Ai është dëbuar 14 herë nga Italia, por nuk ishte i kënaqur me rekordin dhe u kthye përsëri në Sant’Ilario D’Enza, në provincën e Reggio Emilia dhe prangat iu vendosën sërish.
Emiliano Fejzo, një 36-vjeçar shqiptar, i njohur si “koleksionisti i riatdhesimit”, ka precedentë për krimin kundër pasurisë dhe ishte dëbuar në fillim të vitit të shkuar. Por, disa muaj më vonë u arrestua përsëri në territorin italiane për ri-hyrje të paligjshme.
Pas hyrjes së fundit, më 13 qershor u dëbua sërish me një avion nga Malpensa për në Tiranë. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të rikthehej prapë, ndaj të cilit janë vendosur urdhra dëbimi nga thuajse gjysma e prefekturave të Italisë, përfshirë Reggio Emilia, Bologna dhe Treviso, shkruan Ansa.
Burri doli mëngjesin e sotëm përpara gjykatës, ku arrestimi u vlerësua i vlefshëm dhe gjykata urdhëroi të nënshkruante në stacionin e Sant’Ilario D’Enza, në pritje të vendimit të dëbimit të 15-të.
Gjatë një interviste për Mediaset në qershor, shqiptari shpjegoi se si dhe pse kthehet në Itali. Madje, kërkoi të gjente një punë dhe dokumente për leje qëndrimi.
Ai ka shpjeguar se i është rrezikuar jeta për t’u kthyer në Itali, duke shtuar se në një rast kishte ecur nëpër male i rrezikuar nga arinjtë dhe më pas ishte fshehur në një kamion duke shkuar në Ankona.
“Nuk mund të them sesi kam arritur të hyj në mënyrë të paligjshme, por gjithmonë rrezikova jetën time. Në male i vetëm me arinjtë, u fsheha në një kamion dhe mbërrita në Ankona. Unë kthehem gjithmonë sepse e dua partneren time, e cila është e sëmurë dhe vuan nga Parkinsoni. Ajo nuk ecën dhe ka nevojë për kujdes mjekësor.
Nëse duan të më ndihmojnë, pse nuk më japin punë? Unë gabova si djalë i ri duke u përpjekur për të vjedhur, por tani nuk bëj asgjë të gabuar. Unë u premtoj të gjithëve se nuk bëj asgjë, i kërkoj Salvinit (ministri i Brendshëm italian) të më japë dokumentet dhe të më gjejë një punë si të gjithë”, tha ai në qershor të këtij viti. /l.m











