur të marrë me vete teposhtë.

Next Post
Horoskopi javor 9-15 shtator 2024, nga shenjat nga më pak fatlume tek ‘mbreti i javës’

Horoskopi ditor për nesër, e diel 23 mars 2025

Comments 5

  1. L.Xh says:
    9 months ago

    Zoti Minxhozi, ju kuptova dhe vleresova.
    Keni mendime e konkluzione për sot, por edhe për të nesermen e opozites, që siç po duken bathët, po shkon me hap të sigurt drejtë greminës.
    Kam këto pyetje për SPAK ;
    – A kanë ndermend të bëjnë tamam drejtësi për 21 janarin, me 4 të pushkatuar pa gjygj nga qeveria e kohës me kryeminister Sali Berishen ?
    – A kanë ndermend të bëjnë tamam drejtësi për Gërdecin me 26 të vrarë nga babëzia kooruptive e Sali Berishes, Shkelzen Berishes dhe Fatmir Mediut ?
    Nuk do të pushoj se shkruajturi për këto dy KRYEKRIME, të bëra nga Sali Berisha me bijtë dhe me shokë.

    Reply
  2. Lili says:
    9 months ago

    I dashur: L.Xh.Nzk janë vetëm këto dy kryekrime të Shpellari Berisha,por gjithë shkatërrimi i ekonomisë shqiptare në vitet 1990, ku në emër të Antikomunizmit,i vunë zjarrin: Uzinave, fabrikave,kombinateve,hidrocentraleve,shkollave,bibliotekave….Çnderuan gruan dhe familjen tradicionale të mrekullueshme shqiptare,duke e degjeneruar dhe droguar…Turp… vërtet i madh,por edhe gjatovina :Edi Rama,kur i kërcënon pensionistët dhe shtresat më vulnerabël të shoqërisë me Gogolin e Urisë… quhet:Krim Kundër Njerëzimit Sipas OKB… Njëri të vret me pushkë…kurse tjetri të vret me Urinë migjeniane…E tmerrshme

    Reply
  3. L.Xh says:
    8 months ago

    Me shumë respekt, e nderuar Lili.
    Shkrimi i Minxhozit, bënte fjalë dhe i drejtohej Sali Berishes.
    Të paktën, unë, kështu e kuptoj.
    Prandaj, duke u nisur nga tema e shkrimit, komenti im, vërtitet vetëm rreth Sali Berishes, prandaj nuk kisha dhe nuk kam aresye të tejkaloja tematikën e gazetarit, për këtë, nuk mund të flisja për tema të tjera apo njerëz të veçantë, si Edi Rama që përmendi ju në koment. Për mua, ishte pa lidhje kjo gjë, duke mos patur asnjë ngarkesë në drejtim të tijë, për sa flitet këtu. Për Ramën, mund të kemë shumë e shumë vërejtie apo mendime të kunderta me të, por këtu nuk ishte as vëndi dhe as kuvendi.
    Lilo, ju pëeshendes me dashamiresi.

    Reply
  4. Lili says:
    8 months ago

    Unë i përkas asaj shtresë njerëzish të mirë,të edukuar dhe të mësuar me dashuri për Atdheun,familjen dhe shoqërinë…Kam shumë respekt për korrektesën Tuaj…dhe për analizën racionale, interesante dhe të dobishme,që bëni në trajtimin e çështjeve konkrete që ka shoqëria shqiptare sot….Por…janë ca të vërteta që dhembin dhe djegin shumë… shumë…Kishim dikur një shtet,me emrin e bukur: Shqipëri Sot kemi një pseudoshtet…ku : ShBA,Meloni,NATO,Arabia Saudite, Emiratet arabe etj…e kanë copëtuar Shqipërinë….dhe është për të ulëritur….dhe do kujtosh vargjet e P.Vasës,tek “O moj Shqipni”… Megjithatë:Ju falenderoj edhe unë përzemërsisht dhe Ju uroj jetë të ëmbël,të këndshme,të qetë,të mbushur me gëzime dhe mbi të gjitha:Shëndet dhe jetë të gjatë

    Reply
  5. PRoShi says:
    8 months ago

    Si Lili, si L. Xh . jeni me këmbë në tokë.
    Jam dakord me Minxhozin. Një nga gazetarët të paktë me shtyllë kurrizore që kanë mediat sot.
    Sa për A-SPAK, ai do godasë frontin majtas
    Është kryekëput AntiRamë. Sepse ai ja u kujton përherë se atë post , atë privilegj, atë para që ata marrin pa justifikuar punën e kanë në saj të tij.
    Por frymën si qenëri të rrahur që kur ishin këlyshë e kanë marrë nga tranzicioni Berisha për gati 20 vite të qëndrimit të tij në pushtet.
    Ju përshëndes.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

December 4, 2025
“Synojmë vota nga elektorati gri”, Salianji: Kandidatët e pavarur janë të opozitës pa diskutim!

“Dua të mund Ramën, jo të qajmë prap!” Salianji zbulon ku e ka pakënaqësinë me Berishën

December 4, 2025
“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

December 4, 2025
Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In