Ai i foli gjatë vetëm letërsisë së tij. Shumica e atyre teksteve janë të para 1990-ës dhe kjo është shumë thelbësore. Secila ka datëshkrimin e vet. Kemi një përplasje të jashtëzakonshme: Koha e shkrimit dhe e receptimit të tyre janë të ndryshme”.
Është mbajtur dje te salla “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, veprimtaria “Një ditë me Trebeshinën”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Tryeza shkencore me titull “Vendi që zë vepra letrare e Trebeshinës në letërsinë bashkëkohore”, bashkoi 13 studiues për të hedhur dritë mbi shenjat letrare të veprës së autorit. Në të morën pjesë Bajram Kosumi, Anila Mullahi, PHamit Xhaferi, Belfjore Qose, Flamur Maloku, Dr. Edmond Çali, Nevrije Beslimi-Ismajli, Behar Gjoka, Natasha Lushaj, Jolanda Lila Tusku, Hysni Ndreu dhe Dr. Ermelinda Kashah.
Gjoka mbi njollat në biografi
Për Behar Gjokën, studiues, është humbje e letërsisë shqipe, e letërsisë bashkëkohore mosbotimi e mosnjohja e Trebeshinës. “Institucionet e shtetit duhet ta trajtojnë seriozisht, ose të vendosin që të mos merren me të, ose të vendosin t’i kthejnë sytë nga ai duke e marrë seriozisht, evidentimin e vlerave të tij”. Gjoka e krahason me Martin Camajn e me Kadarenë.
“Jemi kaq pak dhe vlerat kudo që gjenden duhen evidentuar, pavarësisht njollave biografike, pavarësisht qëndrimeve ideore, janë pjesë e kulturës shqiptare”. Gjoka shton se Trebeshina është rebel, është ndryshe. “Përmasa e krijimtarisë është problem tjetër. Gjysma është e pabotuar. Pjesa tjetër është e palexuar. Artikulohet vetëm në sajë të të dhënave biografike. Nuk ka lexim biografik letërsia. Duhet të marrin fund këto qëndrimet që kanë të bëjnë me cene biografike. Nuk ka vepra armiqësore”.
Gjoka vë në dukje faktin se Trebeshina ka një sërë veprash të pabotuara dhe kërkon që të shihen mundësitë e botimit sa më parë të veprave të tij si edhe mundësia e vënies në skenë të veprave dramaturgjike. “Themi se nuk ka drama shqipe, por Trebeshina ka.
Janë të pabotuara dhe në dorëshkrim prej Trebeshinës 42 vepra dramaturgjike, janë mbi 8 vëllime me poezi, mbi 12 vëllime prozë, pra është gjysma e pabotuar. Në këto vepra të pabotuara është bota e mjegullsisë, është bota e realizmit simbolik, është bota e fantastikes, është shkrimtari që ka përjetësuar gjithë ato përmbysjet.
Janë dorëshkrime që i kam parë e lexuar pjesërisht. Ato janë shkruar para dhe pas 1990-ës”.
Në këtë pikë, Gjoka bën me dije se dorëshkrimet janë diku mbi 4 mijë faqe: me prozë, poezi, eseistikë, dramaturgji. “Disa tekste duhen botuar në të mirë të letërsisë bashkëkohore, që në fund të bëjmë edhe një ekuilibër mes përvojave të ndryshme shkrimore që shpërfaqin përmasa të ndryshme të letërsisë.
Në ato dorëshkrime është bota e Trebeshinës e përthyer me realitetin, e përkujton realitetin, por kemi të bëjmë me simbolikat letrare. Letërsia e tij është dëshmi e surrealizmit, që vjen si kundërvënie e realizmit socialist, pra nga brenda realizmit socialist del surrealizmi që ndërton një botë kundërvënëse estetike. Vepra e tij në dramaturgji e fshin teorinë se gjuha shqipe nuk ka aftësi shprehëse”.
Sa i takon faktit që Trebeshina shihet si i harruar nga shteti, Behar Gjoka thotë se, “secili bën atë që mendon dhe ka fuqi të bëjë. Secili realizon qëllimet e veta. Nuk e kam parë ekspozitën. Institucionet do lëvizin, por mbase kur të jetë shumë vonë. Janë ftuar në këtë tryezë nga Ministria e Kulturës e Arsimit, Kryeministria e Presidenca. Janë të respektuar me mosardhjen e tyre. Edhe kjo është një mënyrë komunikimi”. Gjoka thekson se Trebeshina është i vetëmjaftueshëm për t’u marrë me të, si tekst, si përvojë dhe si vlerë estetike. “Është në Ankara. Ai pothuaj ka shmangur çdo lloj kontakti jo vetëm me shoqërinë, por me të gjithë. Di që shumë prej librave po i kalon anglisht. Ai punon për të nesërmen. E ka mbyllur misionin e vet me krijimtarinë dhe me qëndrimet.
KOSUMI MBI LETËRSINË E BURGUT
Për studiuesin Bajram Kosumi (ish-kryeministër i Kosovës) demokracia, politika apo historianët, mund ta pengojnë një shkrimtar në një periudhë të caktuar, por lexuesi është gjykatësi i fundit i secilit shkrimtar. “Nuk mund të themi se kjo vepër është e mirë, por nuk po e kupton lexuesi, sepse nuk ka vepra të tilla, veprat janë të mira kur lexuesi i pëlqen. Unë, si lexues nga Trebeshina kam lexuar disa vepra, jo të gjitha, sepse më pëlqejnë, disa të tjera nuk i lexoj, sepse nuk më pëlqejnë”.
Ai tregon se Trebeshinën e ka njohur nëpërmjet teksteve
“Kasem Trebeshina ka nisur që të botohet në Kosovë pas vitit 1991. Janë dy libra, të cilët unë i kam studiuar në një kontekst tjetër, nga ai i letërsisë nga burgu. Gjykatësi i fundit është jashtë demokracisë, nuk ka të bëjë as me diktaturën dhe as me demokracinë. Gjykimi për Trebeshinën, sikundër edhe për shumë autorë të tjerë, duhet të lirohet nga gjykimet politike, të cilat në kulturën shqiptare fatkeqësisht kanë lënë gjurmë më shumë”.
Sipas Kosumit, pjesa më e madhe e veprave nuk janë botuar ngase ka mosbesim për letërsinë nga burgu. “Po përdornin një fjalë antitotalitare, por nuk ka letërsi totalitare dhe antitotalitare, s’ka letërsi demokratike apo antidemokratik; letërsia nuk ndahet, ato janë partitë politike.
Për mua, ‘Tregtarin e skeleteve’ të Trebeshinës e ndaluan apo s’e ndaluan, e botuan apo nuk e botuan është një vepër kulminante, që përbën mozaikun më të mirë të letërsisë shqipe, flasin apo jo historianët për të. Nuk ka rëndësi kjo, por ajo sipas meje, është një vepër që ka rrëfim të bukur, sepse është një vepër surrealiste, e cila është shkruar kur askush prej shqiptarëve nuk ka shkruar një vepër surrealiste”.
Ai ndalet në dy elemente stilistike, që e shfaqin më mirë sesa çdo gjë tjetër modernitetin e një pjesë të poezisë së Trebeshinës. Habija poetike është një prej elementëve themelorë të letërsisë moderne dhe mospërcaktimi ligjërimor. Nuk ka dyshim që në veprën e tij, Trebeshina është i ngjashëm me surrealizmin, por ai përafrohet edhe me realizmin magjik. Ai është midis realizmit magjik dhe modernes. Ka edhe shumë elementë të tjerë, për shembull personazhet e tij dallojnë me ata të realizmit.
“Personazhi i Trebeshinës është i mjegulluar, pa vullnet për jetë, që nuk vetësakrifikohet, humbës i përjetshëm, në mëdyshje. Është i ngjashëm me personazhet e Kamysë dhe të Kafkës. Pastaj modernizmi i Trebeshinës ka të bëjë më gjuhën e tij letrare, nuk ka të përbashkëta me letërsinë e kohës që janë shkuar vepra të tjera.
Gjuha e letërsisë së realizmit socialist është gjuhë e kristaltë, e qartë, kur thua lis, duhet të jetë lis. Ndërsa gjuha e Trebeshinës thua ‘lis’, por nuk ka vetëm një kuptim. Është një gjuhë ku tema dhe fjala nuk përputhem. Unë e çmoj Trebeshinën, sepse është një narrator i mirë. Te fillimi i “Tregtarit të skeleteve” është një nga fillimet më të mira të romaneve, jo vetëm në letërisnë shqipe, por të të gjitha romaneve të letërisë botërore”, thotë Kosumi. Sipas tij, 90-vjetori i lindjes së një shkrimtari do të duhet që të ishte një moment, kur do të duhet që të ridiskutonim krijimtarinë e tij, duke parë me të vërtetë vlerat që ka. Por mesa duket, ky është fati i njerëzve të mëdhenj, që të çmohen pasi vdesin. Njëlloj si Laukonti, të cilin sa ishte gjallë nuk e kuptuan, por pas 2000 vitesh u kuptua se si ishte.
BIBLIOTEKA KOMBËTARE ÇEL EKSPOZITË ME VEPRAT E TIJ E VEPRAT PËR TË
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes të shkrimtarit Kasem Trebeshina, ditën e premte më datë 5 gusht, çeli ekspozitën “Kasem Trebeshina – 1926”, si një mesazh urimi në këtë përvjetor të lindjes së shkrimtarit. Kjo ekspozitë, e cila përmbledh krijimtarinë e botuar të Kasem Trebeshinës si prozator, dramaturg, poet, eseist, etj., vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të botës së letrave shqipe.
E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasem Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, por duke përbërë gjithsesi një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës.
Kasem Trebeshina botoi për herë të parë në vitin 1953 dramën historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto, të cilat ruhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe prezantohen për herë të parë për publikun në këtë ekspozitë.
Krahas tyre janë ekspozuar edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vitesh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami: melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira: shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë: komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit: triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). Me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997.
Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë në ekspozitë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj, si “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e lidhjes” (2006); “Trebeshiniana: studime, artikuj, ese” (1998); “Allori seçhi = Dafina të thara: romani i jetës sime” nga studiuesi Edmond Çali botuar në Romë në vitin 2007; “Trebeshina, një jetë para gjyqit” nga gazetari Nuri Dragoj (2007); “Albanian” dhe “Kasem Trebeshina, prophet” (1992) nga albanologu dhe studiuesi Robert Elsie; “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (2005) i studiuesit Behar Gjoka; “Miti i Metamorfozës në prozën e Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës” nga Elvira Lumi (2006), “Intervistë me Kasem Trebeshinën” nga prof. Edmond Çali (2006), “Disidentët e rremë” i studiuesit Sadik Bejko (2007), “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina” nga Gjovalin Kola (2012), “Veçori të poetikës në prozën romanore të Kasem Trebeshinës” nga prof. Anila Mullahi (2013) si dhe “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar: Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare” me autor prof. Edmond Çali (2015).
Kasëm Trebeshina lindi në qytetin e Beratit më 8 gusht 1926. Ndërpreu mësimet në shkollën Normale të Elbasanit për t’iu bashkuar Luftës Nacionalçlirimtare. Ai filloi studimet e larta në Institutin e teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi ato. Kundërshtimi i vazhdueshëm i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve gjatë viteve të regjimit e çuan Trebeshinën në burg, si edhe i hoqën të drejtën e botimit. Veprat e tij nisën të botohen pas viteve ‘90. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 8:00 – 20:00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 – 14:00.
FATMIRA NIKOLLI/BW/d.i.