Nga Mustafa Nano
Para shumë vitesh, Parlamentit iu desh të zgjidhte presidentin e Republikës, i cili është funksioni më i rëndësishëm publik në hierarkinë shtetërore. Gjithashtu, nisur edhe nga mënyra sesi përkufizohen kompetencat, të drejtat dhe detyrimet e tij, është e qartë se ky funksion është i një natyre të fisme. Për shembull, Presidenti i Republikës është simboli i unitetit të popullit, simboli i unitetit kombëtar. Ose, Presidenti i Republikës mund të mbajë fjalime në Kuvend, nëpërmjet të cilave ai mund t’u përcjellë mesazhe edhe njerëzve të thjeshtë, edhe shoqërisë, edhe kombit, edhe klasës politike. Presidenti i Republikës ka kompetencën për të dekretuar emërime të funksioneve gjithashtu të rëndësishme. Ai ka edhe kompetencën të japë dekorata e medalje.
Atë mot ndodhi një gjë skandaloze. Legjendat urbane thonë se ka ndodhur një gjë skandaloze. E pavarësisht se legjendat urbane zakonisht nuk kanë lidhje me realitetin, legjenda urbane në rastin konkret i afrohet shumë së vërtetës, madje është vet e vërteta. Personi që donte të zgjidhej President, apo një grup njerëzish në emër të tij, u vunë brenda Parlamentit në kërkim të votave të nevojshme, sepse votat që kishin ishin të pamjaftueshme. Ata kishin vetëm votat e maxhorancës, së cilës njeriu që donte të bëhej President i përkiste. Mirëpo ato vota nuk e përbënin shumicën presidenciale. Prandaj, njerëz në emër të tij, apo edhe ai vet, u vunë në kërkim të votave të nevojshme. Dhe ia dolën që t’i gjenin ato vota. Gjetën rreth gjashtë deputetë nga krahu tjetër, nga opozita, të cilët (në këmbim të “gjërave”, sigurisht) ishin të gatshëm ta jepnin votën e tyre në favor të kandidatit presidencial që nuk ishte i partisë së tyre.
E gjitha ajo që ndodhi ishte një spektakël para syve të të gjithëve. Të gjithë kishin dijeni për atë që po ndodhte, përfshirë këtu deputetë, politikanë, qoftë edhe udhëheqësit më të rëndësishëm politikë të vendit – udhëheqësit e dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ata jo vetëm kishin dijeni, por edhe e frymëzuan atë ngjarje. E nëse del ndonjë person me pretendimin se kjo e fundit është e pavërtetë, se nuk ka prova për një gjë të tillë, diçka mbetet e sigurt: ata e lanë të ndodhte, me një indiferentizëm dhe cinizëm prej Ponc Pilati, teksa po kryhej krimi. Dhe krimi ishte banalizimi i skajshëm i institucioneve të vendit: banalizimi i Kuvendit të Shqipërisë, banalizimi i procedurës sipas së cilës po zgjidhej Presidenti, dhe për rrjedhojë, banalizimi i funksionit të Presidentit. Pas asaj ngjarje dihet se çfarë ndodhi. Presidenti shkoi në selinë e presidenciale, dhe atje sipas logjikës e stilit me anë të të cilit ishte zgjedhur President, filloi të bënte edhe dekretimet e emërimeve që i takonin. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Të ndodhte ndryshe nuk kish se si.
Emërimet e këtij stili filluan dhe mbaruan brenda atij mandati presidencial. Por presidenca, sidoqoftë, pas atij momenti u banalizua pa kthim. Banalizimi i presidencës mbeti. Kemi informacione se në vijim nuk ndodhën më ato emërimet e stilit “shqiptar”, por banalizimi i presidencës mbeti një dukuri që u manifestua edhe nëpërmjet ushtrimit të kompetencës presidenciale për të akorduar tituj, medalje dhe dekorata. Dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për dekorata të rëndësishme, si për shembull: “Flamuri kombëtar”, ose dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ose dekorata “Nënë Tereza”, apo dekorata “Nderi i kombit”. Kjo e fundit (me një rëndësi të veçantë, e cila shprehet edhe nëpërmjet emërtimit të saj) do të duhej të merrej nga njerëz që i bëjnë nder kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe prandaj, kjo dekoratë i është dhënë një personaliteti si Ismail Kadare.
Mirëpo, këtë dekoratë, “Nderi i kombit”, e ka marrë edhe Ferdinand Samarxhi, një gazetar i cili pas vitit 1990 është marrë, kryesisht, me raportimin e ngjarjeve dhe të festimeve të natyrës fetare. Është marrë, po ashtu, edhe me intervistimin e personaliteteve dhe krerëve të institucioneve fetare e të komuniteteve fetare. E gjitha kjo është puna më e thjeshtë gazetareske që mund të përfytyrohet. E megjithatë, ai ka marrë titullin “Nderi i kombit”.
Unë nuk kam asgjë me Ferdinand Samarxhi. Nuk kam se çfarë të kem. Madje më vjen keq që po e marr si ilustrim, sepse mjaft mirë mund t’i referohesha për ilustrim shembujve të tjerë, të ngjashëm që kanë të bëjnë me këtë historinë presidenciale. Mund të përmendja një biznesmene e cila administron Kalanë e Tiranës, dhe ajo ka marrë një titull të rëndësishëm me një motivacion që nuk e di se çfarë mund të ketë qenë. Në fakt, nuk ma rrok mendja se si mund t’i jepet një titull i rëndësishëm presidencial një njeriu që administron një kala.
Ose mund të merrja rastin pronarin e një restoranti diku në Shkodër, me motivacionin (ma merr mendja se ka qenë i tillë): “Për zhvillimin dhe sofistikimin e kulinarisë, apo kuzhinës tradicionale”. Ose, mund të merrja për ilustrim një sportist, emri i të cilit nuk më kujtohet dhe i cili ka marrë dy herë të njëjtën medalje me titull “Mjeshtër i madh”. Nuk është shaka! Është e vërtetë. Ia kanë dhënë të njëjtën medalje dy Presidentë të Republikës, Topi e Nishani. Dhe e bukura është se “Mjeshtër i madh” është një medalje që e ka marrë më herët edhe Ferdinand Samarxhi – përpara se të merrte titullin “Nderi i kombit”. Pra, ky i fundit ka dy dekorata presidenciale.
Përsëris: nuk kam asgjë me Ferdinand Samarxhi. Dhe ai e di këtë gjë. Problemi nuk është me personat që kanë marrë medalje presidenciale. Problemi mbetet banalizimi i funksioneve publike në këtë vend. Dhe sidomos, banalizimi i funksionit të Presidentit të Republikës, dekoratat e të cilit nuk vlejnë asgjë; vlejnë më pak sesa një byrek me dhallë; vlejnë më pak sesa katër qofte. Gati-gati është turp të marrësh një dekoratë presidenciale.