KAS rrëzon ankimimin e Adriatik Lapajt, i heq mandatin kushërirës së tij dhe ia kalon Ana Dajkos

Lufta mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet merr tjetër kthesë.

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi sot kërkesën e Adriatik Lapajt që të njihte dorëheqjet e listës së mbyllur nga kandidimi dhe mandati t’i kalonte atij si më i votuari në listën e hapur. Por, përpos kësaj vendimmarrje KAS rrëzoi edhe kryekomisionerin Ilirjan Celibashi duke ia hequr mandatin kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit (e katërta në listën e mbyllur) dhe duke ia kaluar atë Ana Dajkos, të parën në listën e mbyllur.

Përfaqësuesit ligjorë të Lapajt mbajtën fjalën e tyre para anëtarëve të KAS-it, duke argumentuar se dorëheqjet janë bërë dhe dorëzuar në KQZ dhe si të tilla duhet të njihen të gjitha.

Ata e cilësuan të paligjshëm vendimin e KQZ-së, duke vënë theksin tek dorëheqjet në bllok të firmosura nga 12 kandidatët e listës së mbyllur.

“KQZ nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor, në raport me subjektet e tjera. Të jetë pjesë e ankimit edhe unifikimi i vendimeve të KQZ-së me rastet e tjera, siç bëri me rastin e subjektit PSD të Tom Doshit. Në përfundim ne kërkojmë nga KAS ndryshimin e vendimit të KQZ-së, mosnjohjen si të vlefshme të revokumit të dorëheqjeve të Kordhonit dhe Xhuvelit, njohja e dorëheqjeve të 11 majit dhe dhënia e mandatit kandidatit fitues të listës së hapur, Adriatik Lapaj”, theksuan mbrojtësit ligjorë të Lapajt.

Përfaqësuesja e KQZ-së i vlerësoi të pavend ankimimin e Nismës Shqipëria Bëhet dhe argumentin për dorëheqjen e kandidatëve të listës së mbyllur.

“Sipas ligjit zgjedhor, listat e kandidatëve dorëzohen 60 ditë para zgjedhjeve dhe ndryshimi i tyre nuk mund të bëhet më pas as nga KQZ. Në momentin kur është bërë kërkesa për dorëheqjen, emrat e kandidatëve ishin printuar në listën e votimit. Tjetra është se nuk mund të japësh dorëheqjen nga një mandat që nuk e ke, ajo duhet të bëhet vetëm më pas, pasi merret”, tha përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Docaj, duke përmendur edhe disa nga precedentët kur fituesit kanë dorëzuar mandatin e fituar më 11 maj.

KQZ deklaroi se në fillim bëhet shpërndarja e fituesve sipas listës së dorëzuar dhe afishuar dhe më pas vlerësohet nëse ka kërkesa për dorëheqje.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.