Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka folur për ngjarjen tragjike ku 25-vjeçarja Xhoana Nikolli i dha fund jetës pasi konsumoi fostoksinë në banesën e saj, pas dhunës së vazhdueshme që dyshohet se është ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj, 25-vjeçari Eraldo Fizi.
Sipas Karanxhës, rasti është shumë i rëndë dhe parashikohet nga disa dispozita të Kodit Penal që lidhen me shtyrjen drejt vetëvrasjes dhe dhunën në familje, të cilat parashikojnë dënime të larta me burg.
“Është një ngjarje shumë e rëndë. Neni 99 dhe neni 130/a, paragrafi i katërt i Kodit Penal parashikojnë dënime shumë të larta. Pra bëhet fjalë për një dënim të rëndë”, u shpreh Karanxha.
Ai theksoi se në këtë çështje ka disa prova dhe dëshmitarë që mund të përdoren gjatë hetimit dhe në procesin gjyqësor.
Sipas ish-prokurorit, ndër provat kryesore janë dëshmitë e prindërve të viktimës, dëshmia e shoqes së dhomës, si dhe një letër që dyshohet se është lënë nga e reja dhe që mund të ndihmojë në sqarimin e motiveve të ngjarjes.
“Ka dëshmi nga prindërit, nga shoqja e dhomës, është edhe letra që tregon motivet. Po ashtu është edhe oficeri i policisë gjyqësore, i cili ka marrë deklarimet për ngjarjen dhe që duhet të jetë dëshmitar në proces”, tha Karanxha.
Ai shtoi se në vendngjarje kanë qenë edhe persona të tjerë që mund të japin dëshmi, ndërsa të gjitha këto prova do të analizohen nga organet e drejtësisë për të përcaktuar përgjegjësitë penale të ish-bashkëshortit të 25-vjeçares.











