Gjykata për Krimet e Rënda la në arrest me burg Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun, dy 25-vjeçarët e arrestuar gjatë operacionit “Last Snoë”, ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kilogramësh kokainë e pastër.
Prokuroria akuzon Lushajn, si menaxher i kompanisë “Arbëri Garden” dhe Armando Pezakun, si shofer i kamionit që transportoi drogën për trafik ndërkombëtar të drogës, të mbetur në tentativë.
Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve që vijojnë, Prokuroria kërkoi nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbylluara.
Avokatët Petrit Serjani dhe Maksim Haxhiaj mbrojnë dy të ndaluarit. Ky i fundit, që mbron Donaldo Lushajn mohoi akuzat e ngritura kundër klientit të tij.
“Nuk ka asnjë provë ndaj klientit tim. Klienti im është punëtor i thjeshtë që paguhej 250 mijë lekë. Nuk ka post drejtues në kompani”, tha ai.
Edhe xhaxhai i Armando Pezakut mohoi akuzat e ngritura kundër nipit të tij.
“Nuk ka lidhje me këtë punë. Nuk dinte asgjë për drogën, thjesht i thanë që të lëvizte kontenierin. Ai ka vetëm 4 muaj që ka nisur punë”, tha ai.
Sasia rekord e kokainës u kap në dyshemenë e modifikuar të një kontenieri, me banane të porositura nga kompania “Arbëri Garden”. Donaldo Lushaj u prangos si menaxher i kompanisë, ndërsa Armando Pezaku si drejtues i kamionit që transportoi drogën.